E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi 9-vjeçar, do shtohen 700 mësues të rinj

 

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të bëjnë mësim me turne. Ndërsa për ambiente të reja duket se nuk bëhet fjalë, MASH ka vendosur që në të gjithë vendin të shtojë 700 mësues të rinj. Për këtë dikaster, problemet ekzistojnë por më i rëndësishëm është reformimi i këtij sistemi. "Si çdo vit të parë të aplikimit të një reforme probleme paraqiten, por ne jemi të parët që kemi interesin maksimal për zgjidhjen e tyre", sqaruan specialistët e MASH. Sipas tyre, janë rreth 14 mijë nxënës, ose 18% e tyre që mbarojnë shkollën tetëvjeçare dhe nuk arsimohen më tej që do të ndjekin me detyrim edhe një vit tjetër në shkollë. "Janë rreth 54 mijë nxënës, që do të kalojnë nga klasa e tetë në të nëntën. Po t'i referohesh statistikave, çdo vit nga 40 mijë nxënës që përfundojnë tetëvjeçaren 18% e tyre nuk kalojnë në gjimnaz. Pra, e braktisin shkollën. Me sistemin e ri ata detyrohen që të qëndrojnë edhe për një vit në bankat e saj", sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, duke ditur që kontingjenti që braktis shkollën është më i rrezikuari për t'u shfrytëzuar e trafikuar është bërë një hap përpara për t'i parandaluar këto fenomene. Ndërkaq, me tjetërsimin e viteve të studimit këtë shtator nuk do të ketë më vite të para. Prandaj gjimnazistët mbetës do të mbeten një vit pushim. Më pas, do të hidhen në vit të dytë. Deri një vit më parë ata që mbeteshin në klasë rrinin sërish në vit të parë ndërsa bashkëmoshatarët hidheshin në vitin e dytë. Mbetësit e viteve të para të gjimnazeve dhe profesionaleve do të japin provimet e mbetura vitin e ardhshëm. Ata duhet të mësojnë në mënyrë autodidakte, pasi nuk mund të përsërisin vitin. Gjimnazistët që rrezikojnë vitin nuk e kanë pritur aspak mirë këtë ndryshim. Për ta një vit shkëputje totale nga shkolla nuk është pak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›