E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopshtet, rregulli i ri për regjistrimin

Nëse fëmijët u janë pranuar apo jo në kopshtet publike, prindërit do ta marrin vesh vetëm më 15 shtator. 

ZIRINA LLAMBRO

Listat me emrat do të afishohen në kopshtet për të cilat është bërë aplikimi. Deri atëherë, ata nuk do të kenë asnjë dijeni nëse vendet janë plotësuar apo jo. Ky është rregulli i ri i nxjerrë nga drejtoria arsimore. Pas kaosit me radhët e gjata të regjistrimeve, është parë kjo rruga më e arsyeshme, për të shmangur situatën e rëndë. Por as kjo nuk i ka kënaqur aspak prindërit. Madje, ata hedhin dyshimet edhe për abuzime të mundshme. Dje që në orët e para të mëngjesit nëna e baballarë kishin zënë radhë pranë sportelit. Emri shënohej në një listë e më pas ishte specialistja e drejtorisë që thërriste emrat. Por duke parë që as në këtë mënyrë radhët nuk mund të shmangeshin, procedura ndryshoi tërësisht. "Nga ora 08:30 doli inspektorja dhe na mori të gjithë dosjen me dokumente dhe na thanë që më 15 shtator do të interesohemi pranë kopshtit ku duam të regjistrojmë vajzën. Atë ditë do ta marrim vesh nëse është pranuar apo jo", sqaroi njëra nga nënat, e cila ishte paraqitur në drejtorinë arsimore që në orën 07:00 të mëngjesit. Ajo pohoi se, zgjidhja e re nuk është aspak normale. "Ne nuk kemi nga ta marrim vesh, si janë zënë vendet, apo nëse kemi ndonjë mungesë në dokumentacion. Madje, këta edhe mund të fusin me mik kë të duan", tha ajo. Edhe prindër të tjerë pretendonin të njëjtën gjë. Ndërkohë sipas inspektorëve të drejtorisë arsimore, me këtë proces nuk mund të ketë abuzime. Ata pohojnë se, në rastet kur numri i vendeve plotësohet, prindërve u duhet të gjejnë një tjetër zgjidhje për fëmijët. "Rregulli për të pranuar në përputhje me kapacitetet është vendosur në mënyrë që të mos kemi mbingarkesë në kopshte", sqaruan specialistët. Sipas tyre, prindërit kanë afat deri më 10 shtator për të dorëzuar dokumentet e kërkuara. "Më pas do të bëhet listimi i fëmijëve, që do të pranohen dhe listat do t'i afishojmë në kopshte", nënvizuan ata. Dy ditë më parë nisja e regjistrimit në kopshtet publike  përfundoi në një kaos total. Të shtyra në radhë, sharje dhe përplasje me policinë, që po përpiqej të zbuste gjakrat. Me frikë se mos vendet e reja ziheshin deri në mesditë, prindërit nuk donin t'ia dinin për asgjë. Drejtoria arsimore e kishte menduar si zgjidhje, përqendrimin e regjistrimeve në një pikë të vetme, por rezultati ishte një dështim total. Sipas udhëzimit të drejtorisë arsimore, në çdo kopsht publik maksimumi i pranimeve të reja do të jetë 30 fëmijë. Por duket se kërkesa është disa herë më e lartë. Vitet e tjera në kopshte ka pasur superngarkesë, pasi drejtuesit përgjithësisht nuk i kanë thënë jo prindërve hallexhinj. Këtë vit me rregullat e reja, pranimet do të jenë aq sa është kapaciteti i kopshteve. Për këtë arsye prindërit kanë preferuar të copëtohen në radhë për të siguruar një vend. Kostoja mujore e qëndrimit të fëmijës në kopsht është 3 mijë lekë në muaj. Tek privati tarifat arrijnë deri në 20 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›