Vrasësit e Arjan Saliut, me pagesë
DURRES
Vetëm 24 orë pas atentatit mafioz që i mori jetën 37-vjeçarit, Arjan Saliu, hetuesit kanë arritur të ndërtojnë me detaje skemën e vrasjes. Në bazë të saj rezulton se viktima është qëlluar me armë zjarri automatik tip "Scorpion" nga dy persona, të cilët dyshohet se janë vrasës me pagesë. Gjithçka ka ndodhur, teksa vëllai i anëtarit të "Bandës së Durrësit", Klodian Saliut, po dilte nga makina e tij tip "Golf 5" me targë të huaj i shoqëruar nga 35-vjeçari, Denis Hoxha. Sipas hetuesve, krismat janë dëgjuar të shurdhëta, çka vërteton dyshimet se arma e krimit ka qenë e pajisur me silenciator. Vrasja që tronditi Durrësin ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e specializuara të hetimit, mes tyre dhe prokurorë të Krimeve të Rënda. Mbi 20 persona janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Durrësit, si të dyshuar për ngjarjen, shumë prej të cilëve kontingjentë, por blutë nuk zotërojnë ende prova për të çuar në pranga autorët. Shumë prej tyre i janë nënshtruar testit me natriban, për të zbuluar nëse do të gjenden gjurmë baruti në gishtërinj dhe duar. Një ndër dëshmitarët kyç të ngjarjes është dhe i plagosuri Hoxha. Ai është marrë në pyetje nga grupi i ekspertëve, por dëshmia e tij nuk bëhet e njohur për shkak të hetimit. Pas marrjes në pyetje të një numri të madh dëshmitarësh dhe kalimtarësh të rastësishëm mbrëmjen e vrasjes së 37-vjeçarit, Saliu, Prokuroria e rrethit ka bërë të mundur ndërtimin e mekanizmit të atentatit. Arjan Saliu është qëlluar me breshëri në gjoks dhe në kokë. Nga plagët janë prekur rëndë organet jetësore dhe si rrjedhojë ai ka humbur jetën me të mbërritur në urgjencë. Në bazë të skemës së vrasjes rezulton se shtetasi Denis Hoxha është plagosur në momentin që Saliu ka tentuar të futet brenda në makinë. Mësohet se gjatë qëndrimit të tij në spital, forca të policisë së Durrësit kanë garantuar ruajtjen fizike të Hoxhës. Skenari i atentatit ka qenë i përafërt me atë të vrasjes së Ndriçim Saliut, më 23 korrik të vitit 2007 në lokalin e tij në Spitallë. Burime të brendshme nga policia konfirmojnë se për eliminimin e këtij shtetasi mund të jenë përdorur edhe vrasës me pagesë. Ky fakt e ka bërë deri tani të pafuqishme policinë për identifikimin e autorit. Hetimet e policisë janë shtrirë në pistën për larje llogarish mes bandave rivale. Kjo ngjarje ka tronditur Durrësin në një kohë që policia ishte në dijeni të situatës, pasi vrasjet në familjen Saliu kanë qenë të njëpasnjëshme.
Ceremonia e varrimit
Familja Saliu ka përcjellë dje për në banesën e fundit djalin e tretë. Brenda 3 vitesh, kortezhi i të afërmve dhe miqve të saj i është drejtuar varrezave në periferi të Durrësit për t'i dhënë lamtumirën babait të dy fëmijëve, Arjan Saliut. Forca policie, me uniformë dhe civilë kanë qenë pranë familjarëve gjatë ceremonisë jo vetëm për të shmangur ndonjë incident, por dhe për shkak të hetimit për ngjarjen e rëndë. Atentati i ndodhur në mes të Durrësit pasditen e së hënës pasoi atë të një viti më parë, kur iu mor jeta vëllait të madh të Arjanit, Ndriçim Saliut dhe atë të vitit 2005, kur djali i vogël, Klodiani u ekzekutua ndërsa udhëtonte në autostradë. Tre vëllezërit do të prehen pranë njëri-tjetrit, duke lënë pas dhimbje tek familjet e tyre.
Atentati i parë
Rastësia e shpëtoi nga atentati i një viti më parë, kur mbeti i vdekur i vëllai i madh. Më 23 korrik 2007, atentatorët kishin informacion se në lokal ndodheshin dy vëllezërit Saliu. Por, Arjani doli pak minuta më parë, duke bërë që autorët t'i merrnin jetën vëllait të madh, Ndriçimit e të plagosnin një shok të tij. Organizatorët e krimit nuk e harruan këtë fakt, duke i marrë jetën 1 vit më vonë babait të dy fëmijëve.