E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Presidentin, pastaj reformat

Ilir Meta dhe kryetarja e LGI, Klajda Gjosha

Kreu i LSI-së kërkoi dje nga PS që të mos vendosë kushte për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Rrëzimi i qeverisë? Keqardhje për çdo retorikë konfliktuale

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi dje nga PS që të kontribuojë për zgjedhjen e Presidentit dhe më pas reformat. Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, Meta shprehu vullnetin e forcës që drejton për të votuar një President me sa më shumë mbështetje parlamentare.  Në këtë drejtim, disa gjëra që nuk u bënë për muaj të tërë, vështirë të bëhen për 48 orë pavarësisht nga vullneti ynë shumë pozitiv, të paktën i neve që jemi këtu, por edhe i të tjerëve të mos i paragjykojmë. Kështu që do të ishte me interes të përqendroheshim tek çështja e Presidentit, pra që ditën e mërkurë të zhvillohet një seancë serioze, e përgjegjshme dhe jo thjesht të konsumohet një votim, por të dilet me një zgjidhje dhe të vijojmë me shpejtësi me çështje të tjera dhe besoj që një zgjidhje e mirë, pozitive, e shpejtë për çështjen e Presidentit do të ndihmojë të zgjidhë dhe tri çështjet e tjera dhe shumë çështje të tjera, u shpreh Meta. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me editorialin e kreut socialist për rrëzimin e qeverisë aktuale, Meta tha se përmes deklaratave të tilla nuk mund të ndërtohet proces mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Ne shprehim keqardhje për çdo retorikë konfliktuale, sepse këto nuk janë investime pozitive për procesin që duhet të ndërtohet. Ndaj apelojmë edhe një herë tjetër që të mos kemi parasysh, që të mos synojmë krizën kur flasim për konsensuse, sepse kjo është shumë e gabuar dhe së dyti të mos shndërrohen negociatorët në korrierë. Duhet vullnet i vendosur për të shkuar drejt zgjidhjeve dhe ka zgjidhje, e theksoj edhe një herë tjetër. Zgjidhjet ndërtohen mbi parime të shëndetshme dhe mbi kritere serioze dhe pastaj edhe emra sa më të pranueshëm, të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë, tha Meta. Për kreun e LSI, situata politike, në të cilën zgjidhet Presidenti i ri i Republikës, nuk duhet të kthehet në një konflikt të ri politik. I pyetur nëse LSI nuk do të pranojë asnjë kandidaturë që vjen vetëm nga PD, Meta tha se nuk e kemi thënë dhe nuk e themi këtë gjë, se ne jemi një forcë politike pozitive. Ne nuk paragjykojmë asnjë kandidat nga asnjë forcë politike, por ne kuptojmë qartë thelbin e momentit politik në të cilin ndodhet vendi, të një momentumi pozitiv që nuk duhet kthyer në një moment konfliktual, i cili ka të bëjë me përpjekjet, në radhë të parë të maxhorancës, për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme, sa më konsensuale, sa më të besueshme për të gjithë, tha Meta.
Për kreun e LSI, Presidenti i ri duhet të marrë më shumë se votat e maxhorancës qeverisëse. Ne besojmë që detyra e të gjithëve ne si përfaqësues të forcave parlamentare është që të zgjedhim një President me shumicë më të gjerë sesa maxhoranca qeverisëse, sepse për të zgjedhur një President bazuar mbi shumicën qeverisëse është gjëja më e thjeshtë, por duhet një proces i cili jep mesazhe të rëndësishme të një pjekurie të klasës politike në vend dhe të një bashkëpunimi midis maxhorancës dhe opozitës, jo thjesht për të zgjedhur një President dhe për të përzgjedhur një emër, por për të vijuar në këtë proces të rëndësishëm të reformave, u shpreh Meta.

Kryetarja e LGI
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, përgëzoi Klajda Gjoshën për zgjedhjen e saj në krye të Lëvizjes së Gruas për Integrim. Meta e siguroi kryetaren e re të forumit të gruas se do të ketë mbështetjen e të gjitha strukturave të LSI-së për një fuqizim shumë të shpejtë, të qëndrueshëm dhe afatgjatë të LGI-së, për ta fuqizuar këtë forum, për të krijuar të gjitha hapësirat për të pasur një autonomi dhe pavarësi funksionimi sa më të gjerë, për të zhvilluar lidershipin e këtij forumi jo vetëm për çështjet me të cilat ndeshen sot gratë, vajzat dhe nënat e Shqipërisë.

Votimi
Për Ilir Metën, bisedimet që mund të bëhen sduhen të jenë më parimore, por me emra konkretë. Tani ne mendojmë që minutat dhe orët që vijnë duhet të menaxhohen në mënyrën më të përgjegjshme, më parimore, por edhe konkrete, sepse nuk do të votohen parimet ditën e mërkurë, por do të votohet edhe për emrat të cilët duhet të mishërojnë edhe parimet mbi të cilat do të ndërtohet procesi i përzgjedhjes apo i konsensusit. Ju po aprovoni dhe unë ju falënderoj, por nuk kemi ndërmend të paraqesim emra sot por mund tju them se duke vlerësuar dëshirën, angazhimin dhe të PD-së për të paraqitur emra, ne do të investohemi për procesin, tha Meta.

Alibeaj: Rama nuk do proces
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha dje se kushtet e vëna nga PS kërkojnë bllokimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Kushtëzimi i Presidentit konsensual me katër kushte që nuk kanë lidhje me këtë proces, është një përpjekje për ta shkatërruar atë, dhe këtë kreu i opozitës e bën sepse e sheh veten të pazotë për të ndikuar në këtë proces, tha Alibeaj. Mundësinë e një mocioni mosbesimi ndaj Kryeministrit Berisha, Alibeaj e cilëson si një ëndërr në diell të Ramës.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›