E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Prifti përballë 50 pyetjeve të prokurorëve

13/01/2011  Urdhërohet ekspertiza mbi vërtetësinë e videos. Në pyetje dy biznesmenët e përmendur në bisedë

Ish-ortakët, ballë për ballë para prokurorëve. Akuza formulon pyetjet e para për dy protagonistët

TIRANE-Dy protagonistët e asaj që “Fiks Fare” paraqiti si video-skandal, Zv/kryeministri Ilir Meta dhe ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, do ballafaqohen me njëri-tjetrin për të sqaruar aferat e dyshimta korruptive të bëra në zyrën e ministrit të Ekonomisë. Dy ortakët e ngushtë të LSI-së, tashmë të kthyer në armiq të betuar pritet që së shpejti të shohin në sy njëri-tjetrin, ku para një prokurori e oficeri të Policisë Gjyqësore ata do të dëshmojnë lidhur me vërtetësinë e videos të transmetuar në emisionin “Fiks-Fare”, si dhe të bisedës që është kryer mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Ballafaqimi i tyre në Prokurori konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se çështja penale e regjistruar për akuzën e “korrupsionit pasiv dhe atij aktiv” ka si dëshmitarë kryesorë vetëm dy protagonistët e kasetës filmike. Nisur nga kjo situatë, pritet që brenda këtij muaji njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës të thërrasë ministrin e Ekonomisë, Ilir Meta, dhe ish-ministrin Dritan Prifti, duke i kërkuar këtyre dy të fundit një takim ballë për ballë. Prokuroria thotë se aktualisht janë formuluar mbi 50 pyetje, të cilat do i drejtohen dy ish- ortakëve, gjatë dhënies së deklarimeve. Mësohet se lista përmban pyetje nga më të ndryshmet si: Çfarë nënkuptonte dhënia e 7 për qindëshit, Pse ministri Prifti vendosi të regjistrojë këtë bisedë, Cili është problemi që qëndron në 7 për qindëshin e premtuar nga Agim Çupi etj. Ndërkohë që këtyre pyetjeve do i japin përgjigje edhe disa persona të tjerë, që janë përmendur në videon e skandalit mes Metës dhe Dritan Priftit. Prokurorët e antikrimit ekonomik shprehen se për të sqaruar rrethanat e ngjarjes në pyetje do merren shtetasit Artur Hajdari, si dhe Agim Çupi. Ndërkohë që nuk dihet me saktësi nëse për llogari të këtij procedimi penal do japë apo jo shpjegime kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, e cila është përmendur nga Zv/kryeministri Meta gjatë bashkëbisedimit me deputetin Dritan Prifti. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës do shtrihet edhe tek anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë shpallur fitues firmën për ndërtimin e një hidrocentrali. Ata do pyeten mbi rregullueshmërinë e dokumentacionit që kanë pasur kompanitë pjesëmarrëse në tender, si dhe ofertat financiare të dhëna nga to. Për të hetuar këtë çështje, është ngritur një grup pune, në përbërje të të cilit janë prokurorë, të njësisë Task-Forcë të akuzës kryeqytetase. Si veprim të parë Prokuroria ka vendosur edhe sekuestrimin e kasetës filmike, e cila do të përdoret edhe si provë materiale. Aktualisht Prokuroria ka urdhëruar ekspertimin e saj për të përcaktuar vërtetësinë e pamjeve filmike dhe të bisedës së regjistruar. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë të ditur se ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, është marrë nën mbrojtje, pasi kishte deklaruar publikisht se kishte marrë kërcënime në telefon dhe me anë të postës elektronike, në mesin e shtatorit të vitit 2010. Vetë Prifti ka reaguar në lidhje me hetimin e prokurorëve. Në një deklaratë për shtyp ai ka konfirmuar vërtetësinë e videos, si dhe ka bërë të ditur se disponon kopjen origjinale të saj, të cilën do tia verë në dispozicion organit të akuzës.

Gjatë këtij muaji njësia Task-Forcë do thërrasë ministrin e Ekonomisë, Ilir Meta, dhe ish-ministrin, Dritan Prifti, duke i kërkuar këtyre dy të fundit një takim ballë për ballë.

Si veprim të parë Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e kasetës filmike. Aktualisht Prokuroria ka urdhëruar ekspertimin e saj për të përcaktuar vërtetësinë e pamjeve.

Prokurorët e antikrimit ekonomik shprehen se për të sqaruar rrethanat e ngjarjes në pyetje do merren shtetasit Artur Hajdari, AgimÇupi, si dhe anëtarët e Komisionit të Ofertave.

Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme

Do hetojmë deri në fund përmbajtjen e videos

Prokuroria e rrethit gjyqësor të Tiranës, pas shfaqjes së materialeve filmike të paraqitura në emisionin “Fiks Fare” në televizionin Top Chanel, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në funksion të këtij procedimi, Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, ka vendosur të sekuestrohet kaseta filmike e shfaqur në emisionin “Fiks Fare” si provë materiale. Njëkohësisht, paralelisht me këtë sekuestrim, grupi hetimor i ngritur me këtë qëllim, po kryen veprimet e nevojshme hetimore. Këto veprime do shoqërohen me sekuestrimin e dokumentacionit, si dhe të marrjes në pyetje të personave që kanë dijeni mbi ngjarjen.

Rakipi, skeptik për hetimin

Skandalin e videos, ku shfaqen duke bashkëbiseduar për një aferë korruptive Ilir Meta dhe Dritan Prifti e ka komentuar dhe ish-prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi. Rakipi ka pohuar se gjyqësori shqiptar është pjesë e sistemit të korrupsionit. Ish-prokurori është skeptik edhe për hetimin e kësaj ngjarje, duke pohuar se ska besim në rezultatet që do konstatohen. Sipas tij, organi i akuzës është pjesë e sistemit të kalbëzuar të gjyqësorit dhe se e ka të pamundur të ndëshkojë zyrtarë të lartë. Rakipi sqaron se shkarkimi i tij është kryer me nismë të Ilir Metës, pasi ndaj tij kishin nisur hetime për korrupsion.

Ministri i Ekonomisë sqaron pozicionin e tij, lë imunitetin, por jo postin në qeveri

“Përgjimi shantazh politik i Ramës. Prokuroria të më hetojë”

Albana Lika

Numri dy i qeverisë shqiptare Ilir Meta, njëkohësisht ministër i Ekonomisë, u deklarua se heq dorë nga imuniteti i zyrtarit, duke u deklaruar i hapur për tu hetuar nga Prokuroria, por jo nga posti i ministrit. Në një konference të posaçme për shtyp ai bëri një ekspoze të detajuar të asaj që sipas tij ishte e vërteta e videos së publikuar një ditë më parë nga emisioni “Fiks Fare”, regjistrim ku përgjohet biseda e tij e një viti më parë me ish-ministrin Prifti. Meta e cilësoi këtë regjistrim si shantazh të inspiruar nga kreu i PS-së, duke pranuar gjithashtu përgjimin. “Për të konkretizuar angazhimin tim si kryetar i LSI-së e deputet dhe në dobi të transparencës ndaj çdo akuze për korrupsion dhe shkelje të ligjit, ju njoftoj zyrtarisht për lënien një herë e përgjithmonë të imunitetit tim, si shprehje e vullnetit politik për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor. Lidhur me videon, ky përgjim i pështirë, si vetë organizatorët dhe trumbetuesit e tij, është kryekëput një blof i shëmtuar politik dhe moral, i cili është bërë në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar ndaj personit tim si kryetar i LSI-së, një forcë e rëndësishme dhe përcaktuese e koalicionit për integrim”, - theksoi Meta. Duke sqaruar medien për të vërtetën e çështjes, Meta nënvizoi se ai ka ndërhyrë për respektimin e ligjit dhe se kompania në fjalë, për të cilën pretendohet se ka pasur një përpjekje për tu favorizuar nga Meta, është vlerësuar duke respektuar vendimin e Gjykatës së Apelit, por është skualifikuar për arsye të kritereve ekonomike. Lidhur me shifrat e pretenduara se janë përdorur në këtë regjistrim, 700 mijë euro dhe 7%, kreu i LSI-së i ka hedhur poshtë dhe çështja, sipas, tij do të zbardhet nga Prokuroria. “Këtë sqarim duhet ta japë Prokuroria. Nuk kam asnjë sqarim për asnjë lloj interpretimi që u bëhet buzëve të mia apo buzëve të çimkës. Çdo element i këtij përgjimi të shkojë në dispozicion të Prokurorisë dhe unë jam shumë i hapur për të qenë shumë transparent, sikurse jam me ju sot këtu, me Prokurorinë dhe me çdo organ të zbatimit të ligjit”, - shpjegoi ai. Sa u takon akuzave për të ndihmuar si kryetar i LSI-së punësimin e elementëve të caktuar nga LSI-ja, Meta e cilësoi më se normale këtë ndërhyrje, duke deklaruar se “është detyra ime që të ndihmoj sa më shumë aktivistë, simpatizantë që të punësohen, dhe këtu nuk ka asnjë gjë të paligjshme dhe asgjë të pandershme”.

Dorëheqja

“Besoj se veprimet e mia janë të kristalta. Unë e kam tërhequr imunitetin sot e përgjithmonë edhe për 30-40 vjetët e ardhshëm si parlamentar. Për dorëheqjen time nga posti i ministrit unë do ta jap dorëheqjen, e kam premtuar, por më 28 qershor të 2013-s, sepse nuk mund të qëndroj në këto funksione përtej mandatit legjitim të kësaj legjislature. Kështu që të gjithë duhet të kenë durim deri më 28 qershor të vitit 2013.”

Shifra 700 mijë euro

“Çfarë është kjo? Unë nuk e di se çfarë është ajo 700 mijë euro, sepse nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që u bëhet buzëve të mia dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip dhe për gjithçka që pretendohet nga organizatorët, nga retusherët e kësaj kasete të pështirë. Unë kam kërkuar, kërkova prapë dhe do të kërkojë gjithmonë që kjo çështje të hetohet nga Prokuroria. Të jeni të sigurt se gjithçka do të zbardhet nga Prokuroria.”

Ministri i Ekonomisë ka qenë në dijeni të videos

“Kryeministrin e kam vënë në dijeni para disa javësh”

Zëvendëskryeministri Meta ka deklaruar dje se prej disa javësh e ka vënë në dijeni Kryeministrin Berisha për shantazhet që i janë bërë me këtë përgjim. “Prej disa javësh unë e kam vënë në dijeni Kryeministrin lidhur me shantazhet që më janë bërë përmes gjoja një përgjimi për të bashkëpunuar me organizatorët e gjithë kësaj historie mafioze dhe banale”, - tha Meta. Lidhur me transparencën e institucionit që ai kryeson, ai deklaroi luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, ndaj krimit. “Edhe kjo kasetë, edhe ky përgjim i shëmtuar është bërë në kushtet kur një çimkë ka menduar se në momentin që do të mund të lëvizë, për çfarëdolloj arsyesh, të bëjë një shantazh, natyrisht jo për të luftuar korrupsion, por për të mbrojtur korrupsionin dhe aferat e ndyra. Së dyti, të jeni të sigurt se kjo ministri do të bëhet një shembull i transparencës, ashtu sikurse edhe unë jam sot para jush me fakte, me dokumente dhe me vullnet të kristaltë për të bashkëpunuar me organet e ligjit, sikurse e kam bërë gjithmonë, dhe në çdo kohë. Sulme politike, lojëra politike kundër meje, por unë jam këtu për tu qëndruar me transparencë dhe me integritet këtyre sulmeve”, - deklaroi kreu i Ekonomisë.

Kreu i PS-së reagon për përgjimin

“Çifti i kusarëve Meta–Berisha karshillëk shqiptarëve”

Oli Xhilaga

Përgjimi Meta–Prifti si dhe mënyra se si u përcoll ai nga vetë drejtuesit e qeverisë u komentuan me një gjuhë mjaft të ashpër e kritike nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Kështu, në një deklaratë për shtyp Rama jo vetëm dënoi gjithçka të thënë në atë përgjim, por nga ana tjetër nuk ngurroi të jepte një panoramë të qartë të gjithë situatës, që sipas tij e ka zanafillën te vjedhja e votës dhe nëpërkëmbja e së drejtës legjitime të sovranit. “Ajo që populli pa mbrëmë u bë shumëfish më e rëndë sot duke dëgjuar Metën dhe Saliun. Sepse mbrëmë u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë”, - vuri në dukje Rama. Por duke vijuar në po këtë linjë, kreu i socialistëve nënvizoi se “sot u panë e u dëgjuan të dy bashkë kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, tu tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, por me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë”. Në gjithë deklaratën e tij Rama nuk kurseu epitetet dhe krahasimet për Metën e Berishën. “Pikërisht pse ia morën dhe duan tia marrin përsëri votat duke mos e lënë të zgjedhë, këta kusarë e matrapazë i bëjnë përditë e më shumë popullit shqiptar një karshillëk që sia kanë bërë dot as pushtuesit, duke e gënjyer, mashtruar, fyer, tallur, shkelur me këmbë si askund sot në botën ku jetojmë”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij sa i takon publikimit të vidios në emisionin “Fiks Fare”. Në vlerësimin e selisë rozë ky përgjim faktoi më tej shkallën në të cilën është kapur shteti shqiptar. “Mbrëmë u pa e u dëgjua botërisht një episod prej pak minutash lidhur me lumin e me llumin e korrupsionit të Saliut, Ilirit e Rulave të tjerë të këtij pushteti, që prej vitesh ka bërë e po bën kërdinë me HEC-et e me TEC-et, me naftën e me bregdetin, me minierat e me pronat e patundshme të shtetit, me çdo pasuri të Shqipërisë e të shqiptarëve”, - deklaroi Rama lidhur me këtë çështje.

Kreu i PS-së apel qytetarëve për largimin e Berishës

Vendimi politik, Rama mbledh Asamblenë

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi dje opinionit publik të ngrihet në lartësinë e detyrës qytetare për të larguar qeverinë “Berisha”. Një kërkesë të tillë kryetari i socialistëve e bazoi pikërisht në atë çfarë përfaqësonte përgjimi Meta–Prifti. “E di dhe e ndiej që shqiptarët presin një reagim të fortë, në lartësinë e detyrës sonë, prej nesh si partia më e madhe politike e vendit apo si koalicion opozitar. Dhe premtoj se ky reagim nuk do të mungojë. Nesër Asambleja jonë Kombëtare do të shpallë konkluzionet e vendimet përkatëse”, - u shpreh Rama. Ndërkohë burime pranë selisë rozë bënë me dije se lidershipi socialist po analizon të gjitha alternativat në të cilat mund ti bazojë qëndrimet e veta, ku nuk përjashtohet mundësia e protestave masive dhe e bojkotit ndaj institucioneve. Megjithatë, nga ana e tij Rama bëri thirrje se “më shumë se kurrë qysh se votat u vodhën për të vjedhur Shqipërinë, është koha që çdo shqiptar i arsyeshëm jo vetëm të kuptojë, por dhe të jetë në lartësinë e detyrës qytetare për të larguar një qeveri që grabit përditë, që vazhdon të provojë e të provohet se synon të vjedhë përsëri zgjedhjet për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë”.

Selia blu reagon për çështjen “Meta”

Mustafaraj: Kryetari i PD-së vlerëson vendimin për lënie imuniteti dhe hetim

Mesditën e djeshme kryeministri Berisha ka reaguar në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike, ku përmes zëdhënëses së kësaj partie Albana Mustafaraj ka shprehur mbështetjen e tij dhe vlerësimin për vendimin e kreut të LSI-së Ilir Meta. “Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vlerëson vendimin e kryetarit të LSI-së dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta për të dorëzuar imunitetin e tij parlamentar si dhe për kërkesën e menjëhershme dhe gatishmërinë e tij për tiu përgjigjur një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes nga organet kompetente. Kryeministri Berisha i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve kompetente të ndëmarrin hetim të plotë dhe të gjithanshëm për këtë çështje”, - deklaroi Mustafaraj. Në emër të kreut të selisë blu zëdhënësja shprehu gatishmërinë e qeveria “Berisha” për të krijuar të gjitha lehtësirat për hetimin e plotë të çështjes në fjalë si dhe për çdo çështje që ka të bëjë me autoritetet dhe administratën e këtij vendi. Në vijim të reagimit të tij kreu i PD-së ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste si protagonistë të kësaj çështjeje. “Zoti Berisha dhe Partia Demokratike dënojnë trukimin e neveritshëm dhe diletantesk për qëllime amorale politike të videos nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama”, - nënvizoi zëri zyrtar i PD-së. Në përfundim të deklaratës Mustafaraj shprehu besimin e plotë të kryetarit Berisha tek të gjitha organet kompetente, të cilat do të hetojnë çdo detaj të kësaj çështjeje duke bërë “që ligji të veprojë njësoj për të gjithë” dhe se është i bindur se drejtësia do të thotë në mënyrë të pavarur fjalën e saj.

Mbledhja e qeverisë, Berisha hesht për videon

Kryeministri Sali Berisha nuk ka deklaruar asgjë rreth videos së publikuar dhe që ka përfshirë zëvendësin e tij Ilir Meta në akuza për korrupsion gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Kreu i tij ka mbajtur një fjalë të gjatë rreth një orë për nisjen e projektit të dytë kombëtar të kultivimit të arrës, bajames, lajthisë, gështenjës dhe shegës, si dhe përsëriti ndërhyrjen e qeverisë së tij në shmangien e abuzimit me tarifat e telefonisë celulare dhe bankave të Shqipërisë. “Duhet të bëjmë çdo gjë që të mbjellim në 4 vjetët që vijnë së paku 30 milionë rrënjë arrorë. U bëj thirrje fermerëve shqiptarë të mbjellim sa më shumë. Qeveria do të paguajë çdo rrënjë të mbjellë. Shqipëria vlerësohet në studimet më serioze europiane si vend me potencial të madh arror dhe që mund të bëhet i rëndësishëm në prodhimin e arrorëve. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta shndërrojmë në një kulturë kombëtare jo vetëm mbjelljen e ullirit, por dhe të drurëve arrorë”, - tha kryeministri. Sa i takon çështjes së dytë, kreu i ekzekutivit kërkoi dje nga ministri i Financave përgatitjen e një pakete fiskale për rishikimin e nivelit të tatimit mbi fitimin për kompanitë e telefonisë celulare dhe bankave. “Kjo masë ndërmerret për tiu përgjigjur abuzimit të çmimeve dhe tarifave të operatorëve celularë dhe bankave ndaj qytetarit shqiptar”, - tha ai.

BE: Reagimi i zëdhënëses së komisionerit Fule

Butler: “Antikorrupsioni detyrim kryesor për anëtarësimin në BE”

Pas zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, ku u publikua videoja komprometuese, në të cilën shfaqen zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ish- ministri i METE-s Drtan Prifti, ka ardhur dje dhe reagimi i Bashkimit Europian, i cili i ka kërkuar Prokurorisë shqiptare që të veprojë për hetimin e kësaj çështjeje. Me anë të zëdhënëses së komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule BE-ja ka kërkuar që sistemi ligjor në Shqipëri të veprojë, ku në radhë të parë duhet të jetë Prokuroria ajo që duhet të nisë sa më shpejt hetimin. Në deklaratën e saj të djeshme Natasha Butler u rikujtoi shqiptarëve se suksesi në luftën kundër korrupsionit është një nga kriteret bazë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ne sapo kemi vërejtur këto zhvillime në Shqipëri dhe nuk mund të flasim specifikisht. Siç e dini, në Shqipëri ka një sistem ligjor, i cili duhet të veprojë në këto raste, nëse ato konfirmohen. Kjo është në radhë të parë për Prokurorinë, që të ndjekë në vazhdimësi informacionin e dhënë dhe të nisë hetimet. Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat më 2009-n dhe Komisioni dha opinionin e tij në nëntorin e 2010-s, në të cilin lufta kundër korrupsionit është pjesë e kriterit politik dhe në fakt përbën kriterin bazë për anëtarësimin e plotë. Siç është theksuar në 12 kriteret bazë të hartuara për Shqipërinë në opinionin më të fundit, Komisioni thekson se ka nevojë për rezultate në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet: hetim, procedim dhe dënim”, - u shpreh dje zëdhënësja e komisionerit të BE-së Fule, Natasha Butler. Gjithashtu Butler theksoi më tej se “jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera kandidate askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin”.

Deklarata e plotë e zëdhënëses së komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule

“Ne sapo e kemi parë këtë zhvillim të fundit në Shqipëri, ndaj nuk mund të komentojmë mbi të specifikisht. Siç e dini, në Shqipëri ka një sistem ligjor dhe ky sistem duhet të trajtojë, nëse kjo çështje do të konfirmohet. Së pari, i takon Prokurorisë që të ndjekë informacionet e siguruara dhe të ndërmarrë hetimet për këtë çështje. Siç e dini dhe siç Arta e tha, Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në prillin e vitit 2009 dhe Komisioni Evropian publikoi opinionin në kuadër të paketës për zgjerimin në nëntorin e vitit 2010. Natyrisht që lufta ndaj korrupsionit është pjesë e kritereve politike për anëtarësimin e plotë në BE dhe është konsideruar si një kriter kyç për anëtarësimin. Në opinionin për Shqipërinë, në një ndër 12 kërkesat e vendosura Komisioni ka kërkuar rezultate në luftën ndaj korrupsionit duke hetuar, akuzuar dhe dënuar korrupsionin e çdo niveli. Askush nuk është mbi ligjin.”

BE: Askush nuk është mbi ligjin

1. Në Shqipëri ka një sistem ligjor dhe së pari i takon Prokurorisë që të ndjekë informacionet e siguruara dhe të ndërmarrë hetimet për këtë çështje.

2. Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat dhe KE-ja publikoi opinionin në kuadër të paketës për zgjerimin, ku lufta ndaj korrupsionit është pjesë e kritereve politike për anëtarësimin e plotë në BE dhe është konsideruar si një kriter kyç për anëtarësimin.

3. Në opinionin për Shqipërinë, në një ndër 12 kërkesat e vendosura Komisioni ka kërkuar rezultate në luftën ndaj korrupsionit, të çdo niveli qoftë.

Rregullorja e Kuvendit/ Heqja e imunitetit të deputetit

Në një vend demokratik, ku asnjë person nuk është mbi ligjin, imuniteti është një barrierë që duhet hequr. Në këtë kontekst, në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë për “Heqjen e imunitetit të deputetit” parashikohet që kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

LSI, reagon nënkryetari Petrit Vasili

“Mbështesim vendimin e Metës për imunitetin”

Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, “tashmë janë vetë shqiptarët ata që panë luftën parimore të Metës, sikundër tha ai për të mirën e vendit dhe papajtueshmërinë e tij me moralin e çimkave. “Çimka dhe kryeçimka”, kështu i ka cilësuar nënkryetari Vasili në reagimin e djeshëm të LSI-së për shtyp ish-ministrin Prifti dhe kreun e selisë rozë Edi Rama. Në një konferencë të posaçme për shtyp Vasili tha se Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet vendimin e shefit të tij Meta për heqjen dorë nga imuniteti. “Këto çimka tentuan muaj të tërë që me presion të arrinin një marrëveshje me shantazh çimkash me kryetarin e LSI-së zotin Meta. Dhe kur humbën të gjitha shpresat, vollën të pëgërën e fundit, atë përgjim të neveritshëm dhe të manipuluar të pranuar dhe vetë nga çimka autor, që dje u përbuz nga të gjithë shqiptarët. LSI-ja përshëndet dhe mbështet plotësisht vendimin e zotit Meta për heqjen dorë nga imuniteti dhe besimin te drejtësia që ai demonstroi dhe i fton edhe çimkat, të gjatin dhe të shkurtrin, të bëjnë të njëjtën gjë e të lënë përrallat pa zë që u treguan dje shqiptarëve duke u përkthyer gjuhën e tyre amtare në gjuhë çimkash”, - deklaroi dje nënkryetari i LSI-së.

Dritan Prifti konfirmon vërtetësinë e videopërgjimit nga “Fiks Fare”

Prifti: E kristaltë është videoja, jo Ilir Meta

Pas konferencës për shtyp të ministrit të Ekonomisë Ilir Meta, ka reaguar dje dhe paraardhësi i tij në këtë dikaster Dritan Prifti, i cili konfirmoi dhe vërtetësinë e videopërgjimit të bërë publik, duke pranuar se ndaj tij kreu i LSI-së ka ushtruar presion. “Kam ndjekur me vëmendje dje emisionin Fiks Fare dhe sot (dje) reagimin e kristaltë të Ilir Metës, ku mohon presionin që ka bërë ndaj meje për të dhënë tendera dhe koncesione miqve të tij. Si dëshmitar i ngjarjes, konfirmoj se videoja e shfaqur në Fiks Fare është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua. Videoja është shkurtuar nga versioni origjinal, duke u hequr pjesë të panevojshme, por të gjitha ato që janë transmetuar janë të vërteta. Unë kam versionin origjinal të videos dhe do tia vë në dispozicion Prokurorisë. Do tua vë së shpejti në dispozicion të gjitha ambasadave të huaja në vend, institucioneve ndërkombëtare që na monitorojnë dhe merren me zbatimin e ligjit: OSBE-së, BE-së, Këshillit të Europës, KE-së etj, etj. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do të kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë dje për medien nga ish-ministri Dritan Prifti. Ndër të tjera ai shton se dhe kryeministri Berisha ka pasur dijeni mbi ekzistencën e videos që ditën që u regjistrua si dhe për ngjarjen në fjalë, por shefi i mazhorancës ka refuzuar ta shihte. “Unë kam informuar dhe zotin Berisha prej muajsh për këtë video dhe bisedë, atëherë kur ajo ndodhi. I ofrova atij kopje të videos dhe ai nuk pranoi ta merrte dhe shihte. Berisha duhet të zgjedhë mes vazhdimit të qeverisjes me Ilir Metën, të zhytur në llumin e korrupsionit, apo të shkarkojë atë dhe të kërkojë në Parlament një mbështetje të re”, - tha dje Dritan Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›