E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefektura e Durrësit anulon 30 tapi toke dhe 27 hektarë

14/01/2011  Kanë përfituar tokë në mënyrë të paligjshme, u hiqet. Probleme më shumë Durrësi dhe Kruja

DURRES- Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë prefekturës së Durrësit ka anuluar 30 tapi, të cilat rezultojnë të jenë dhënë në mënyrë të paligjshme. Prefekti Genci Alizoti ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar ka pasur shumë denoncime nga persona të ndryshëm lidhur me padrejtësitë për të cilat ata pretendojnë se u janë bërë në ndarjen e tokës. Komisioni ka kaluar në ballafaqim me ligjin dhjetëra ankesa dhe më pas ka dërguar në terren edhe specialistët. Këta të fundit kanë parë në komuna e në bashki pranë zyrave të kadastrave të gjithë dokumentacionin për të cilin ka pasur edhe vërejtje dhe më pas ka marrë vendim për shfuqizimin e titullit të pronësisë.

Tapitë dhe problemet

Alizoti është shprehur se në qarkun e Durrësit ka shumë probleme që lidhen me dhënien tokë në kundërshtim me ligjin 7501 të vitit 1991 “Për tokën”. “Për rastet e shfuqizimit të të drejtës së pronës është vënë re se përfituesit e kanë marrë atë sipërfaqe toke në mënyrë abuzive”,-ka pohuar prefekti Alizoti. Kjo ka detyruar Komisionin e Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë prefekturës së Durrësit të ndëshkojë 30 përfitues të paligjshëm. Komisionet e ndarjes së tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave në jo pak raste kanë vepruar ndryshe nga çfarë ka parashikuar ligji “Për tokën”, duke u dhënë tokë edhe personave që nuk parashikohen në ligj, ose duke shpërndarë diku me shumë e diku më pak toke për frymë. Prefektura ka bërë të ditur se jo të gjitha komisionet e ndarjes së tokës kanë raste të tilla, ndërkohë që fenomeni ka prekur Durrësin, Krujën dhe më pak në njësitë të tjera. Alizoti ka bërë të ditur se 30 tituj pronësie janë zhvlerësuar dhe asnjë nga përfituesit e paligjshëm nuk ka reaguar. “Në rast se përfituesit e padrejtë apelojnë për të kundërshtuar vendimin e Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë atëherë ne dosjen e kalojmë për organet e gjyqësorit për të vërtetuar zbatueshmërinë e ligjit nga ana jonë”,-ka thënë prefekti. Nga këto 30 dosje kanë kaluar në dispozicion të organit të përmbarimit 27 ha tokë, e cila do të lirohet gradualisht nga personat që e kanë shfrytëzuar për një kohë të gjatë. Dy parcela i janë hequr personave që i kishin në përdorim prej vitesh në Krujë dhe tashmë kjo tokë i ka kaluar përmbarimit. Komisioni pranë prefekturës vijon të mbledhë të dhëna dhe deklarime nga fermerë të cenuar në mënyrë të padrejtë. Alizoti ka bërë të qartë se një pjesë e ankesave kërkojnë kohë deri në zbardhjen e një vendimi, pasi është ndërhyrë në kadastra duke kryer veprime abuzive, të cilat kërkojnë edhe hetime nga organet e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›