Maxhoranca miraton e vetme privatizimin e operatorit të katërt celular
Maxhoranca ka miratuar e vetme gjatë seancës së djeshme parlamentare dhënien e licencës për operatorin e katërt celular në tregun shqiptar. Projektligji, i kundërshtuar me forcë nga opozita, por dhe i rrëzuar nga Enti Rregullator, mori dje në seancë parlamentare 74 vota pro. Miratimi i këtij projektligji i jep të drejtën e përdorimit, pa tender, për 15 vjet të frekuencave kompanisë së Postë-Telekomit të Kosovës.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leksaj, e cilësoi skandaloz miratimin e njëanshëm të një vendimi. Sipas saj, Kuvendi ka shkelur procedurat parlamentare duke mbledhur Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese pa e parashikuar në kalendar, si dhe pa praninë e opozitës. “Që një vendim i rëndësishëm të merret në një komision duhet të jetë e pranishme edhe opozita. Miratimi jashtë kalendarit të rregullores është marrë me ndërgjegje. Shfrytëzuan rastin që opozita nuk mori pjesë në komisionet parlamentare për çështjen e kartave të identitetit. Vendimi për operatorin e 4-t është një veprim skandaloz”, - tha Leskaj.
Por, kryeministri Sali Berisha mbrojti dhënien e licencës pa tender për operatorin e 4-t dhe iu përgjigj akuzave për skandal me akuza ndaj kreut të PS-së. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend kreu i qeverisë mohoi të jenë bërë lëshime për kompaninë së cilës iu besua licenca e operatorit të katërt celular në vend. Me nota të ashpra Berisha akuzoi kryetarin e socialistëve se ngre zërin kundrejt çdo koncesioni që është dhënë në vend duke e quajtur këtë veprim të rrezikshëm. “Unë do t’u them shqiptarëve një gjë. Pati përpjekje të papranueshme për të marrë licencën. Zoti Rama, qeveria nuk është si Bashkia, që jep leje për miqtë dhe veten. Unë them se këta zotërinj janë shumë të rrezikshëm, flasin për rimbursim dhe sulmojnë koncesionet”,- tha Berisha.
24 Prill 2009