E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi, si të zgjedhim partinë

Në zgjedhjet për Kuvendin, në qendrën e votimit vendoset vetëm një kuti votimi. Fleta e votimit përmban siglat dhe emrat e koalicioneve që garojnë për në zgjedhje dhe partive që bëjnë pjesë. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit, shënon në krah të emrit të partisë a koalicionit shenjën "x" ose "+" apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Votuesi ka mundësinë të zgjedhë një subjekt politik të shënuar në fletën e votimit. Vota e dhënë për këtë subjekt është automatikisht votë edhe për koalicionin ku bën pjesë ky subjekt politik. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi pasi del nga dhoma e fshehtë e hedh fletën e votimit në kutitë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit. Sakaq, sfida elektorale mes partive politike po shndërrohet dalëngadalë në garë numrash. Pozicioni i subjekteve zgjedhore në fletën e votimit është bërë objekt i spoteve publicitare dhe posterave të afishuara në çdo kënd rruge. Në modelin zyrtar të fletës së votimit, të miratuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i parë është pozicionuar ai i "Aleancës për Ndryshim". Subjekti që kryeson fletën e votimit është Aleanca Demokratike e Neritan Cekës (PAD) që mban numrin një. Pas saj, brenda koalicionit demokrat, vijnë subjektet e tjera; Bashkimi Liberal Demokrat i Arian Starovës ka numrin dy; Lidhja Demokristiane Shqiptare e Nikollë Lesit ka numrin tre; Partia Agrare Ambientaliste e Shqipëria mban numrin katër; Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian ka numrin pesë. Më tej në fletën e votimit, qytetarët do të mund të shohin në numrin gjashtë Partinë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet; Partia Balli Kombëtar mban pozicionin e shtatë; Partia Balli Kombëtar Demokrat përkon me numrin tetë; Partia Demokracia e Re Evropiane ka numrin nëntë. Partia Demokratike, forca kryesuese e koalicionit të së djathtës ka numrin 10 në fletën e votimit. Pas saj vjen Partia e të Drejtave të Mohuara e Re që mban numrin 11; Partia Forca Albania ka numrin 12; Partia Lëvizja e Legalitetit mban numrin 13; Partia Ora e Shqipërisë e Zef Shtrefnit ka numrin 14. Dy partitë që mbyllin listën e koalicionit "Aleanca për Ndryshim", në fletën e votimit janë Partia për Drejtësi dhe Integrim që përkon me numrin 15 dhe Partia Republikane Shqiptare që ka numrin 16. Pas koalicionit kryesor të së djathtës, vjen grupimi politik "Poli i Lirisë". Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit mban numrin 17 në fletën e votimit; Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar ka numrin 18; Partia Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nard Ndokën mban numrin 19; Partia e Reformave Demokratike Shqiptare ka numrin 20. Në pozicionin e 21 është rreshtuar Partia Konservatore Shqiptare dhe në atë të 22 ndodhet Partia Rruga e Lirisë. Grupimi i tretë politik që radhitet në fletën e votimit është "Aleanca Socialiste për Integrim". Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut ka numrin 23; Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës mban numrin 24; Partia e Gjelbër është pozicionuar në vendin e 25. Brenda këtij koalicioni ndodhen edhe tri parti të tjera; Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve që është pozicionuar në vendin e 26-të. Ata që do të duan të votojnë për Partinë Socialiste e Vërtetë 91 e gjejnë në fletën e votimit me numrin 27. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë mban numrin 28. Koalicioni i fundit që është radhitur në fletën e votimit është "Bashkimi për Ndryshim". Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mban numrin 29; Partia Demokracia Sociale ka numrin 30; Partia G99 është radhitur në vendin e 31 e ndjekur nga Partia Socialdemokrate në të 32-in. Partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste mban vendin e 33 në fletën e votimit. Zgjedhësit në ditën e votimit, do të shohin se Partia Ligj dhe Drejtësi e drejtuar nga Spartak Ngjela mbyll fletën e votimit duke qenë në pozicionin e 34.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›