E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Projektbuxheti, asnjë lajm të mirë për bujqësinë

LSI-ja shpreh shqetësimin mbi faktin se Berisha vazhdon të përdorë fondet publike për interesat e tij personale apo politike. Kryetari Ilir Meta tha dje se në projektbuxhet nuk vërehen rritje të të ardhurave, por rritje të shpenzimeve, duke ndikuar te deficiti buxhetor, i cili në 2009-ën rrezikon të arrijë në 5,3%. Ndërkohë, për sa u takon sektorëve të ekonomisë, Meta e vendosi theksin më tepër mbi bujqësinë, me anë të së cilës jeton më shumë se gjysma e popullsisë. "Projektbuxheti 2009 nuk jep asnjë lajm të mirë për bujqësinë. Nuk ka aspak rritje fondesh për infrastrukturën bujqësore, ndërsa arsimi dhe shëndetësia shihen si prioritet për rritjen e pagave", tha kreu i LSI-së. Duke u ndalur tek organet e fiskut, Meta tha se "shteti edhe gjatë 2009-ës parashikon një sistem të centralizuar dhune të organeve tatimore mbi tatim-paguesit. Do të vazhdojë parapagimi i dhunshëm i tatim-fitimit, referencat e dhunshme të pagave dhe numrit të punonjësve, dhe favoret selektive për bizneset që punojnë dhe janë pranë qeverisë". LSI pritet të bëjë propozimet e veta për të ndryshuar projekt-buxhetin e qeverisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›