E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Prokuroria standarde të dyfishta, s'ka më gjyqe politike

TIRANË-Një ditë pas dhënies se pretencës së Prokurorisë për video-përgjimin e Dritan Priftit ka reaguar ish-kryeministrit Ilir Meta.
Gjatë një prononcimi për mediat në qytetin e Shkodrës, ku ishte i pranishëm për një vizitë pune, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, Meta u shpreh i zhgënyer nga pretenca 2 vjet burg dhe 1 milionë lek gjobë e Prokurorisë. Meta akuzoi organin e akuzës se ka dhënë një pretencë politike të pabazuar në prova.
“Kjo cështje është e qartë si disa cështje të tjera, si cështje e standarteve të dyfishta për qëllime politike të prokurorisë ka qenë një pretencë e mbështetur në asnjë fakt, në asnjë provë, në asnjë dëshmmitar. Një pretencë vetëm politike. Zbythja e prokurorisë ka qenë e konsiderueshme, nga Janari vjen dënim me vdekje, tani dënim me 2 vjet burg me disa miliona lekë se ata nuk rrinë dot pa venë gjoba”.

“Për mua e rëndësishme si qytetar dhe si politikan mbetet forcimi i shtetit, ligjit, institucioneve dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo është arsyeja që unë në momentin kur jam akuzuar, pas një komploti dhe një montazhi të qartë televiziv për qëllime krejtësisht politike, në emër të këtyre qëllimeve kam dhënë dorëheqjen nga postet qeveritare, e kam konsideruar veten pa imunitet dhe kam shkuar vetë i pari në Prokurori për të bashkëpunuar në respekt të ligjit dhe të së vërtetës. Do të vazhdoj të mbetem një qytetar i përgjegjshëm dhe një njeri i ligjit, i institucioneve dhe i shtetit", vijoi më tej kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Kreu i LSI më tej theksoi se do të zbatojë shtetin ligjor pasi ka ende besim tek drejtësia dhe se do ta fitojë këtë betejë.

Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi te premten Gjykatës së Lartë të dënojë me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë Ilir Metën, ish-zvkryeministrin e akuzuar për korrupsion. Sipas Prokurorisë, Ilir Meta duhet të deklarohet fajtor për "korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë", akuzë e ngritur ndaj tij pas publikimit të një video-përgjimi mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti.

Gjykata e Lartë do të japë vendimin rreth cështjes më 16 Janar.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Meta për video-përgjimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›