E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Proporcionali do zgjidhë barazinë gjinore

• "Reforma Zgjedhore mund të zgjidhë problemin e një përfaqësimi më të gjerë të gruas në parlamentin e ardhshëm.LSI është e angazhuar të pranojë dhe të promovojë sistemin e proporcionalit të pastër, pasi vetëm përmes këtij sistemi mund të garantohet barazia gjinore", u shpreh dje, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në fjalën e mbajtur në tryezën e organizuar në Tiranë nga Instituti Demokratik Amerikan, në qendër të së cilit ishte promovimi dhe rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në vendimmarrje në përgjithësi, Meta theksoi si një moment shumë të rëndësishëm rritjen dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së gruas në politikë, si një hap vendimtar në demokratizimin e vendit dhe në procesin e integrimit. "LSI është e angazhuar të pranojë dhe të promovojë sistemin e proporcionalit të pastër, pasi vetëm përmes këtij sistemi mund të garantohet barazia gjinore në Kuvendin e Shqipërisë. Në rast se do të arrijmë të vendosim një sistem të pastër proporcional, ne do të garantojmë një përfaqësim të barabartë gjinor, 50 me 50 për qind", tha Meta. Sipas tij, vetëm një balancim gjinor në parlament, mund të imponojë një pjesëmarrje sa më të madhe të grave në të gjithë organet vendimmarrëse politike, qeverisëse dhe shtetërore në përgjithësi. Kryetari i LSI-së, ishte i vetmi ndër kryetarët e partive politike të ftuar në aktivitetin e NDI-së, që e vlerësuan dhe iu përgjigjën pozitivisht ftesës për të folur mbi temën e aktivitetit, për pjesëmarrjen e gjerë të gruas në politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›