PDK feston 16 vjetorin e krijimit
• Partia Demokristiane ka festuar dje në ambientet e "Sheraton" 16- vjetorin e krijimit të saj.Në këtë ceremoni, e cila ka bashkuar edhe njëherë tjetër pozitën dhe opozitën, kryetari i PDK-së, njëherësh ministër i Shëndetësisë në kabinetin qeveritar, theksoi se "pjesëmarrjen e demokristianëve në koalicionin e djathtë qeverisës, ne e shohim si një vendim të natyrshëm të PDK-së, e cila ndan vlera të përbashkëta me partitë qeverisëse, vlera të përbashkëta programore për qeverisjen e vendit, ekonominë e tregut, si dhe përpjekjet e përbashkëta në integrimin e vendit në BE e NATO". Në festën e PDK-së, nuk kanë munguar përfaqësuesit e partive të majta, Leskaj e Dokle nga PS-ja, Legisi e Haxhinasto nga LSI-ja dhe Gjinushi e Bejtaj nga PSD-ja. Ndërkohë, të pranishëm kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e koalicionit të djathtë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha nënvizoi, se "PDK ka ruajtur tiparet e saj në të gjitha rrethanat, duke mbetur një parti dialogu, parti e hapur, parti e konstruktivitetit". Ai siguroi, se "në aleancë me PDK-në dhe partitë e tjera, Qeveria do të vazhdojë me përkushtim të madh reformat që kanë synim integrimin evropian dhe euroatlantik të vendit". PDK përfaqësohet me një ministër në kabinetin qeverisës, ku kryetari i saj, Nard Ndoka, mban postin e Ministrit të Shëndetësisë.