PS, 5 interpelanca me Berishën
• Socialistët depozituan dje në Kuvend edhe dy kërkesa të reja për interpelancë me kryeministrin Berisha.Aristir LumeziNënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, akuzoi dje kryeministrin Berisha se i fshihet interpelancave të kërkuara nga opozita për çështje me interes të madh publik. "Sot për shkak edhe të emergjencave që janë krijuar, do të depozitojmë brenda afateve që parashikon rregullorja, seancë interpelance urgjente me kryeministrin për pensionet e ish-ushtarakëve dhe e dyta, seancë pyetjesh urgjente, po me kryeministrin, për situatën e krijuar në qendrën kombëtare të traumës, për shkak të vendimmarrjes së qeverisë", tha Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, kërkoi nga kryeministri t'i përgjigjet interpelancave që deputetët socialistë sipas rregullores së Kuvendit kanë kërkuar. "Në parlament kanë mbetur pa u realizuar tri interpelanca me kryeministrin Berisha. U bë tre muaj që kryeministri nuk përgjigjet në parlament. Që do të thotë, që ne kërkojmë me ngulm që të tria interpelancat të realizohen. E para për korrupsionin, shumë e rëndësishme, sidomos pas raportit publik të publikuar nga TI, për ta detyruar kryeministrin që të flasë më në fund, është fshehur, ka 7 ditë që rri i fshehur dhe nuk flet për këtë çështje. Ne duam që ai të vijë dhe të flasë për korrupsionin në parlament, për atë interpelancë që ne i kemi kërkuar. Së dyti, për pensionet dhe së treti për kartat e identitetit që janë probleme madhore. Këto të tria i duam të realizohen brenda këtij viti", tha Braçe. Socialistët, të cilët ende nuk kanë marrë përgjigje nga kryeministri për kërkesat e tyre, dje kërkuan edhe dy interpelanca të reja me Berishën për shkak të zhvillimeve të fundit, që kanë të bëjnë me pensionin e ish-ushtarakëve dhe vendimin e qeverisë për repartin e traumës në Spitalin Ushtarak. "Seancë interpelance urgjente me kryeministrin për pensionet e ish-ushtarakëve dhe e dyta seancë pyetjesh urgjente, po me kryeministrin, për situatën e krijuar në qendrën kombëtare të traumës, për shkak të vendimmarrjes së qeverisë", tha Braçe.Sipas tij, "përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes duhet të kuptojnë që nuk është pronar i qendrës së traumës". "Po ju them edhe njëherë tjetër që zotëria duhet të kuptojë që duhet të ulet në tavolinë me mjekët e Spitalit Ushtarak, të diskutojë me ta sesi duhet të rregullohet qendra e traumës, sesi duhet të fitojë një status tjetër jashtë varësisë së korruptuar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sesi duhet të financohet qendra e traumës me një buxhet më vete. 60% e shërbimeve shëndetësore që kryhen sot në Shqipëri kryhen në qendrën e traumës. Për këtë arsye ajo nuk mund të jetë më pronësi e Ministrisë së Mbrojtjes. Qendra e traumës i shërben të gjithëve, sidomos atyre që aksidentohen përditë në rrugë", tha Braçe.Interpelancat e socialistëve me Berishën Për korrupsionin Për Pensionet Për Kartat e identitetit Urgjentisht sot Për pensionet e ish-ushtarakëve Për vendimin e qeverisë për repartin e Traumës