Mustafaj: Duhet kompromis politik
Ish-ministri i Jashtëm shqiptar dhe politikani i njohur shqiptar, Besnik Mustafaj, ka deklaruar se zgjidhja e vetme për qetësimin e konfliktit të krijuar në vend është një kompromis mes Berishës dhe Ramës. Gjatë një interviste të dhënë për "Ora News", Mustafaj nuk e ka pritur mirë acarimin e fjalorit politik të kreut të qeverisë shqiptare. Sipas Mustafajt, Berisha është në një rol komod dhe nuk duhet të vendoset në nivelin e Ramës, i cili ka humbur zgjidhet. Ish-shefi i diplomacisë shqiptare ka kritikuar zërat brenda mazhorancës, që flasin për zëvendësimin e deputetëve të Partisë Socialiste, nëse ata nuk paraqiten në Kuvend brenda 6-muajsh. Duke e analizuar këtë situatë, Mustafaj theksoi se "muaji shkurt do të jetë një provë e rëndësishme për Partinë Demokratike". Ish-deputeti i së djathtës, i cili u largua nga politika aktive në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit, ka kritikuar liderin e opozitës, Edi Rama, për kundërshtimin e rezultateve të zgjedhjeve. Por duke e aktualizuar edhe më reagimin e mazhorancës, Mustafaj deklaroi se nuk është i justifikuar qëndrimi i Berishës, pasi sipas tij ai nuk ka arsye pse të bjerë në një nivel me krerët e opozitës. Ndërkaq, pyetjes se cila do të ishte zgjidhja e situatës, Mustafaj deklaroi se "një kompromis politik mund ta ndalte konfliktin". Politikani veteran që ka marrë pjesë në themelimin e Partisë Demokratike e ka cilësuar një dështim të klasës politike aktuale paaftësinë e saj për të prodhuar paqe e frymë kompromisi. Në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, Mustafaj kërkoi zbatimin e kushteve të kërkuara nga Brukseli, të cilat sipas ish-ministrit të Jashtëm janë më shumë kushte teknike, sesa juridike. Ndërsa për zgjedhjet e pritshme brenda PD-së, Mustafaj theksoi se këto zgjedhje do të sjellin në krye të selisë blu ata njerëz që i do Berisha dhe që e kanë përkrahur kryetarin.
Y.P.
Y.P.