Meta: Qeveria të shpëtojë biznesin fason nga falimentimi
Vëmendja e LSI-së është drejtuar dje për nga kriza ekonomike, duke i kërkuar qeverisë të jetë më e kujdesshme dhe të gjejë mënyra për të shpëtuar bizneset nga falimentimi. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në panairin e bizneseve fason, dëgjoi më nga afër shqetësimet e tyre. Meta theksoi se është koha për të ndihmuar bizneset dhe industrinë e fasonëve në Shqipëri, që të mos dëmtohen më tej as nga kriza në vendet evropiane, por as nga efektet e krizës në vendin tonë. Meta i kërkoi qeverisë të forcojë jo vetëm dialogun me industrinë e fasoneve në vendin tonë, por të marrë një sërë masash, të cilat në radhë të parë lehtësojnë çështjen e sigurimeve shoqërore, që të mos shkurtohet asnjë vend pune, por të krijohen lehtësira për të shtuar vende të reja pune në këto lloj biznesesh. Sipas tij, është e domosdoshme që rimbursimi i TVSH-së të realizohet në kohë, për të mos i vënë në vështirësi këto biznese, për të realizuar të gjitha shpenzimet e tyre të domosdoshme për të garantuar mbijetesën dhe suksesin e tyre. "Është shumë e rëndësishme që qeveria, së bashku me Bankën e Shqipërisë, të negociojë me bankat e nivelit të dytë, për të ristrukturuar kreditë që këto biznese kanë te bankat, në mënyrë që të funksionojnë pa pasur stresin, rrezikun e dështimit apo aq më keq të falimentimit", u shpreh kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Më tej, ai gjeti rastin të falënderojë fasonët për punën e bërë, pasi ofrojnë prodhime të standardeve evropiane, të cilat ekspozohen në tregjet më të njohura dhe më konkurruese evropiane. "Mendoj se të gjithë duhet t‘u jemi mirënjohës këtyre sipërmarrësve të aftë, të talentuar që punësojnë me dhjetëra-mijëra shqiptare dhe shqiptarë dhe në këtë periudhë krize", u shpreh Meta. Ai shtoi më tej se është një domosdoshmëri që qeveria të veprojë shpejt për të lehtësuar klimën e këtyre bizneseve dhe për t‘ju ofruar siguri të gjithë atyre që janë të punësuar për momentin në to.