Minxhozi: Në Veri mungon prej një jave energjia
Partia Socialiste ngriti sërish dje shqetësimin e furnizimit të vendit me energji elektrike. Sipas PS-së, ky problem bëhet gjithnjë e më i rëndë në fshatrat e thella të vendit. Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, deklaroi në një konferencë për shtyp se është e vështirë të gjesh një zonë në Veri të vendit që të mos ketë pasur stakim të energjisë elektrike, duke lënë kështu mijëra banorë në errësirë. Sipas Minxhozit, megjithëse situata e motit është stabilizuar, ka ende fshatra që nuk kanë energji. Ai solli shembuj konkretë nga zona e tij, duke theksuar se "fshati Gjalsh është vetëm 25 kilometra larg Burrelit dhe prej një jave, nuk ka energji. Edhe sot që flasim, gjendja është e njëjtë. Aty nuk banojnë 10 apo 20 vetë, por rreth 500 banorë. E njëjta situatë ka qenë deri para dy ditësh në fshatin Xibër Murrizë, ku rreth 800 banorë kanë jetuar në ferr për një javë. Bllokimi nga dëbora për dhjetë ditë, si dhe mungesa e stërzgjatur e energjisë, ka bërë që njerëzit të jenë të izoluar nga gjithçka". Duke kritikuar KESH-in për punën e keqe që ka bërë, Minxhozi tha se u fol shumë gjatë verës së kaluar se po bëhen remonte të linjave, por kjo ka qenë thjesht një mashtrim. Sipas tij, çdo verë premtohet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike dhe kur vjen dimri, premtimet e verës janë fashitur. "Çdo dimër premtohet se në verë do ketë furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, e vera vjen dhe e njëjta situatë. Shqipëria renditet e fundit në rajonin e Ballkanit për furnizim të popullatës me energji", u shpreh Minxhozi.