E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, kur u mbulohet transporti nga shteti

• Transporti i mësuesve dhe nxënësve që punojnë dhe jetojnë jashtë vendbanimit të tyre do të mbulohen nga shteti vetëm për distanca të caktuara.

Qeveria mori dje vendimin e ri, i cili saktëson edhe format e përdorimit të fondeve buxhetore për kryerjen e shërbimit të transporteve për këto kategori. Kështu shpenzimet e transportit të mësuesve që punojnë larg vendbanimeve në distancë mbi 4 km dhe kthehen brenda ditës, të mbulohen nga fondet e buxhetit të shtetit. E njëjta gjë vlen edhe për nxënësit që ndjekin arsimin e detyrueshëm larg vendbanimit në distancë mbi 2 km. Shërbimi i transportit të mësuesve dhe nxënësve kryhet vetëm në rastet e linjave interurbane. Sipas Ministrisë së Arsimit që ka propozuar ndryshimet, me anë të këtij vendimi do të saktësohet raportimi për lëvizjen e mësuesve dhe nxënësve, do të eliminohet rritja fiktive e numrit të nxënësve si dhe paraqitja e lejeve të banimit të pavërteta për mësuesit. Praktika këto të ndjekura më parë që kanë çuar në një sërë abuzimesh. Sakaq me anë të ndryshimeve të mësipërme do të zvogëlohet gjithashtu edhe volumi i dokumentacionit që përpilojnë drejtoritë arsimore për likuidimin e shpenzimeve të transportit të mësuesve dhe nxënësve. Një tjetër efektivitet që do të rrjedhë prej tij, sipas ministrisë, është edhe rritja e përgjegjësisë së drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore për emërimet e mësuesve në drejtime të kundërta lëvizjeje. "Sa është përcaktuar në vendim, është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nëpërmjet tij synohet krijimi i kushteve optimale për menaxhimin sa më efektiv të fondeve buxhetore për transportin e mësuesve dhe nxënësve që punojnë e mësojnë jashtë vendbanimit të tyre", thuhet në relacionin që mban firmën e ministrit Genc Pollo. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i MASH-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›