E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetë, qeveria favorizon ortodoksët

• Shteti favorizon Kishën Orthodokse në kthimin e pronave dhe kryerjen e riteve fetare në Shqipëri.

ADI SHKEMBI

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ministri i Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango, ka paraqitur për miratim tre marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kishës Orthodokse Autoqefale dhe Komunitetit Mysliman lidhur me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shtetit me këto tre komunitete. Gazeta boton ndryshimet, në tre marrëveshjet, përsa i përket nenit 9 për afatin dhe territorin e veprimtarisë së këtyre komuniteteve dhe nenit 22 për të drejtën e pronës.
Kthimi i pronave
Kisha Orthodokse Autoqefale do të jetë e vetmja, që do të përfitojë kthim 100% të pronave të saj. "Shteti do të kthejë të gjitha pronat, pasuritë, objektet dhe sendet e kultit, arkivat etj., të konfiskuara nga regjimi komunist dhe do të asistojë në riregjistrimin e tyre në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive", thuhet në nenin 22 të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Kishës Orthodokse. Ndërkohë në po të njëjtin nen të marrëveshjes me komunitetin Mysliman thuhet se "në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e komunitetit Mysliman të Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta". Si në marrëveshjen me komunitetin Mysliman dhe në atë me Kryegjyshatën Bektashiane veç termit 'kthim të pronave' është edhe termi 'kompensim'. Më konkretisht, sipas marrëveshjes me Kishën Ortodokse, kjo kishë do të marrë të gjitha pronat ku kanë qenë të ndërtuara kisha ose pronat, të cilat janë nën pronësi të saj, ndërkohë që kryegjyshata bektashiane dhe komuniteti mysliman do të kompensohen për ato prona të cilat nuk do t'i marrin. Një gjë e tillë do të funksionojë edhe për sheshin para parlamentit, e cila është pronë e komunitetit mysliman, por që ky komunitet nuk mund ta marrë për shkak të vendosjes në atë tokë të godinës së Parlamentit.
Krerët e komuniteteve
Në nenin 9, të të tria marrëveshjeve përcaktohen afatet dhe territori i veprimtarisë së këtyre komuniteteve fetare. Në paragrafin e dytë të këtij dokumenti të propozuar nga ministri Pango për kryegjyshatën botërore sanksionohet se ky komunitet pranon që, shërbesat fetare t'i ketë në shqip. Madje jo vetëm kaq, por edhe kreun e komunitetit ta ketë me kombësi shqiptare dhe me moral atdhedashës. "Kryegjyshata Botërore Bektashiane pranon detyrimin e rregulluar me statusin e saj dhe rregulloren e brendshme që, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, shërbesat fetare të kryhen në gjuhën shqipe, si dhe titullarët e zgjedhur për drejtimin e bashkësisë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të jenë me kombësi shqiptare dhe me moral atdhedashës", thuhet në marrëveshjen me bektashianët. Ndërkohë ky paragraf mungon si në marrëveshjen me Kishën Orthodoske ashtu edhe në atë me komunitetin mysliman. I vetmi paragraf i këtij neni në marrëveshjen me kishën orthodokse është "Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe personat juridikë të krijuar prej saj, mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre me afat të pakufizuar, në një pjesë ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përzgjedhjes së vetë Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë". Në këtë mënyrë, marrëveshja nuk e kushtëzon kishën ortodo-kse, që të ndryshojë kreun e kësaj bashkësie. Prej vitesh kryepeshkopi Janullatos ka bërë kërkesë pranë presidencës për marrjen e shtetësisë shqiptare, kër-kesë e cila ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

ndryshimet ne tre marreveshjet

Neni 9/ Afati dhe territori i veprimtarisë
për Kishën Orthodokse
Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe personat juridikë të krijuar prej saj, mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre me afat të pakufizuar, në një pjesë ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përzgjedhjes së vetë Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Për Kryegjyshatën Bektashiane
Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe personat juridikë të krijuar prej saj, mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre me afat të pakufizuar, në një pjesë ose në të gjithë territorin, si dhe për ushtrimin e lirisë së besimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, sipas përzgjedhjes së vetë Bashkësisë.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane pranon detyrimin e rregulluar me Statusin e saj dhe rregulloren e brendshme që, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, shërbesat fetare të kryhen në gjuhën shqipe, si dhe titullarët e zgjedhur për drejtimin e bashkësisë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të jenë me kombësi shqiptare dhe me moral atdhedashës.
Për Komunitetin Mysliman
Personat juridikë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre me afat të pakufizuar, në një pjesë ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përzgjedhjes së vetë Komunitetit.

Neni 22/ E drejta e pronës
Për Kishën Orthodokse
1. Shteti i njeh Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme.
2. Shteti do t'i kthejë pronat Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit dhe manastiret e shenjtë, sepse për shkak të karakterit të veçantë kishtar dhe vlerave të sipërpërmendura, janë të pakompensueshme.
3. Shteti do të kthejë të gjitha pronat, pasuritë, objektet dhe sendet e kultit, arkivat etj., të konfiskuara nga regjimi komunist dhe do të asistojë në riregjistrimin e tyre në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive.
Për Kryegjyshatën Bektashiane
1. Shteti i njeh Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme.
2. Shteti trajton me përparësi kërkesat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta, si dhe për kryerjen e legalizimeve dhe dhënien e lejeve të shfrytëzimit në se është rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Shteti shqiptar merr në mbrojtje pasurinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Për Komunitetin Mysliman
1. Shteti i njeh Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të drejtën  e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme, me të gjithë elementët përbërës të saj. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rinjihet pas kësaj marrëveshje si trashëgimtar i pronave përkatëse të tij.
2. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta.

Pronat e komuniteteve,Alibeaj kundër Pangos
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka rreshtuar një sërë vërejtjesh për tre projektmarrëveshjet që ka dërguar ministri i Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango, për mendime në ministritë e linjës. Vërejtjet më të mëdha të Alibeajt janë pikërisht për nenin 22 të projektmarrëveshjeve, që ka të bëjnë me pronat e komuniteteve fetare. Sipas Alibeajt "për sa i takon nenit 23 (në marrëveshje neni 22), shprehim rezervën tonë lidhur me njohjen nga shteti të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si trashëgimtar ligjor të pronave 'përkatëse', në kushtet që situata përsa i takon kësaj çështje është shumë e paqartë. Nuk sqarohet as në relacionin shoqërues, për çfarë dhe pronat e kujt bëhet fjalë, përse shteti duhet të njohë si trashëgimtar të vetëm Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe jo një person juridik, që praktikon të njëjtën fe", thuhet në përgjigjen e kthyer nga ministri Alibeaj. Sipas tij, nëse bëhet fjalë për pasuri, pronësia e të cilave është e provueshme në bazë të dokumentacionit që ky person juridik disponon, nuk ka asnjë pengesë juridike për Komunitetin që të mos i njihet dhe kthehet, ose sipas rastit t'i kompensohet prona. Gjithashtu Alibeaj kundërshton në marrëveshje edhe pikën ku thuhet se, kthimi dhe kompensimi i pronave të Komunitetit Mysliman duhet bërë me përparësi. "Përsa i takon trajtimit me përparësi të kërkesave të depozituara pranë Komunitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk parashtrohen arsyet, se përse duhet bërë një trajtim i tillë diskriminues përkundrejt të gjitha subjekteve të tjera të ligjit të vitit 2004", thuhet më tej në përgjigjen e Alibeajt. Njëkohësisht ministri kërkon që në marrëveshjen me kishën Orthodokse, të gjitha objektet ku kisha pretendon pronësinë, pretendimet e saj të trajtohen sipas ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave".

Pango: Pronat e komuniteteve, qëndrim politik

Në relacionin që shoqëron tre marrëveshjet mes Shqipërisë dhe këtyre komuniteteve fetare, thuhet se trajtimi i kthimit dhe kompensimit të tyre me përparësi është qëndrim politik. "Nga Ministria e Drejtësisë nuk është reflektuar gjithashtu, edhe pika 2 e nenit 22 të marrëveshjes, lidhur me trajtimin me përparësi të kërkesave të pronësisë të paraqitura nga komunitetet fetare. Kjo u arsyetua nga grupi i punës së hartimit të këtyre marrëveshjeve, se është një qëndrim politik, i cili duhet të diskutohet nga Këshilli i Ministrave", thuhet në relacionin e ministrit Pango.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›