E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Rama dhe Berisha po na kthejnë në totalitarizëm”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi Konventën e Jashtëzakonshme të saj nëpërmjet të cilës kërkon mbrojtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009. Lëvizja Rinore për Integrim që hapi Konventën e Jashtëzakonshme, kërkoi publikisht mbrojtjen e votës së LSI-së dhe denoncoi PS dhe PD si fabrikuese të planeve për të vjedhur votën e LSI. Kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, në fjalën e tij në Pallatin e Kongreseve, nën thirrjet “vota është e shenjtë” dhe “vota është demokraci”, denoncoi vendimin për vjedhje konsensuale të votës nga Sali Berisha dhe Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme. “E kemi paralajmëruar pa u lodhur, me shumë seriozitet dhe me shumë forcë gjatë gjithë kësaj kohë se Shqipërisë dhe shqiptarëve u kanoset sot një rrezik i madh, i cili është përvijuar që herët e përditë e më shumë me paktin e errët mes Ramës e Berishës, me qëllim që gjithkush të abuzojë pa vështirësi me pushtetin që administron. Me qëllim që gjithsekush të vjedhë i qetë në bahçen e tij të pushtetit, sepse këta pushtetin që ua kanë deleguar shqiptarët, e konsiderojnë si një lopë të urtë që duhet mjelë përditë e më shumë”, - tha ai. Sipas Metës, pakti i madh i kësaj kaste të rrezikshme dhe antikombëtare që filloi me shkeljen e vullnetit të mbi 1 milion shqiptarëve që votuan Kushtetutën demokratike të vitit 1998 dhe që vijoi me shkatërrimin antidemokratik të Kushtetutës të vendit natën e errët të 21 prillit, u pasua me një dashuri diabolike, së cilës i doli shumë shpejt kallaji dhe u thellua rrezikshëm me ndërhyrjet e vazhdueshme në legjislacion. Me këto ndryshime kushtetuese, sipas Metës, është cenuar rëndë pavarësia e gjyqësorit dhe tkurrur roli i Presidentit të Republikës. Kreu i LSI-së akuzoi edhe më rëndë Ramën, duke e quajtuar atë një pseudoopozitar, që ka ka varrosur demokracinë brenda partisë së tij. Duke e akuzuar atë për shkatërrimin e parqeve, ambienteve sportive dhe gjelbërimit të kryeqytetit, tha se Rama detyrën e tij publike e përdor për hakmarrje personale e dhunim të të drejtave të të tjerëve. Sipas tij, demagogjia e Ramës, e shitur me të madhe si një risi dhe politikë e re, me slloganin "përtej së majtës e së djathtës", është në fakt reflektimi më i qartë i natyrës autokratike dhe totalitariste që e shoqëron në çdo veprim, pasi gjithkush në Shqipëri e di fare mirë se përtej së majtës është diktatura totalitariste që lamë pas dhe përtej së djathtës është fazhizmi. Meta e krahasoi këtë periudhë me dhjetorin e vitit 1990, kur studentët përmbysën regjimin totalitar. Ai pohoi më tej se përjashtimi i LSI-së nga komisionet e administrimit të procesit zgjedhor synon që të tjetërsojë votën e shqiptarëve si në vitin 2005. Konventën e përshëndetën edhe kreu i Partisë Socialiste 91, Petro Koçi, dhe kreu i Komitetit për mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji.

Ky lajm është publikuar: 04/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›