E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Rama do të mobilizojë elementë të inkriminuar më 21 janar”

20/01/2011  Kreu i LSI-së akuzon kreun e PS-së për plane destabilizuese të vendit

Meta i bën thirrje shtetit shqiptar të ruajë qetësinë dhe të mbrojë institucionet

Kryetari i LSI-së Ilir Meta akuzoi dje kreun e opozitës Edi Rama për nisjen e një procesi destabilizues për vendin, duke nisur nga 21 janari, ditë kur të majtët kanë paralajmëruar protesta në kryeqytet. Madje, ish-zëvendëskryeministri deklaroi se disponon informacione për këtë çështje dhe deklaroi se do t’ia vërë në dispozicion Policisë së Shtetit. “LSI-ja përmes strukturave të saj nga disa rrethet të vendit, sidomos nga Vlora, Shkodra e Laçi, nga Durrësi, nga Fieri ka të dhëna, për të cilat do të informohet edhe Policia e Shtetit për apelin që i është bërë nga përfaqësues të Edi Ramës dhe strukturat e tij ilegjitime elementëve të inkriminuar, elementëve që i fshihen drejtësisë, elementë me precedentë penalë për t’u mobilizuar më 21 janar me të gjithë arsenalin për të shkaktuar turbullira me qëllim gjoja marrjen e pushtetit në emër gjithnjë të popullit”, - tha Meta gjatë një deklarate për mediet. Ai i bëri thirrje kreut të selisë rozë që të heqë dorë nga marrëzira të tilla, të heqë dorë nga kërcënimet që bën ndaj rendit kushtetues në vend dhe t’i kthehet dialogut. “Të punojë për reformën zgjedhore, sikurse është edhe apeli i fundit që vjen nga komuniteti ndërkombëtar dhe njëkohësisht të gjithë e keni parë se si grupin parlamentar e shndërroi në bandën më të freskët të vendit, që mund të quhet ‘banda parlamentare’, e cila në vend të dialogut, në vend të propozimeve alternative ndaj qeverisë zgjodhi të shndërrohej në një bandë parlamentare me qëllim prishjen e seancave të Parlamentit, me qëllim prishjen e funksionimit të Parlamentit”, - deklaroi Meta në fjalën e tij. Ndërsa institucioneve të shtetit u kërkoi që të marrin të gjitha masat për të ruajtur qetësinë, por dhe për të mbrojtur institucionet. “Thirrja e djeshme e Edi Ramës është prova më e mirë për çdo incident të ndodhur dhe do të jetë, jam i bindur, edhe përgjegjësia e tij e drejtpërdrejtë”, - vijoi ai. Thirrjen e Ramës për protesta Meta e përktheu si tregues të dëshpërimit ku ai ndodhet.

Sfida e Metës

Në komunikimin e djeshëm me medien Meta bëri me dije se nuk ka marrë ende asnjë ftesë nga Prokuroria për t’u paraqitur në lidhje me çështjen e videos. Pavarësisht kësaj, ai deklaroi se është në dispozicion të këtij institucioni, ndërkohë që vijon, siç u shpreh ai, me një ritëm të paparë të udhëheq Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kreu i LSI-së refuzoi të komentonte vendimin e prokurorisë për të marrë ekspertizë nga ambasada amerikane, duke shpallur prioritetin tij të vetëm fitoren më 8 maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›