E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça nën peshën e vrasjeve...

20/01/2011  Përplasja mes 2 grupeve sollën 2 të vdekur dhe 3 të plagosur. Zi dhe në shtëpinë e autorit

Autori 32-vjeçar Erjon Mukadezi, kishte vuajtur 10 vjet dënim në burgjet e Greqisë

KORRCE- Për katër ditë me radhë qyteti i Korçës është zgjuar me shqetësimin dhe peshën e krimit të vrasjes të 2 djemve të rinj dhe plagosjen e tre të tjerëve. Një krim i tillë kishte kohë që nuk kishte ndodhur. Qyteti i Korçës po përjetonte një qetësi të plotë. Befas jeta e tij u trazua. Nëpër rrugët e Korçës lëvizin makinat e policisë. Kontrolli mbi automjetet dhe persona të tjerë vijon me shpejtësi. Uniformat blu qëndrojnë në gatishmëri të plotë për çdo të papritur të mundshme. Arrestimet për armëmbajtje pa leje dhe shitje narkotikësh vijojnë. Prania e policisë ndihet në çdo cep të qarkut Korçë. Duket se qetësia do të rifitojë shumë shpejt pushtetin e saj. Mbi ngjarjen e rëndë të sapondodhur do të jetë ligji ai që do të vendosë.

Përplasja mes grupeve

Për shkak të një sherri banal mbeten të vrarë dy të rinj: Mikel Tepexhiku dhe Kastriot Hysi, që të dy banorë të qytetit të Korçës, secili prej tyre nga 28 vjeç. Veç kësaj tre të plagosur të tjerë gjenden nën kujdesin e mjekëve: Ermal Demollari, Denis Meminaj dhe Erjon Meminaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 5 familje të këtij qyteti kanë përjetuar tmerrin e ngjarjes tragjike, veçanërisht dy familjet, ku djemtë e tyre u ndanë nga jeta. Ndërkohë autori i kësaj ngjarjeje, Erjon Mukollari (tashmë me mbiemrin Mukadezi), 32 vjeç me origjinë nga fshati Porodinë, por që së fundi ishte sistemuar në fshatin Lumalas të Korçës është arrestuar. Ndaj këtij shtetasi kanë filluar hetimet për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga nenet 79 germa “dh” dhe 278/2 të Kodit Penal. Bashkë me të u arrestuan edhe disa kushërinj dhe shokë të tij, Irfan Mukollari, 21 vjeç, Fation Dinkollari, 27 vjeç, Ervin Mukollari, 19 vjeç dhe Miri Myrtollari, 27 vjeç që të gjithë banorë të qytetit të Korçës, mbi të cilët rëndon vepra penale e “vrasjes në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79 pika “dh” dhe 25 te Kodit Penal. Edhe në familjet e të arrestuarve është prishur qetësia. Ende nuk dinë saktësisht se si djemtë e tyre ishin ngatërruar në këtë ngjarje. Midis të arrestuarve ndodhet edhe Bashkim Latollari, 37 vjeç, nga fshati Gjonomdh i Korçës, pasi ky i fundit i kishte ofruar vrasësit ndihmën e strehimit. Për këtë arsye tashmë ai akuzohet për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal. Arrestimet e menjëhershme, duket se kanë qetësuar shpirtrat e banorëve të këtij qyteti. Tashmë pritet që drejtësia të thotë fjalën e saj.

Në familjen e vrasësit

Në familjen e vrasësit, Erjon Mukadezi në Lumalas ka shumë njerëz. Në atë familje gjen gjithë të afërmit e ardhur edhe nga rrethet e tjera. Megjithatë, askush nuk dëshiron të flasë. Askush nuk dëshiron të justifikojë krimin e Erjon Mukadezit. Gjithkush prej tyre shprehet, se “tashmë nga dora e tij kanë mbetur dy të vrarë dhe tre të plagosur”. Sipas tyre, “kjo ngjarje edhe mund të mos kishte ndodhur, nëse një grindje e disa ditëve më parë mes Mukadezit dhe grupit tjetër nuk do të kishte ndodhur”. Për familjen e Mukadezit banorët e fshatit Porodinë dhe Lumalas flasin me respekt si një familje e nderuar, por Erjon Mukadezi, (Mukollari), biri i tyre, do t’u shkaktonte shumë andralla në jetën e tyre. Megjithatë, tashmë gjithçka e kanë lënë në dorë organeve të drejtësisë. “Do të jetë Prokuroria, shprehen ata, ajo që do të thotë fjalën e saj. Ne nuk dimë hollësi për momentin e vrasjes. Na vjen keq që ndodhi kështu”. Erjon Mukadezi nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu i Greqisë, ku ishte dënuar me 10 vjet burg për krimin e vrasjes. Tashmë mbi të rëndon sërish i njëjti krim. Veç kësaj ai arriti të implikonte në këtë ngjarje të rëndë dhe katër persona të tjerë. Gjithë shqetësimi i tyre tashmë ndihet në përpjekjen për të mësuar se deri në çfarë mase ka shkuar implikimi i tyre.

Në familjen e viktimave

Të komunikosh me familjet e dy viktimave është tepër e vështirë. Shqetësimi dhe dhimbja e tyre përshkon çdo person që ndodhet aty. Një ditë më parë u bë ceremonia e varrimit të 28-vjeçarit, Mikel Tepexhikut, ndërsa ditën e mërkurë një ceremoni tjetër mortore u përjetua në lagjen nr 8 të Korçës. Janë të shumë njerëzit që shkojnë për ngushëllime, janë të shumtë edhe ata që thonë se vrasja e Kastriot Hysit ishte aksidentale. Ai nuk kishte pasur lidhje me grindjen që kishte ndodhur disa ditë më parë. Hysi gjendej në lokal për hesap të vet. Befas në lokal kishte hyrë Erjon Mukadezi, krejtësisht i dehur, ku kishte qëlluar me automatik kallashnikov. Plumbi kishte përshkuar edhe trupin e Kastriot Hysit, të cilin e transportuan me urgjencë në spitalin e Korçës dhe më pas në spitalin e Tiranës, por që fatkeqësisht ai nuk mundi t’u shpëtonte “kthetrave” të vdekjes. Megjithatë, sërish do të jetë Prokuroria ajo që do të hedhë dritë mbi rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›