Meta: Rama flet për front para tryezës, sheh ëndrra me sy hapur
Kreu i LSI-së, Ilir Meta duke komentuar se qëndrimin e PS-së për protesta në rast të dështimit të tryezës theksoi se “nuk mendoj se presionet verbale janë ato të cilat çojnë procesin përpara, apo çfarëdo lloj presionesh të tjera”. “Theksoj dhe një herë, është fatkeqësi kur një politikan del nga realiteti. është punë për të, por përsëri është fatkeqësi për të kur shikon ëndrra me sy hapur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka institucione të qëndrueshme të cilat nuk funksionojnë në mënyrë perfekte, por sidoqoftë funksionojnë në mënyrë demokratike dhe absolutisht që të gjithë duhet të respektojnë rregullat e lojës të përcaktuara nga kuadri Kushtetues i vendit dhe logjika demokratike”, deklaroi zv.kryeministri. Kryediplomati shtoi se në lidhje me dialogun politik për realizimin e tij duhen dy palë. “Asnjëherë nuk ka munguar vullneti për dialog nga ana e qeverisë, përkundrazi qeveria ka qenë e hapur për dialog dhe do të thosha se ka qenë tepër zemërgjerë në drejtim të plotësimit të shumë prej kërkesave dhe pretendimeve nga ana e lidershipit të opozitës. Por ju mund ta shikoni sjelljen tjetër, për fat të keq, krejtësisht destruktive, arrogante, të njëanshme dhe shantazhuese, ku ndërkohë që pritet të fillohet një tryezë dhe zhvillohet një dialog paralajmërojnë një front që do të na sjellë qametin, njësoj si në mitingun e famshëm në fund të nëntorit që do rrëzonte qeverinë dhe kutiçkat bashkë me të”, tha Meta. Ai shtoi se “nuk është kjo sjellje evropiane, nuk është kjo një sjellje konstruktive. Por megjithatë edhe kjo pjesë e opozitës është opozita jonë e shqiptarëve dhe të gjithë kemi për detyrë ta ndihmojmë që të rigjejë forcë, kurajë dhe qytetari që të sillet në një mënyrë më konstruktive. Proceset do të ecin përpara, asgjë nuk i ndalon dot”.