E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sigurimi, do shpëtonte shtetin nga dëmshpërblimi i Shkodrës”

 nertila mahoShteti do të ishte shumë më i lirë, nga ana financiare, për dëmet e përmbytjeve në Shkodër, në rast se do të ishte siguruar. Në një intervistë për gazetën, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL, shpjegon rastet si mund të sigurohen zona të veçanta nga fatkeqësitë natyrore. Pse tregu i sigurimeve në Shqipëri është akoma larg maksimumit të tij, dhe efektet që do të jepte në ekonomi zhvillimi i tij. Sa herë që ka fatkeqësi natyrore lind edhe debati për sigurimin e pronës.Kjo ndodh te të gjithë njerëzit, kur kanë fatkeqësi. Njeriu është i prirur drejt asaj që mua nuk më ndodh gjë, për shkak të jetës normale që bën dhe për shkak të dëshirës njerëzore që fatkeqësitë nuk duhet të jenë pjesë e vetja, nëse do thoshim kështu. Shqipëria ka hyrë në një tranzicion të gjatë dhe kalimi nga një ekonomi totalitare në një ekonomi tregu nuk mund të bëhet lehtë. E dyta, industria e sigurimeve nuk ka ekzistuar dhe për pasojë ka predominuar te secili mendimi se përgjegjësitë nuk janë individuale, por janë përgjegjësi të shtetit dhe kulti i shtetit është ulur në mendjen e gjithsecilit. çfarëdo që të ndodhë, asnjeri nuk e shikon përgjegjësinë te vetja por tek strukturat shtetërore. Shteti nga ana e tij ka funksionet e veta dhe natyrisht edhe përgjegjësitë. Ekspertët e fushës së sigurimeve janë të vetmit në industri të cilët prodhojnë ide por gjithmonë kanalizohen nga ekspertët si interesa të ngushta biznesi dhe shikohen me xhelozi. Atëherë vijmë tek pyetja juaj. Për këto njëzet vjet tranzicion kemi një industri sigurimesh të konsoliduar me partnerë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë, me një nivel të lartë shërbimi që ofron të gjitha llojet e sigurimeve që ofrojnë tregjet e tjera moderne të sigurimeve. Ndryshimi konsiston në faktin se Shqipëria ka një portofol sigurimesh prej 60 milion Euro, Maqedonia rreth 100 milion Euro, Mali i Zi 80 milion Euro,  Kroacia 1.2 miliard Euro dhe Sllovenia 2 miliard Euro. Shqipëria ka prim për frymë prej 10-15 Euro, ndërkohë që niveli i Kroacisë është 300 -400 Euro për frymë, Sllovenia ka 1000 euro për frymë, Mali i Zi dhe Maqedonia rreth 100 euro për frymë. Cilat janë shkaqet e një situate të tillë? Mungesa e kulturës së sigurimeve; Fatkeqësitë konsiderohen përgjegjësi e strukturave shtetërore, është traditë ndërhyrja e shtetit në raste të fatkeqësive natyrore; Mungesa e legjislacionit në këtë fushë.Në rastin e fundit përmbytjet sollën një dëm kolosal. A mendoni se sigurimi i pronës sot do të përballohej nga kompanitë e sigurimit?Le të hidhemi tek ngjarja e ditëve të fundit  në rajonin e Shkodrës. Ka një gjë interesante: për tregun e sigurimeve ajo ishte një ngjarje e cilësuar si katastrofë dhe nëse do të ishte e siguruar do të konsiderohej si ngjarje sigurimi. Kush mund të sigurohej dhe si mbulohet ky sigurim? Do të ndalem në disa detaje të rëndësishme: çfarë janë rreziqet katastrofike dhe si mbulohen ato në sigurim? Ngjarje me përmasa të mëdha të kësaj natyre që shkaktojnë dëme materiale dhe njerëzore si përmbytjet e shtëpive dhe kulturave bujqësore, tërmetet, rrëshqitjet e dherave në qytete e fshatra, zjarret masive të pyjeve , breshri dhe stuhitë natyrore; të gjitha këto janë rreziqe që klasifikohen si rreziqe katastrofike. A mbulohen në sigurim dhe si mbulohen? Bota ka vite që këto lloj sigurimesh i ka bërë me ligj pasi ato ndikojnë negativisht në disa faktorë të cilët mund të çojnë në përkeqësim të stabilitetit fiskal dhe performancës makro ekonomike  duke detyruar qeveritë të prekin fonde të paparashikuara. Gjithashtu, këto ngjarje kanë ndikim social në familjet e prekura pasi krijohen humbje jo vetëm në pasuritë por edhe humbje të ardhurave nga punësimi në biznese  të prekura. Për më tepër, ka edhe efekte ekonomike në biznese si turizëm, bujqësi, transport, pyje etj.Në këtë pikë lind pyetja: çfarë zgjidhje ka? Dy janë format më efikase për të mbuluar këto rreziqe katastrofike:Kur shteti merr përsipër të mbulojë vetë këto katastrofa blen në tregjet ndërkombëtare të risigurimeve ato që quhen “cat bond”. çfarë janë “cat bond”  dhe si shiten ato? Këto janë produkte që kompanitë e risigurimeve iu shesin shteteve dhe shteti merret me trajtimin e dëmeve. Një gjë e tillë ndodh në ato vende ku tregjet e sigurimeve nuk janë efikase. Mënyra tjetër është sigurimi i detyrueshëm i çdo familje për rreziqe që përmendëm më lart. Pra llogariten rreziqet potenciale të një vendi në një vit dhe mbi këtë bazë bëhen edhe kërkesat për mbulim. Më konkretisht, nëse Shqipëria ka një rrezik potencial prej 300-400 milion Euro në vit, atëherë llogaritet se sa duhet të jetë çmimi i këtij mbulimi dhe mbi këtë bazë caktohet edhe primi i sigurimit i cili varion nga 10 deri 70 Euro për familje. Paguhet një herë në vit dhe mbulon të gjitha rreziqet që përmendëm më lart. Në këtë mënyrë, shmanget përfundimisht përgjegjësia e shtetit dhe krijohet pavarësia e çdo familjeje nga shteti.Duke qenë se në Shqipëri ka disa njolla të territorit të cilësuara si më shumë të rrezikuara, a duhet vendosur një lloj detyrimi për sigurimin e tyre? Le të flasim për gjëra që ka interes publiku i cili, duhet thënë, është vërtet i pa informuar për mundësitë që të jep sigurimi i pasurisë, jetës apo çdo gjëje që disponon dhe rreziqeve që nuk dihen ku janë dhe si mund të vinë. Rreziku është rrezik prandaj quhet i tillë, nuk dihet koha, shkaqet dhe efektet. Duke mos ditur këto por duke e njohur si fenomen i cili ndodh, duhet të mbrohemi. Por, më konkretisht,cilat janë këto rreziqe? Ato klasifikohen në disa lloje por le të flasim për rreziqet natyrore ndaj të cilave Shqipëria është potencialisht e rrezikuar.Përmbytjet, që sapo i kaluam edhe mund të vinë përsëri në Veri dhe në Jug për shkak të lumenjve malorë të furishëm që kemi dhe derdhjes në dete përmes zonave fushore. Ky është një rrezik potencial i vazhdueshëm dhe i njohur nga gjithë tregjet ndërkombëtare.Tërmeti, Shqipëria ka një cikël 10-vjeçar, më rrallë dhe më shpesh, me një frekuencë jo të vogël dhe që harta e shfaqjes së tërmeteve Shqipërinë e klasifikon si një zonë të rrezikshme. Breshëri,  është një tjetër rrezik jo i vogël i cili në periudhën e verës—- për shkak të klimave që kemi është i pranishëm herë pas here dhe dëmton jo pak kultura bujqësore e blegtorale me dëme kolosale. Shembjet, e dherave për shkak erozionesh e zjarre masive në pyje kullota janë gjithashtu një tjetër rrezik. Pra janë disa rreziqe potenciale dhe si të tilla kërkojnë mbrojtje potenciale. Zgjidhjet për këtë i përmendëm më lart dhe janë pikërisht sigurimet nga katastrofat. Mbrojtja dhe transferimi i këtyre rreziqeve tek ata që merren me to është sukses i një menaxhimi të kujdesshëm. Në rast se fatkeqësia është shkaktuar nga shteti pra, nga hapja e portave të hidrocentraleve, edhe në këtë rast prona dëmshpërblehet nga kompanitë?Këtu kemi të bëjmë me një katastrofë natyrore, edhe sikur të kemi të bëjmë me një pakujdesi në administrimin e ujërave, përsëri do të kishim mbulim të dëmeve të shkaktuara. Me çudisin opinionet dhe opinionistët diktatorë të cilët japin konkluzione fikse dhe opinione fikse: “kjo është kështu sepse e them unë”. Le të marrim për analogji një lloj sigurimi tjetër siç është sigurimi i përgjegjësisë së anijes ku thuhet se edhe nëse anija përplaset për faj të kapitenit, është rast sigurimi dhe si i tillë është i  pagueshëm. Pra kjo është katastrofë natyrore që nuk ka rregullore në botë që e mbron pasi rregullorja përcakton në përgjithësi rregullat se çfarë duhet bërë dhe jo në veçanti e rast pas rasti.Tregu i sigurimeve në Shqipëri është i vogël. Për faj të operatorëve, konsumatorëve, mungesës së legjislacionit apo...?Ka edhe plot faktorë të tjerë por do të thosha që të tre kanë fajet e tyre sepse nuk kanë ndikuar te njëri-tjetri për ta zhvilluar industrinë e sigurimeve. Por nëse do të kishim një industri të zhvilluar, vendi do të kishte bonuse shumë të mëdha të cilat ia vlen t’i përmendim.Së pari do të kishte më shumë likuiditete financiare, pra do të kishim më shumë para në sistemin financiar. Le të marrim si shembull nëse Shqipëria do të kishte gjysmën e standardit të Kroacisë pra 200 euro për frymë, kush do të ishin përfitimet?Në qarkullim do të ishin mbi 600 milion euro, nga të cilat 200 milion do të ishin dëme të paguara pra një rinovim total i kësaj pasurie në këtë vlerë: shtëpi, makina, anije dëme shëndetësore etj. 200 milion do të ishin rezerva teknike që pasuroheshin çdo vit dhe që do të rriteshin çdo vit dhe mbanin bankat në gjendje të mirë financiare. Si dhe 200 milionë do shkonin për shtetin dhe paga punonjësish të industrisë.Pra do të kishim një sistem financiar të shëndoshë dhe rezerva të bollshme për t’i dhënë shtetit hua dhe investime. Nuk duhet harruar që industria e sigurimeve është njëra nga tre shtyllat e zhvillimit të ekonomisë së një vendi. Mbështetja tek kjo industri dhe zhvillimi i saj çon vendin në një sistem financiar të shëndoshe pasi ajo në fund të fundit bën rinovimin e ekonomisë bën rinovimin financiar të jetës.A pati ndikim kriza ekonomike në industrinë e sigurimeve? Natyrisht që po. Së pari frenoi zhvillimin e tregut. Ndërkohë që rritja normale duhet të ishte 50%, në një treg si i yni shkoi vetëm 1.9%. Së dyti u pakësuan të siguruarit dhe klientët kërkuan të mos sigurohen për mungesë likuiditeti. Pati jo pak vonesa në pagesat e primeve. Ajo që thamë më lart, mungesa e likuiditeteve u reflektua gjatë vitit të kaluar me ashpërsi në treg, çka u monitorua mjaft keq nga bankat të cilat filluan të vrasin bizneset. Në vend që të ulnin normat e interesit, bënë të kundërtën dhe dëmtuan të gjitha bizneset menjëherë. Duke shtrenjtuar kreditë ato i bllokuan ato dhe aty ku pati mos-shlyerje bënë gabimin e pafalshëm duke iu rritur interesat. Kjo bëri frenimin total të tërheqjes ose tërheqje të sforcuar. Pra, dashur padashur biznesi u godit rëndë për shkak të konsolidimit të kredive dhe përdorimit të termave skllavërues ndaj biznesit nga bankat. E kundërta duhet të ndodhte, duheshin ulur interesat e kredive dhe ndërtuar një strategji tjetër më pranë biznesit. Kjo krizë nuk ishte fundi i botës, ishte një cikël që Shqipëria duhej ta kalonte pa e filluar pasi sistemi financiar ishte i mbrojtur tërësisht për shkaqe që tashmë dihen, të tilla si mungesa e “stock Exchange” apo prania e korporatave të mëdha apo bankave të mëdha që pësuan dëme kolosale në vendet e tyre dhe në një vend të vogël si Shqipëria do të shkaktonin humbje të mëdha.Sigurimet kanë një kosto, a janë shqiptarët të përgatitur për këto kosto?Unë do të thosha që po madje mendoj që jemi të vonuar. Le të bëjmë një analizë të vogël financiare të një familjeje. Mendoj që ka rreth 1 milion familje në Shqipëri. Vetëm 10 për qind e tyre janë në shtëpi të vjetra dhe jetojnë në fshat. Ndërkohë që rreth 40 për qind e familjeve kanë veturë dhe shpenzojnë rreth 200 Euro në muaj për karburant. Mundësitë për një lloj sigurimi të tillë dhe sigurime të tjera janë por duhen përmbushur dhe dy elementë të tjerë: kultura e sigurimeve dhe legjislacioni bazë për sigurimet. Ne se këto dy faktorë do ecin shpejt përpara atëherë do kemi një ekonomi të shëndoshe financiare.Ponari: Ka kosto minimaleLegalizimet, sigurim i detyrueshëm me ligj të paktën për 5 vjetRasti më i debatueshëm për sigurimin e pronës është ai i pronës së pa hipotekuar. Në shpjegimin e tij për gazetën, Avni Ponari, tregon një mënyrë që mund të shmangte përgjegjësinë e shtetit, në zonat e legalizuara me një kosto shumë të ulët. Nga ana tjetër, sigurimi i pronave në zonat e legalizuara do të sillte edhe mbulimin e plotë të humbjeve për pronat e dëmtuara në raste fatkeqësish. Por e gjitha kjo, edhe pse me një kosto të ulët, do të dojë ndërhyrjen e shtetit. “Industria i ka propozuar qeverisë sigurimin jo më pak se 5 vjet të gjitha banesave që shkojnë për legalizim.” Sipas kreut të SIGAL, situatat treguan që shumë ndërtime janë bërë në zona të pastudiuara të rrezikshme, në zona që mbartin rreziqe të ndryshme. Në se diçka ndodh nesër me këto shtëpi të legalizuara pra në rrugë aksidentale të gjithë njerëzit  do t’i drejtohen qeverisë. “Pyetja është: Pse shteti ta marrë ketë risk përsipër dhe pse këta qytetarë të mos paguajnë se paku 5 vjet sigurim të detyrueshëm për ketë shtëpi pa leje të ndërtuar. Kosto nuk është asgjë më tepër se një euro për metër/katrorë në vit. Të gjithë me siguri janë të gatshëm ta paguajnë vetëm mungon predispozicioni i administratës për ta bërë të detyrueshëm për secilin që bën ketë legalizim.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›