E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama, kryetar bashkie pas zgjedhjeve

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha dje se e përjashton pas zgjedhjeve një koalicion me Sali Berishën. I ftuar në emisionin “Drejt votës” në Vizion Plus, me gazetaren Valbona Kurti, kreu i LSI-së i dha përgjigje dhe deklaratave rreth qeverisjes së vendit pas 28 qershorit, të bëra nga kryetari socialist Edi Rama. “E majta do krijojë një maxhorancë të qëndrueshme, zoti Rama do vazhdojë punën si Kryetar Bashkie. Nëse ai do kishte bindjen se do të ishte kryeministër i ardhshëm, ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Bashkisë dhe të ishte në listën për deputet. Ne do ta ndihmojmë që ai të vazhdojë projektet e tij në Bashkinë e Tiranës”, tha Meta. Sipas tij, debati nuk duhet të bëhet se kush duhet të jetë kryeministri i ardhshëm, por largimi i Sali Berishës. “Nuk ka rëndësi nga do jetë kryeministri, nga PS apo ndonjë forcë tjetër, ai mund të jetë edhe përtej këtyre partive. Përpjekje e atyre që thonë sot se kush do jetë kryeministër është e atyre që nuk kanë program”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh kategorik se nuk do të bëjë koalicion me Sali Berishën. “E përjashtoj në mënyrë kategorike një koalicion me zotin Berisha”, tha Meta. Kryetari i LSI-së analizoi dhe marrëdhëniet e tij me kryetarin Rama dhe qëndrimet e tij pas tragjedisë së Gërdecit. “Nuk ka problem politik mes meje dhe zotit Rama. Zoti Rama nuk ka një program të qartë politik, nuk ka bindje politike, ai sa herë që kërkon mbështetje politike ulet me kryeministrat socialistë, sa herë që kalon situatat e vështira, i përjashton ata. Me këtë politikë përjashtimi që ndjek, ai i ka sjellë një problematikë të vështirë opozitës dhe të majtës. Me qëndrimet e tij, sidomos pas Gërdecit, ai po favorizon pozitën e vështirë në të cilën ndodhet qeveria Berisha. Ne pas zgjedhjeve nuk synojmë një pakicë bllokuese por një maxhorancë vepruese, për programin më të qartë që LSI ka sjellë për papunësinë”, tha Meta. Kreu i LSI-së i bëri sërish apel kreut të PS dhe Kryeministrit Berisha të dalin në një debat politik, për të sqaruar pikat e programit qeverisës të secilës parti. I pyetur rreth ndryshimit të Kodit Zgjedhor pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Meta u shpreh se do të ishte me vend pas zgjedhjeve një prag kombëtar i korrektuar i këtij Kodi dhe vendosja e listave të hapura të kandidatëve. “Do përdorim mandatet tona për zbatimin e programit tonë. Jemi për reforma kushtetuese dhe institucionale që forcojnë demokracinë.
Korrektim nacional i pragut dhe listat e hapura do të ishin ndryshime që do ta demokratizonin sistemin zgjedhor. Ky sistem nuk e penalizon LSI por rendon demokracinë. Ky sistem kërkon lista të mbyllur për të vendosur në lista njerëzit që do kryetari i Partisë dhe votuesit janë të detyruar të votojnë partinë e kryetarit. Kryetari u thotë shqiptarëve votoni listën, mos pyesni se kush janë këta kandidatë se i kam vënë unë. Në cilën demokraci jemi, vetëm në atë të Koresë së Veriut mund të ndodhë kështu”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›