E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jo kryeministër për biznes familjar”

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama prezantoi në qytetin e Pogradecit programin qeverisës dhe kandidatët e qarkut të Korçës në një miting masiv. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kërkon të bëhet kryeministër jo për të favorizuar familjen e tij siç bën sot kryeministri Berisha. “Unë do të jem një Kryeministër për ju, për t’u dhënë bashkë me ju zgjidhje të reja problemeve të vjetra, për të qenë bashkë me ju kudo që janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë, për të bërë bashkë me ju gjëra, që për 18 vjet me radhë na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura”, tha Rama. Sipas tij, “Berisha e kërkon votën për të garantuar biznesin e tij, ndërkohë që të tjerë që janë në opozitën e opozitës e kërkojnë këtë votë për vazhduar pazaret e vjetra në dëm të qytetarëve”. Kreu socialist premtoi se ai në qeverisje do jetë një kryeministër i një lloji të ri, një kryeministër ndryshe nga këto 18 vjet, duke qeverisur për njerëzit dhe me njerëzit. “Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni, pasi ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë ish-kryeministra ua kërkojnë votën e vetme që keni, për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetëm, që ta nxjerrë pastaj mandatin e marrë nga ju, në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për të mbajtur peng qeverinë tuaj edhe 4 vite të tjera, si këto 18 vjet, në duart e një grushti kryetarësh, që bashkë me një grusht shërbëtorësh kanë vetëm në themel interesin e oborreve të tyre familjare dhe klanore, me kurrizin e kthyer nga ju”, tha Rama. Sipas tij, vota për PS-në është votë për programin e ri për Shqipërinë, që shkruam së bashku dhe për skuadrën e re të Partisë Socialiste, e cila do të garantojë programin tonë. “Unë nuk do të jem Kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit të Kryeministrit, por do të jem thjesht Kryeministri juaj. Karrigia e deputetit pas 28 qershorit, do t’i duhet atij, Sali Berishës, që të ulet kur të jetë në opozitë. Ndërsa mua nuk më duhet një tjetër karrige, por një tjetër mandat për të qenë në këmbë, në krye të punëve, në çdo qytet e në çdo fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, për të realizuar programin që realizuam së bashku dhe për të ndërtuar së bashku Shqipërinë si gjithë Evropa”, tha Rama. Duke vlerësuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama u tha pogradecarëve se “vota e 28 qershorit, është një votë më e rëndë se sa asnjëherë tjetër në historinë e këtyre viteve. Është një votë që peshon më shumë se kurdoherë tjetër, sepse ka peshën e barrës së madhe, që kemi përsipër për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›