E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Votoni numrin 3 te fleta e votimit

 

Nga qyteti i Rrëshenit kryetari i Lidhjes Demokristiane Shqiptare, Nikolle Lesi kërkoi votat e elektoratit, duke votuar numrin tre në fletën e votimit, ku është emri i tij dhe i LDK. Lesi synon të jetë një prej shtatë deputetëve të qarkut të Lezhës. Në këtë takim kreu i LDK-së u prit nga qindra mirditorë, me të cilët ai zhvilloi një bisedë në formën e pyetje-përgjigjeve, duke e përfshirë krejt sallën në debat, çka solli vlerësimin e punës së tij si deputet. Pyetjes se përse i dhuroi PDK-në, Nard Ndokës, ai u përgjigj se “mendova që të forcoheshim duke pasur unë dy deputetë dhe ai katër e për të zgjeruar forcën demokristiane, por rezultoi një pabesi nga ana e Ndokës, pasi sapo mori partinë, më përjashtoi mua nga partia që i dhurova”. Lesi kërkoi votat e të pranishmëve pasi, sipas tij, “e kam për nder të përfaqësoj në parlament zgjuarsinë e mirditorit, zjarrin luftarak të Kurbinit, trimërinë dhe fisnikërinë e malësorëve, kulturën qindravjeçare të lezhjanëve dhe shpirtin paqedashës e punëtor të zadrimorëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›