“Plani për Veprim, zgjidhje konkrete”
LSI organizoi një takim me qindra banorë të Njësisë nr.5, për të prezantuar Planin për Veprim të LSI, që garanton nxjerrjen e vendit nga kriza dhe shqiptarët nga varfëria, për t‘i futur ata përfundimisht në rrugën e zhvillimit dhe të mirëqenies. Në këtë takim merrte pjesë dhe zv/kryetari i LSI që është kandidat i LSI në këtë njësi, prof. Pëllumb Xhufi. Duke marrë fjalën në këtë takim zv/kryetari Xhufi u shpreh se sapo përfunduam një javë elektorale, ku forcat e ndryshme politike, përfshirë dhe LSI kanë shfaqur programin e tyre para votuesve shqiptarë. Por, ajo që është përshtypja dhe bindja e njerëzve është, se programi i LSI i paraqitur përpara shqiptarëve është vërtet një program tepër i përpunuar, i detajuar, që ka pikat më të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Këto pika nevralgjike, përcillen dhe nga forcat e tjera politike, por pa arritur të japin ato zgjidhje që ne kemi dhënë, për fusha të tilla, siç është punësimi, që LSI e ka prioritet.