E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD mbledh CV-të e deputetëve për komisionet parlamentare

 

Partia Demokratike përgatit listën e deputetëve të saj për t’i shpërndarë në komisionet e reja parlamentare. Në bashkëpunim me kryetaren e Kuvendit, mësohet se PD-ja ka mbledhur të gjithë CV-të e deputetëve të saj për të realizuar ndarjen e tyre nëpër komisionet parlamentare. Mësohet se pas zhvillimit të parë të seancës parlamentare do të realizohet edhe shpërndarja e deputetëve nëpër komisione. Partia Demokratike do të përfaqësohet në Parlament me 68 deputetë, nga 56 që kishte në legjislaturën e kaluar. Në këtë grup parlamentar nga 68 deputetë që ka 35 prej tyre zgjidhen për herë të parë. Pra më shumë se gjysma e tyre janë të rinj dhe po kërkohen që të alternohet më së miri shpërndarja e tyre mes atyre që cilësohen si më të vjetrit. Nga tetë komisione që janë në Kuvend, gjithsej më të rëndësishmet cilësohen i Ligjeve, i Sigurisë, i Jashtmi dhe i Ekonomisë. Për në Komisionin e Ligjeve, PD-ja duket se është e mbushur si grup parlamentar me juristë, të cilët mund të përfshihen në hartimin dhe shqyrtimin e projektligjeve të ndryshme. Kështu deputetët si Ilir Rusmali, Aldo Bumçi, Fatos Beja, Viktor Gumi, Eduart Halimi
Arenca Trashani dhe Paulina Hoti mund të jenë anëtarët e Komisionit parlamentar të Çështjeve Kushtetuese dhe Ligjeve, nisur nga eksperienca e tyre. Ndërsa në Komisionin e Sigurisë pritet të jenë sërish anëtarët që kanë qenë në legjislaturën e kaluar dhe që janë rizgjedhur sërish si deputetë, duke mos përjashtuar edhe ish-zëvendësministrin Gent Strazimiri. Ndërsa për Komisionin e Politikës së Jashtme, PD-ja duhet të përzgjedhë anëtarët e saj, pasi një pjesë që ishin në Parlamentin e kaluar nuk janë sërish deputetë të saj. Gjithsesi shpërndarja e plotë e deputetëve pritet të ndodhë pas rifomartimit të plotë të qeverisë së re “Berisha 2”, për të pasur më të qartë lëvizjet që mund të realizohen nëpër tetë komisionet e përhershme parlamentare. Brenda 14 shtatorit, Kuvendi i ri pritet të formatojë komisionet parlamentare me deputetët e saj. Në rast të një bojkoti të mundshëm të opozitës, formatimi i komisioneve pritet të jetë i pjesshëm. Pasi siç dihet ato ngrihen mbi bazën e raporteve të deputetëve ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Përveç komisioneve, PD-ja pritet të ndihmojë aleatin e ri të saj, LSI-në, për të krijuar grupin e saj parlamentar. Kështu pritet të caktohen tre deputetët që do t’i bashkëngjiten LSI-së për të formuar grupin parlamentar. Ndërsa ende nuk dihet nëse deputeti i PR-së, Fatmir Mediu do të jetë pjesë e PD-së, apo do të kërkojë që të formojë një grup të tijin parlamentar. Për këtë të fundit i duhet t’i kërkojë ndihmë PD-së për marrjen e 6 deputetëve si mbështetje. Në parlamentin e ri pritet të ketë minimumi katër grupe parlamentare, i PD-së, i PS-së, i LSI-së dhe i PDBNJ-së. Partia e Vangjel Dules pritet të marrë deputetë nga PS-ja për të krijuar një grup të sajin parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›