“Qeveria mbështetje të plotë njësive vendore, kapitull të ri në luftën kundër varfërisë”

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e Shoqatës së Komunave
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje mbështetje të plotë për bashkitë dhe komunat në vend, për realizimin e projekteve dhe luftimin e varfërisë. Sipas kryeministrit, shumë shpejt qeveria shqiptare do të shpalosë mikrokreditin për komunat. Pas ndërtimit të rrugëve, tha kryeministri, qeveria ka gati planin për rritjen e investimeve te njësitë vendore, për t’i bërë ato fleksible në shfrytëzimin e potencialeve.
Kreu i qeverisë i bëri këto komente gjatë takimit të Shoqatës së Komunave, për prezantimin e botimit “ABC-ja e Bashkimit Europian për njësitë e pushtetit vendor”.
Duke prezantuar librin që i njeh komunarët me qëndrimet e BE-së, një dhuratë e ambasadës suedeze, Berisha theksoi se libri ishte një ndihmë e jashtëzakonshme.
“Ky libër u njeh me të gjitha normat që duhen zbatuar në procesin e veprimtarisë së qeverive vendore në interesin më të mirë”, tha Berisha, duke e cilësuar këtë botim një udhërrëfyes për standardet, normat dhe rregullat e Bashkimit Europian, për t’u zbatuar në veprimtarinë e qeverive vendore.
“Roli dhe veprimtaria, standardet tuaja qeverisëse, u shpreh Kryeministri, janë jetike dhe vendimtare për integrimin e vendit në Bashkimin Europian”.
Duke u ndalur te përpjekjet e qeverisë në luftën kundër varfërisë, Berisha tha se Shqipëria nga një vend me 204 dollarë për frymë, në vitin 1992, sot është një vend që është shkëputur përfundimisht nga grupi i vendeve të varfra.
“Nga një vend, që 5-6 vite më parë e kishte varfërinë rreth 25 për qind, sot e ka zbritur atë në 11-12 për qind”, tha kryeministri.
Shefi i ekzekutivit bëri apel për shfrytëzimin maksimal të traditës së komunave, si një mënyrë për të luftuar varfërinë. Kryeministri bëri thirrje për vënien në dispozicion të zhvillimit çdo potencial të pashfrytëzuar të njësive vendore.
“Në çdo komunë ka diçka më të zhvilluar, më të arrirë se sa në një territor tjetër. Të dashur kryetare e kryetarë komunash, askush nuk e ka më shumë në dorë se ju këtë betejë dhe unë ju garantoj se qeveria do të qëndrojë fuqishëm prapa jush. Ju e njihni mirë territorin e komunave tuaja dhe unë e njoh. Kudo që shkoj, në çdo vend, unë konstatoj potenciale të mëdha të pazhvilluara, potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Unë e kuptoj se komunat e Librazhdit kanë pak tokë, por komunat e Librazhdit mund të shndërrohen në plantacionet e mëdha të arrave jo në Shqipëri, por në rajon dhe në fakt, të tilla kanë qenë. Kush është nga Librazhdi dhe luginën e Shkumbinit e ka të qartë këtë. Unë mora shembull Librazhdin, për t’ju bërë thirrje që të bëjmë çdo përpjekje për shfrytëzimin maksimal të traditës aty, ku është dhe kudo, në çdo komunë ka diçka më të zhvilluar, diçka më të arrirë, më të mirë, sesa në një territor tjetër”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi partneritetin e suksesshëm të qeverisë me qeveritë vendore dhe i garantoi ato se qeveria do vazhdojë ndërtimin e plotë të infrastrukturës, për ta çuar vendin drejt modernizimit. Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga njësitë vendore, për ta shndërruar në çështje prioritare mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Në takim foli dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili u shpreh se procesi i decentralizimit të pushtetit vendor do vazhdojë me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.