Harasani: Nuk e zbatoj vendimin për bojkot, demonstrata një video e parë
“Të fitosh zgjedhjet e 2011, nuk mjafton të fitosh vetëm Tiranën, dhe akoma më keq, po të humbasësh në shkallë kombëtare... Pra sfida është më e madhe se kandidimi dhe fitimi në Tiranë…Këtë presin socialistët dhe këtë pres edhe un녔
Sekretari socialist, Andis Harasani, denoncon shkeljet e bëra gjatë thirrjes së mbledhjes së shkuar të Asamblesë Kombëtare, ndërsa bën të ditur se nuk do të zbatojë vendimin, sipas tij, të pakuptimtë për thellimin e marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin. Në këtë intervistë, Harasani analizon gjithashtu dhe situatën politike në përgjithësi, ndërsa shpreh besimin se video-skandal e përgjimit do e tensionojë klimën politike në këtë prag fushate zgjedhore. Harasani është i bindur se Rama do të fitojë sërish në Tiranë, por shpreh dyshime se kjo nuk do të shoqërohet edhe me fitoret e bashkive, apo shumicës së komunave në rang vendi.
Zoti Harasani, ju nuk keni marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, ku jo vetëm u rikonfirmua marrëdhënia e kushtëzuar me Kuvendin, por u shkua edhe më tej, duke e thelluar këtë kushtëzim. Sipas jush, çfarë duhet të kuptojmë me thellim të një marrëdhënie të kushtëzuar, e cila edhe deri më tani e tillë ka qenë, pasi grupi parlamentar socialist nuk ka marrë pjesë në votimin e projektligjeve?
Mungesa ime është “aksidentale”, por jo vetëm e tillë. E them këtë për disa arsye. Së pari, mbledhja e ASK u parashikua, siç po ndodh rëndom kohët e fundit, me stilin “vendosim sot të mblidhemi nesër”. Së dyti, unë jam sekretar i PSSH dhe sekretariati nuk funksionon prej 18 muajsh dhe për rrjedhojë, edhe mbledhja e ASK ishte përgatitur në një rreth të ngushtë dhe të mbyllur. Së treti, për shkak të ndërprerjes kushtetuese të sesionit parlamentar, ndodhesha jashtë vendit për arsye familjare. Ju them se nuk ekzistonte asnjë planifikim, që të mbahej një mbledhje e tillë. Dhe së fundmi, ajo që është më e rëndësishmja, kjo ishte një mbledhje e zakontë, e radhës dhe siç po ndodh shpesh këto kohët e fundit, përfshinte një fjalë “emocionuese” të kryetarit dhe një vendim tjetër “të pakuptimtë” të ASK, për “thellim të kushtëzimit me Kuvendin”?!. Dhe më tej, një “konkurrencë” e kolegëve të mi socialistë të “qeverive hije” (që ngrihen dhe rrinë në hije) me fjalime në letër dhe xheste se kush është më radikali në sytë e kryetarit. Në këto kushte, dhe shumë të tjera të ngjashme me këto, ndjej një keqardhje të thellë për situatën e krijuar, sidomos kur shoh të prodhohen prova që dy forcat kryesore politike të vendit, që kanë premtuar ta çojnë vendin në Europë, ndërtojnë të ardhmen me retorikën e ngjarjeve në Tunizi, duke shkuar në një tjetër rrugë që përshkon Azinë dhe viset e saj e shkon tutje nga Oqeania, por pa lënë kurrë mënjanë tiparet dalluese të të qenit gjithmonë ballkanike. Domethënë, e vogël, e pabesë dhe dredharake. Të dy këto forca, që betohen për ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit, ato që rrjedhin nga Kushtetuta, nuk janë në gjendje të ndërtojnë institucionin politik të partisë politike. Partia Demokratike ka më shumë se një vit që nuk mbledh Këshillin Kombëtar. Por ky fakt antidemokratik, nuk më “ngushëllon”, kur në të njëjtën kohë, forca ime politike nuk mbledh, as sekretariatin, dhe as kryesinë, dhe funksionon me grupe pune të inspiruara nga “dashuritë e çastit”, të forcuara dhe të shoqëruara me dhembje menstruale, që edhe pse premtohet se janë harruar, janë shkaku që prodhon këto dashuri momentale, tani që po shtrëngojmë radhët në opozitë. Për të vazhduar me pyetjen tuaj, nuk kam mundur të kuptoj ende se çfarë do të thotë marrëdhënie e kushtëzuar me Kuvendin. Po kështu, nuk mundem të kuptoj se çfarë do të thotë thellim i kësaj marrëdhënieje të kushtëzuar. Po të bëja sikur e kuptoja, me siguri do të isha zgjedhur në ndonjë grup pune, nga ata që ka ngritur PS kohët e fundit. Duket si një teatër absurd me manekinë, që njërin grup e orkestron Berisha në sallë, me veprimin e tij direkt, dhe tjetrin kryetari im jashtë saj, me teknologjinë moderne të “sms”.
Ju personalisht do ta zbatoni këtë vendim, pasi shpesh here edhe në Kuvend keni treguar se nuk jeni dakord me një marrëdhënie të tillë. Po tani që kjo marrëdhënie përshkallëzohet edhe më tej?
Kam përshtypjen që edhe vetë ata që e kanë kuptuar, apo keqkuptuar këtë vendim, nuk do ta zbatojnë sepse “thellim kushtëzimi” do të thotë “bojkot i pathelluar”. Seriozisht, nuk mund të zbatoj vendime që nuk i kuptoj. Vota ime në Kuvend është pronë e votuesve të PS-së. Votuesi ynë, siç është në përgjithësi votuesi shqiptar, duket sikur është besnik dhe mbështetës i kryetarit që ka radhën të drejtojë, por ai nuk mund të pranojë pafundësisht vendime dhe qëndrime që ndryshojnë çdo javë, çdo sezon dhe çdo stinë politike dhe për më tepër e mbajnë peng, si të pashpresë në protestat/demonstratat e pakuptimta, pa i sjellë minimalisht një vend pune, që e pret edhe nga kryetarët e 8 bashkive më të mëdha në vend, të drejtuara nga socialistët dhe ku jetojnë mbi 70 për qind e socialistëve, por edhe nga fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme që ju duket e largët. Të më falni, por jam “konservator” në këtë pikë, nuk ndryshoj dot si ylberi. Në radhë të parë, në karrierën time modeste në politikë, por kryesisht edhe në jetën time universitare dhe menaxheriale, kam kërkuar të jem i ndershëm përpara ndërgjegjes sime. Ndërgjegjja ime më thotë se nëse ka gjëra që nuk funksionojnë si duhet, ato duhet të ndreqen me shpejtësi përmes një veprimi alternativ dhe jo thjesht duke pritur me “inshallah” që suksesi të vijë vetë apo akoma më keq, humbjen e radhës së kundërshtarit apo të tjerëve, siç veprojnë (pa u thelluar, apo edhe pa u menduar) shumica e të tjerëve që mbështesin kryetarin.
Gjithashtu, Asambleja vendosi që nesër PS të organizojë në Tiranë një demonstratë, pra një term i ri ky, i ndryshëm nga protestat që ka zhvilluar më parë opozita. Si do e konsideronit këtë si vendimmarrje dhe sa e pranueshme do të ishte një demonstratë për një forcë politike që kërkon të vij në pushtet?
Të premten është data 21 janar. E nesërmja e saj është data 22, pra një ditë kur ultimatumi i radhës, i dhënë nga zëdhënësi i opozitës së bashkuar do të skadojë. Kjo është një video tanimë e parë dhe për më tepër jo fertile. Nuk di pse thuhet për këtë radhë, demonstratë dhe jo protestë si radhët e tjera. Por në datën 22 do të jem në Tiranë dhe do të kem me siguri një përgjigje për ju, nëse ju do të më pyesni sërish, duke pritur nga zëdhënësi i opozitës së bashkuar datën e radhës së demonstratës së radhës… e kështu me radhë…
Ditët e fundit, në media u shfaq një video ku dy ish-pjesëtarë të kabinetit qeveritar, bisedonin për afera, që aq sa transmetohej në video dukeshin se ishin të paligjshme. Cili është komenti juaj dhe si u ndjetë kur i patë ato pamje?
Pavarësisht se jam politikan, ndjeva atë që ndjen çdo qytetar: Minimalisht ndjej një mpirje. Duket sikur gjendja e të mpirit shmang dhembjen, por mendoj se dhembja se pse kemi mbërritur këtu, duhet të jetë një sinjal alarmi, për të na treguar se ku po shkojmë. Sigurisht që kjo histori është e rëndë dhe prandaj ajo përbën një dhembje më shumë për Shqipërinë, që vazhdon të jetë një vend në tranzicion të vështirë. Ndjehem i tronditur sa herë që mësoj se ndodhin gjëra të tilla të ngjashme, të cilat krijojnë bindjen se të gjithë janë njëlloj. Po kështu, edhe kur gënjejmë veten, duke u vetëbindur si Don Kishoti, e pastaj për të gënjyer bashkëbiseduesin, se këtë radhë ishte ndryshe. Askush nuk mund të justifikojë askënd dhe askush nuk duhet të justifikohet kur ndodh diçka e tillë. Mendoj se tranzicioni i vështirë vazhdon në Shqipëri, sepse të dy krahët e politikës vazhdojnë të luajnë një lojë jo të ndershme, me lojtarë të “vjetër” në stil, pavarësisht moshës fizike apo ngjyrës së fanelës politike. Nuk e di pse vazhdoj të shikoj në shumë raste, poshtë kostumeve të modës dhe flokëve me xhelin që mbajnë veshur dhe përdorin, edhe pantallonat kadife me vijë të trashë, të kombinatit të tekstileve Mao Ce Dun në Berat. Në realitet, në kokë ju dallohet kasketa prej teritali, e atyre që kostumin e teritalit e merrnin me normë. Me ngjyrë gri, natyrisht. Nuk di pse me këtë veshje, ata janë kaq të dashur dhe të lumtur nën sqetullat e kryetarëve. Ndoshta është çështje “dashurie brenda llojit”, por mua më dhemb lloji im politik. Unë mendoj dhe besoj se një parti në demokraci, edhe në këtë demokracinë tonë që çalon, vjen dhe duhet të vijë në pushtet, duke ndërtuar një alternativë besimi dhe shprese, të ndryshme nga ajo që është aktualisht, përmes votës, madje edhe me demonstrata, duke përgatitur një ekip fitues, të motivuar e të bashkuar, që mund të sjellë ndryshimin e premtuar. Ka vetëm një mundësi që ne të vijmë në pushtet, që të bëjmë diçka ndryshe, që nuk është bërë për 20 vjet, të fitojë alternativa jonë e besueshme dhe jo thjesht të humbasë alternativa e pabesueshme e kundërshtarit, që të mos përpiqemi “ne disa” të zëvendësojmë “ata disa” sepse “ata disa” janë më këqij se “ne disa”. Dhe për t´ju kthyer pyetjes suaj, po ju sjell një “slogan” që dikush kishte vendosur në facebook: “Kur vjen me votë në pushtet, largohesh me votë, kur vjen me forcë, largohesh me forcë, kur vjen me demonstrata, largohesh me demonstrata, dhe së fundmi, kur vjen me video në pushtet, largohesh me video nga pushteti”. Dhe po erdhe duke vjedhur votën, largohesh duke vjedhur Shqipërinë.
Në opinionin mediatik është folur gjatë këto ditë, për fenomenin e përgjimit që ka filluar të shfaqet jo rrallë tashmë në vend. Ju keni një koment?
Sigurisht që kam. Kam komentin e atij që nuk e pranon dot një gjë të tillë. Kam dëshpërimin e thellë, se është e drejtë bindja që një shoqëri nuk ndryshon kur përmirësohen rrugët, kur qytetarët apo politikanët vishen më mirë, kur zëvendësohet sapuni 15 lekësh i Rrogozhinës, me shampo të blerë jashtë, kur përmirësohet standardi dhe kalohet nga deodoranti antidjersë, tek parfumi i tendencës së fundit. Një shoqëri ndryshon kur ndryshon mentaliteti. Deri më tani kemi ndryshuar termin: themi përgjim për termin e djeshëm, spiunim. Në një demokraci normale funksionon denoncimi ligjor apo publik, sa për të mbetur në rastin në fjalë. Dhe denoncimi ndryshon nga shantazhi sepse denoncimi ligjor, apo publik, bëhet sapo kapet fakti kurse shantazhi kur realizohet apo jo interesi.
Sa do ndikojë kjo video dhe kjo situatë në zgjedhjet e ardhshme vendore që janë në prag?
Këtë pres të na e thonë ekspertët e huaj, që kemi marrë me “qira”. Ne shqiptarët kemi një dashuri të pakufishme për të huajt. Imagjinoni sikur këtë informacion të dendur që kemi marrë këtë javë, ta merrnin jo nga “Top Channel”, por nga telegramet e një ambasade të huaj të rëndësishme në Tiranë. Atëherë po, atëherë nuk do të kishim dyshime për asgjë dhe të gjithë, të majtë dhe të djathtë do të ishim në unison në shfaqjen tonë të servilizmit të radhës. Një gjë është e sigurt, që klima politike do të tensionohet dhe të gjithë palët e militantëve do të motivohen më shumë në këtë betejë të re me mjetet e Zhylien Asanzhit…ku së bashku me “kamerën spiune” të Asanzhit, bashkëjeton edhe akuza e bukurosheve suedeze, për mos përdorimin e “kondomit”. Dhe që kishte zgjuar nga gjumi një bukuroshe suedeze, që pastaj u fye rëndë nga një gjë e tillë.
Meqë jemi tek zgjedhjet vendore, si e parashikoni garën në Tiranë dhe a duhet të rikandidojë Rama?
E kam thënë dhe më parë, Rama duhet të kandidojë, dhe mesa duket do të kandidojë dhe deri në këtë moment, në bindjen time të thellë, që nuk është vetëm politike, por dhe pak më shumë se kaq, kryetari i PS-së është fitues në Tiranë. Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë deri në maj, por kam bindjen se zgjedhjet e përgjithshme fitohen duke fituar fillimisht zgjedhjet lokale. Këtë të vërtetë të pandryshueshme për realitetin shqiptar, fatkeqësisht PS-ja nuk e kuptoi në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe ndaj e pësuam dy vjet më pas. Shpresoj shumë të kemi nxjerrë mësim nga ai pësim i hidhur i 2007-ës, nëse duam të vijmë në pushtet. Por të fitosh zgjedhjet e 2011, nuk mjafton të fitosh vetëm Tiranën, dhe akoma më keq, po të humbasësh në shkallë kombëtare.. Pra sfida është më e madhe se kandidimi dhe fitimi në Tiranë…Këtë presin socialistët dhe këtë pres edhe unë…