Greqia: Pakti detar, po vijojmë diskutimet me Shqipërinë
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Gregory Delavekouras ka komentuar edhe procesin e regjistrimit të popullsisë, duke kërkuar nga Shqipëria kritere europiane
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregory Delavekouras, në takimin e përjavshëm me gazetarët, ka folur gjatë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku kryefjala ka qenë marrëveshja e detare dhe regjistrimi i popullsisë. I pyetur nga gazetarët, në lidhje me marrëveshjen detare, mes Shqipërisë dhe Greqisë, Delavekouras ka deklaruar: “Kemi vijuar me një marrëveshje të rëndësishme me Shqipërinë, një marrëveshje që nuk është ratifikuar ende nga pala shqiptare. Kishin problemin e njohur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit. Por, është një çështje që duhet të përballemi, pasi marrëveshja ekziston dhe bazohet në të Drejtën e Detit, që përbën një pikë të rëndësishme për rajonin tonë. ”Gjithashtu, Delavekouras u pyet dhe në lidhje me çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, duke marrë spunto nga udhëtimi i fundit i zv.ministrit në Derviçan, për 20-vjetorin e OMONIA-s. Ai u shpreh se marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë kanë kaluar disa ulje-ngritje, por Greqia është një vend që mbështet në vijimësi si rrugën europiane, ashtu edhe atë euroatlantike të Shqipërisë dhe ndihet në pozicionin e kënaqshëm, që të shohë Shqipërinë të bëhet aleatja e Greqisë në NATO. “Njësoj e rëndësishme është edhe rruga europiane e Shqipërisë, por është e rëndësishme të kemi në vëmendjen tonë që nuk mund të ketë devijime nga kushtet që vendos Bashkimi Europian, nga realiteti dhe nga parimet që përfaqëson. Në këto rrethana është shumë i rëndësishëm statusi i minoritetit etnik grek në Shqipëri: duhet që minoriteti të mbrohet, duhet që të mund të veprojë lirshëm, por i integruar në shoqërinë shqiptare. E rithem, të mbrohet dhe të ndjejë siguri”, – u shpreh ai. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke deklaroi se vendi i tij ndjek nga shumë afër situatën dhe janë në kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e homogjenëve në Shqipëri. “Presim të shohim zhvillimin e regjistrimit që do të realizohet në Shqipëri, që do të duhet të bëhet në bazë të parametrave europiane dhe duam të shohim nga Shqipëria të bëjë hapat për të siguruar të drejtat e minoritetit”, – mbylli deklaratën e tij zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregory Delavekouras. Th.Samarxhiu