Godo: Deri më 15 tetor, Berisha të mbledhë koalicionin
Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, i bën thirrje liderit të mazhorancës, Sali Berisha, që të mbledhë menjëherë tryezën e partive të djathta. Godo ka qenë edhe një herë i prerë në mesazhin e tij, duke thënë se kjo duhet bërë deri në datën 15 nëntor. “Duket sikur ka një neglizhencë dhe le të themi që ka një vetëvlerësim të tepruar se e kemi të fituar betejën. Them se e shumta brenda 15 nëntorit duhet medoemos të komunikojnë patjetër partitë e djathta me njëra-tjetrën”, - u shpreh Godo. Kodi Elektoral do të jetë një nga pikat e diskutimit në kushtet ku republikanët shprehen për përcaktimin e një sistemi proporcional kombëtar. Godo për këtë çështje është shprehur se “po të bazohemi me këto që janë folur deri tani lidhur me zgjedhjet rajonale, atëherë unë them se në një farë mënyre do të shkojmë prapë tek “Dushku”. Dhe kjo, sipas tij, është shumë e rrezikshme. Presidenti i Asamblesë, Godo, foli dhe mbi zhvillimet e fundit politike, ku disa nga aleatët e djathtë kanë qëndrime të përçara me koalicionin qeverisës, pikërisht ky është sipas tij një nga momentet që PD-ja duhet të sqarojë me aleatët në mbledhjen e tryezës. “Tani duhet të hidhen kartat në tryezë. Çdo të bëjë PBDNJ-ja e cila duket si e gjinisë asnjanëse? Kur nuk është as këtej dhe as andej, në çdo rast shkon me atë që fiton zgjedhjet. Është një politikë e saj që ka funksionuar deri tani”, - deklaroi Sabri Godo.