E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Buxheti i akorduar në funksion të FA-së

Në portin detar të Durrësit u zhvillua dje ceremonia e mbërritjes së anijes “Iliria”, e cila nisi lundrimin nga Holanda gati tri javë më parë. Ministri i Mbrojtjes z.Gazmend Oketa cilësoi se mbërritja e kësaj anije përbën njё ngjarje të shënuar pёr Shqipёrinё dhe Forcat e saj tё Armatosura. Sipas tij kjo anije shënon hapin e parë në konkretizimin e këtij projekti të rëndësishëm për modernizimin e FD Shqiptare. Anija «Iliria» brenda tre vitesh nuk do jetë më e vetme, por do tё pasohet nga tri anije tё tjera, tё njëjta me tё, tё cilat do tё ndërtohen nё kantierin e Pashalimanit nё Shqipёri. Duke folur për transformimin e modernizimin e Forcave Detare, ministri Oketa u shpreh se tashmë FD Shqiptare shkojnë drejt finalizimit të dy projekteve madhore në funksion të modernizimit të tyre: atij të ndërtimit të katër anijeve të Rojës Bregdetare, si dhe në sistemin e ri e modern të Vëzhgimit të Hapësirës Detare. Në këtë kontekst, ministri Oketa, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, shprehu falënderime për qeverinë shqiptare për mbështetjen që i ka dhënë kësaj ministrie dhe Forcave të Armatosura, si dhe siguroi se buxheti i akorduar, burimet dhe energjitë e kësaj ministrie do të jenë të gjitha në funksion të përmbushjes së detyrave kushtetuese, në funksion të përmbushjes së standardeve, në funksion të modernizimit, në funksion të reformave, në funksion të objektivit madhor, anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›