E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, Ramës dhe Nanos: Të bashkohemi

Shtatë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi dje drejtues dhe ish-drejtues të së majtës në një takim ditën e hënë. Përmes një ftese zyrtare drejtuar Edi Ramës, kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nanos, ish-kryetari i kësaj partie, Rexhep Mejdanit, ish-president i Republikës, Skënder Gjinushit, kreut të Partisë Social Demokrate, Paskal Milos, kreut të Partisë Demokracia Sociale, Petro Koçit, kreut të Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Meta kërkon krijimin e një fryme të re mes së majtës për të mbrojtur votën nga Sali Berisha, ndërprerjen e diversionet mes forcave politike të opozitës, si dhe konsolidimin e besimit tek elektorati i majtë. Takimi është ideuar të zhvillohet mesditën e së hënës në hotel "Tirana", nëse të gjithë të ftuarit do të konfirmojnë pjesëmarrjen. Para se letra të nisej në adresën e të gjithë faktorëve të së majtës, kreu i LSI zgjodhi të komunikojë me mediat, duke zbardhur pjesë të saj. Letra e Metës nis me një vlerësim historik të zgjedhjeve të 28 qershorit për të ardhmen e vendit. Meta shtron nevojën që opozita të marrë përgjegjësitë për këtë proces, duke konsideruar se mazhoranca dhe qeveria e Berishës nuk mund të garantojnë dot zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Forcimi i përpjekjeve të përbashkëta, shpjegoi Meta, është arsyeja që fton në një takim ditën e hënë të gjithë faktorët politikë, institucionalë dhe historikë, të rinj dhe të vjetër të së majtës, me qëllim vendosjen e një fryme sa më të gjerë bashkëpunimi". Kreu i LSI-së vëren se objektivi kryesor i këtij bashkëpunimi dhe fryme të re ndikojnë në mbrojtjen e procesit zgjedhor më 28 qershor nga çdo manipulim dhe presion i mundshëm, si dhe në ndërprerjen e diversioneve të forcave të majta dhe progresiste ndaj njëra-tjetrës. "Unë mirëpres angazhimin e të gjitha kontributeve të faktorëve të majtë, për arritjen e objektivit kryesor të këtyre zgjedhjeve, largimin e qeverisë ‘Berisha‘ dhe njëkohësisht shërimin e menjëhershëm të të gjithë këtyre pasojave të mëdha sociale dhe ekonomike përmes krijimit të një qeverie të qëndrueshme të majtë dhe progresiste, duke nisur nga agimi i 29 qershorit", deklaroi Meta.
Meta sqaroi se, në radhë të parë, thirrja i drejtohet kryetarit të PS-së z. Rama, si kryetari i forcës politike më tradicionale. Së dyti, thirrja i drejtohet të gjithë personaliteteve dhe figurave të tjera përfaqësuese, institucionale, por edhe tradicionale apo historike, duke përfshirë këtu z. Nano dhe z. Mejdani. Ai vlerësoi se këta faktorë janë të paneglizhueshëm, ndikimi i të cilëve dhe kontributi i të cilëve do të ishte veçse pozitiv për të ecur në një drejtim të përbashkët. "Është i nevojshëm krijimi i një fryme optimizmi sa më e fortë në elektoratin progresist, në mënyrë që kjo të ndikojë në një fitore sa më bindëse të forcave të majta dhe progresiste, në zgjedhjet e 28 qershorit dhe në krijimin e një qeverie sa më të qëndrueshme për të shëruar të gjitha plagët që po lë pas qeveria e Berishës, duke nisur nga agimi i 29 qershorit".

Krerët e së majtës vihen në dijeni për takimin

Ftesa, Nano pranon. Pëllumbi e refuzon

Krerët e së majtës u njohën dje mbasdite me ftesën e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Pjesërisht konfirmojnë se do të shkojnë në takim, një pjesë e thonë qartë se nuk kanë ndërmend të shkojnë, ndërsa disa të tjerë janë vënë në dijeni, por nuk kanë ende asnjë reagim. Gazeta "Shqip" kontaktoi dje me ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili deklaroi se nuk do të shkojë në takim, me ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili konfirmoi pjesëmarrjen, me kreun e PDS-së, Paskal Milo, i cili e konsideroi ftesën të vonuar, me ish-presidentin e Republikës, Rexhep Meidani, i cili pranoi se nuk dinte ende asgjë për këtë ftesë. Ndërsa burimet zyrtare konfirmuan se kreu i PS-së, Edi Rama, është vënë në dijeni për ftesën, por nuk mund të konfirmonin pjesëmarrjen. Ish- kryetari i Kuvendit, një prej drejtuesve kryesorë në vite të Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi, tha se nuk do të marrë pjesë në takimin që është ideuar nga Ilir Meta. Ai e vlerësoi ftesën e Metës racionale, të vonuar, por, sipas tij, pas ka një hile, dhe kjo është përfshirja e Nanos në fushatë.
"Thirrja është racionale, por mjaft e vonuar. Por mbrapa saj qëndron një hile politike, sepse bëhet për të përligjur përfshirjen e Nanos në fushatën e LSI-së. Ndaj ftesa është jo serioze, bie era e lojërave të vjetra dhe sikur të isha në Tiranë nuk do të merrja pjesë në të", u shpreh ai. Ndërsa ish- kryeministri dhe ish-kryetari i PS-së deklaroi për "Shqip" se do të jetë i pranishëm në takim. "Megjithëse nuk e kam marrë ftesën e z. Meta, e kam ndjekur prononcimin e tij dhe do t‘i përgjigjem pozitivisht ftesës së tij, sikundër do t‘i përgjigjesha çdo ftese tjetër që ka për qëllim bashkimin e së majtës. Asnjëherë nuk është vonë për t‘u bashkuar", u shpreh z. Nano. Ish-presidenti Meidani u shpreh se nuk kishte marrë ende asnjë ftesë në dorë, ndaj nuk mund të japë një mendim. Vetëm kreu i Partisë Demokracia Sociale pranoi të komentonte qëllimin e kësaj ftese, pa konfirmuar pjesëmarrjen në takim. I ndodhur në një takim elektoral në zonën e Sarandës, pranoi se nuk e kishte të qartë qëllimin e ftesës, megjithëse e konsideroi lëvizjen e Metës mjaft të vonuar. Sipas Milos, ka pasur kohë aq sa e majta të institucionalizonte bashkimin e së majtës, por tani është shumë vonë. "Unë gjithmonë kam qenë partizan i kësaj, por duhej bërë në kohë dhe kur kishte kohë për të bërë bashkëpunim institucional të gjithë së majtës", u shpreh ai. Duke bërë analizën e këtij zhvillimi të ri brenda opozitës, kreu i PDS-së vuri në dukje se mesazhi që përcillet disa ditë para zgjedhjeve është i rëndësishëm, por nuk di se si mund të realizohet në këtë rast. Milo uroi fitoren e së majtës dhe bashkëpunim të vërtetë pas këtyre zgjedhjeve për hir të së majtës dhe të gjithë shqiptarëve. "Disa ditë para zgjedhjeve janë të rëndësishme mesazhet, por nuk shoh se si mund të bëhet një veprim para zgjedhjeve. Por unë uroj të fitojë e majta dhe më pas të kemi vullnetin për të bërë një bashkim të vërtetë në interes të së majtës dhe të gjithë shqiptarëve", u shpreh ai. Takimi i fundit i të majtëve është zhvilluar në muajin shtator të vitit të shkuar pas vdekjes së një prej dëshmitarëve kyçë të tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka. Pas kësaj ngjarjeje, Rama ftoi zyrtarisht Metën, Milon e Gjinushin për të rënë dakord se çfarë qëndrimesh do mbanin më tej.

Ftesa, mungon Dule dhe Veliaj
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe kreu i grupimit 99, nuk kanë marrë ftesë nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe pse dy partitë figurojnë institucionalisht në një koalicion zgjedhor me Partinë Socialiste. G99 është një lëvizje politike e krijuar pak më shumë se një vit më parë, ndërsa partia e Vangjel Dules i është bashkuar së fundmi këtij koalicioni.
Mes G99 dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë shkëmbyer shpeshherë replika sa i përket pozicionimit të tyre brenda së majtës, por nga ana e LSI nuk ka asnjë shpjegim përse G99 nuk ka marrë ftesë, aq më shumë që ajo renditet në një koalicion opozitar. Ftesa është nisur në adresë të drejtuesve aktualë si Rama, Milo, Nano, Mejdani, Gjinushi, Pëllumbi, duke dhënë vlerësimet përkatëse për ta, duke shpjeguar rëndësinë e takimit, në një moment deçiziv për të majtën vetëm shtatë ditë para se shqiptarët t‘i drejtohen kutive të votimit. Zgjedhjet do të zhvillohen ditën e diel, më 28 qershor dhe pritet që rezultati të shpallet më shpejt se çdo proces tjetër zgjedhor.

28 qershori, e majta me dy koalicione
Në zgjedhjet e 28 qershorit e majta është paraqitur me dy koalicione, Bashkimi për Ndryshim, që drejtohet nga Partia Socialiste, dhe Aleanca Socialiste për Integrim, që drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në koalicionin e drejtuar nga Edi Rama bëjnë pjesë Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit, Demokracia Sociale e Paskal Milos, G99 e Erjon Veliaj, si dhe Partia e të Drejtave të Njeriut e Vangjel Dules. Ndërsa Koalicioni i Drejtuar nga LSI ka në përbërje partinë që drejtohet nga Petro Koçi, si dhe disa parti të tjera joparlamentare. Dy koalicionet kanë bërë fushatë zgjedhore kundër njëra-tjetrës, madje dhe partitë mes tyre, ashtu siç e parashikon Kodi Zgjedhor. Rrugët e bashkëpunimit duket se janë lënë për pas zgjedhjeve të përgjithshme. Qysh në muajin mars, LSI bëri kthesë në politikën e saj, duke hequr dorë nga sulmet për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, duke deklaruar se pas zgjedhjeve, nëse LSI nuk i fiton ato, prioriteti do të jetë bashkëpunimi me të majtën dhe në veçanti me Partinë Socialiste. Ndërsa Partia Socialiste, dhe kryetari i saj, Edi Rama, janë shprehur të bindur se PS do të arrijë të marrë shumicën e vetme dhe aleatët e saj, duke mos iu përgjigjur asnjëherë drejtpërsëdrejti deklaratave të kryetarit të LSI-së, ILir Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›