E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stojku: Në Parlament do të jem një zë i fortë për hallet e dibranëve

Kandidati i Partisë Demokristiane për Qarkun e Dibrës, Edmond Stojku, flet për problemet që ai ka hasur në këtë qark dhe zgjidhjet që ka për këta banorë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke i përfaqësuar denjësisht në Parlament.

Z. Stojku, ju jeni kandidat për PDK-në në Qarkun e Dibrës, pse keni zgjedhur të kandidoni nën këtë sigël?

Në zgjedhjet politike, pothuajse në të gjitha rastet marrin pjesë kandidatë të cilët kanë një angazhim politik në lidhje me të dhe një performancë të konsiderueshme. Pra, elementet e përzgjedhjes deri më sot kanë pasur pothuajse të njëjtat kritere që njihen, në raste të rralla të angazhimit të shoqërisë civile në politikë për një ose disa arsye, kështu që unë personalisht bëj pjesë në vijueshmërinë e angazhimit politik në fillimet e saj si anëtar i thjesht partie e më pas si një nga drejtuesit e saj. Tani jam pjesë e rëndësishme e Partisë Demokristiane dhe kontributi im është jo vetëm për siglën, por edhe për idetë e politikat që ajo përçon për strategjitë dhe programet që ajo zbaton; ndihem i nderuar në përfaqësimin e vlerave të kësaj partie.

Çfarë problematikash vëreni në Qarkun e Dibrës dhe si mendoni t‘i zgjidhni ato?

Ju përgjigjem thjesht se çfarë nuk kam hasur, si p.sh. rrugë natyrale të kohës së Skënderbeut, që çdo kush kur i sheh thotë dikur këtu paska ekzistuar një rrugë, toka të thara për ujë, e fshatarë buzëplasur. Njerëz të të gjitha moshave që tërhiqen zvarrë nëpër fusha e kodra me mjetet më primitive të të gjitha kohërave, me idenë se po punojnë, ku rendimenti i tyre në të vërtetë arrin kuotën e mbijetesës. Kam parë shkolla ku tavani varet mbi kokat e nxënësve gati për të rënë, bankat dhe karriget, vegla torturuese të së shkuarës, gra dhe vajza të ngarkuara me produktet e stërmëdha të stinës, aq sa në distancë dallon diçka të madhe që lëviz, por kur afrohesh sheh se kush e lëviz atë masë. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, në bisedat e mbrëmjes me ta mëson se pushteti edhe i kërcënon: votoni për ne, se do t‘ju heqim edhe asistencën. Kandidati i mazhorancës injoron duke u thënë shijeni grurin me kalë si njëherë e një kohë, se unë deputet jam dhe ata me mirësinë e tyre e përgëzojnë atë për të vërtetat e mëdha. E pra, me pak fjalë Dibra, kjo qoshe e harruar, ka nevojë për gjithçka, ka nevojë të administrohet mirë si në nivelin lokal ashtu dhe në atë qendror, ka nevojë që këta njerëz të mos t‘i gënjejmë më, por te kenë një program të detajuar, të ndarë në kohë. Për herë të parë do të fillojmë zbatimin në vijueshmëri të tij dhe jo realizimin në prag fushatash si ujësjellësit e inauguruar që vetëm ujë nuk kanë, rrugë të asfaltuara, që i prish shiu i parë pas fushatës. Të gjitha këtyre problemeve të hasura si tani, por edhe në vitet në vazhdim, pasi unë jam bir i kësaj zone me përfaqësimin tim në Kuvend, dibranët do të kenë një zë dhe një djalë, i cili do t‘i përfaqësojë duke u shtruar hallet e tyre për zgjidhje. Gjithashtu, dibranët do të kenë një derë ku të trokasin për hallet e tyre, ndryshe nga çka ndodhur këto vite, ku zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër dhe për këtë jemi të gjithë koshientë.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e ekipit të PDK-së përballë kampit kundërshtar?

Për hir të së vërtetës me këtë Kod Zgjedhor kundërshtitë janë vetëm programore dhe lufta e ashpër mes grupeve politike kundërshtare nuk është më realitet dhe pikërisht për këtë, ku puna e gjithsecilit grupim është e matshme nga vetë elektorati, ne jemi në avantazh. Pse them ne jemi në avantazh: se jemi kandidat për deputet, se ne kemi nevojë të flasim me njerëzit, t‘u paraqesim atyre alternativën tonë dhe njëkohësisht t‘u kërkojmë mbështetjen, të cilën ata po na e japin, sepse ne flasim gjuhën e tyre. Ndërsa të ashtuquajturit kandidatë u kanë thënë disa herë me gojën e tyre: ju votoni si të doni, ne jemi deputetë. Tani po ju pyes juve: A është një avantazh i madh i yni ky?

Përtej garës elektorale, cilin prej kandidatëve kundërshtarë vlerësoni më shumë?

E thashë edhe më parë, ne s‘kemi askënd përballë si një herë e një kohë. Ne jemi në punën tonë dhe nuk takojmë kandidatët e tjerë, por njerëzit që na presin, na dëgjojnë, që flasim dhe diskutojmë, duke na vlerësuar më realët nga të gjitha grupimet politike; këtë e them edhe pse nuk kam njohje personale me asnjë prej tyre. Ndërsa, nëse me pyesni në rrafshin kombëtar do të gjeja rastin të vlerësoj, qoftë dhe pa e njohur personalisht, deputeten e ardhshme Rajmonda Bulku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›