E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja Shqiperia jo demokraci por regjim hibrid

Deklarata Sistemi politik, PS publikon të dhënat e “Economist Intelligence Unit”

Marrëdhënia politike në Shqipëri, e përcaktuar nga qëndrimet e partive, arrin të njëjtën pikë si në kohën e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha. Edhe pse jo me stilin komunikues të këtij të fundit dhe sulmet e personalizuara, Partia Socialiste gjithsesi po sjell në vëmendje konstatime të cilat flasin për një pikë shumë të ulët të sistemit politik, sidomos në aspektin funksionues të tij. “Nën pushtetin e Sali Berishës demokracia shqiptare po përjeton krizën e saj më të rëndë në këto 20 vjet, e gjendur nën trysninë autoritare të një pushteti që s’ndan asgjë me parimet dhe normat e demokracisë”, tha dje deputeti socialist Ilir Beqja. Në mbështetje të këtij opinioni, ai ka sjellë edhe një raport të një institucioni që veçohet si prestigjioz, “Economist Intelligence Unit”. Në citimin e bërë, Beqja ka sjellë në vëmendje përkufizimin e Shqipërisë si një vend poshtë standardeve minimale për t’u quajtur vend demokratik. “Për të dytën herë rresht, në raportin Indeksi i Demokracisë, Shqipëria nuk klasifikohet si një vend demokratik, por si një regjim hibrid, pra si një regjim ku zgjedhjet kanë parregullsi të konsiderueshme dhe nuk janë të lira e të ndershme, ku qeveria ushtron presion mbi partitë opozitare dhe ku pjesëmarrja e publikut në politikë është tejet problematike dhe jo e denjë për një sistem demokratik”, citoi Beqja. Ky është një përkufizim shumë problematik, po qe se vihet në relacion me ambicien e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Këtë lexim e ka bërë dhe vetë deputeti socialist, i cili e ka kontekstualizuar raportin me aspiratën e Shqipërisë në një aludim shumë domethënës për qeverinë aktuale. “Me pak fjalë, nën pushtetin e vjedhur të Sali Berishës, në vitin 2010, Shqipëria vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE, nuk renditet më si një vend demokratik, por klasifikohet si një regjim hibrid, vetëm një hap larg regjimeve autoritare dhe në një kategori si Tanzania, Venezuela, Pakistani, Kirgiztani etj. Këtu janë edhe arsyet pse Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat”, nënvizoi Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›