E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ruçi i shërben klikës së mafiozëve në PS

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha për BBC-në se vendimi për të bashkëpunuar me PD-në për krijimin e koalicionit qeverisës i shërben vendit, por edhe seriozitetit dhe identitetit të LSI-së, e cila në radhë të parë është në funksion të integrimit evropian të vendit. Meta ka përsëritur akuzat në adresë të lidershipit të PS-së, për atë që ai e quan përpjekje për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij procesi zgjedhor.
Me zotin Meta biseduan Ilir Kadia e Arben Manaj. Ai fillimisht i përgjigjet pyetjes se cila është përmbajtja e marrëveshjes me zotin Berisha për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës?
Nuk kemi bërë asnjë bisedim deri tani, përveçse kemi dhënë një përgjigje “Po” në parim për bashkëqeverisje me PD-në, si fituese e këtyre zgjedhjeve, me qëllim realizimin e një qeverisjeje të qëndrueshme dhe në funksion të reformave të integrimit evropian. Në ditët në vijim besoj se do kemi një takim të parë me Kryetarin e PD-së dhe natyrisht fokusi kryesor do të jetë në programin e koalicionit qeverisës. Ndërsa përsa i takon funksioneve, kjo mendoj që është një çështje sekondare.
Unë e ndoqa konventën tuaj në sallën e Teatrit të Operas, dhe ndjeva entuziazëm te pjesëmarrësit kur ju shpallët apo kërkuat nga Konventa mendimin e saj për pjesëmarrjen tuaj në qeverisje. Ndërkohë pati edhe zëra kundër. Zoti Pëllumb Xhufi tha se do ishte më mirë një mospjesëmarrje në këtë Qeveri. Ju vetë, si e pritët këtë zë kundër, por dhe disa zëra të tjerë brenda partisë?
Meqenëse ju paskeni pasur fatin për ta ndjekur drejtpërdrejt, besoj se e keni vënë re se në ç‘mënyrë demokratike u realizua Konventa. Ka dy zëra kundër që ne i respektojmë, do donim të kishim një propozim për rrugëzgjidhje, sepse doli qartë që LSI ishte para dy alternativave, ose të bashkëpunonte me PS, e cila ka një përgjegjësi të madhe për cënimin e standardeve, duke futur vendin në një proces krize, ose të bashkëpunonte me koalicionin fitues për të realizuar një qeverisje të qëndrueshme dhe në dobi të integrimit evropian të vendit. Pra, edhe ata dy zëra kundër, edhe pse unë iu luta aty në Konventë, nuk na dhanë dot as edhe një zgjidhje tjetër dhe nuk na sqaruan një rrugë të tretë përveç këtyre të dyjave. Pa diskutim që kjo është rruga më e drejtë, ku duhet të ecë LSI sepse i shërben vendit, por natyrisht besoj që do i shërbejë dhe seriozitetit dhe identitetit të LSI-së, e cila në radhë të parë është në funksion të integrimit evropian të vendit.
Ju jeni një parti e majtë, mirëpo të majtët e tjerë, siç foli dhe z. Ruçi për BBC-në, e quajnë akt tradhtie këtë marrëveshje tuajën për të qenë në Qeveri bashkë me Sali Berishën...
Shprehje të tilla si tradhtar janë të denja për një politikan të “politikës së re” si Gramoz Ruçi. Ka qenë një ndër ekzekutorët kryesorë të skenarit të z.Rama, për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij procesi zgjedhor. Tradhti është që në këto momente të rëndësishme të inskenosh destabilizim të vendit sikurse bën z.Ruçi dhe sikurse u përpoq të bënte dhe në Fier pas zgjedhjeve. Tradhti ndaj të majtës është të vazhdosh t’i shërbesh një klike ndërtuesish dhe mafiozësh në PS, sikurse bën Gramoz Ruçi dhe jo të reflektosh për këtë humbje të thellë, e cila më shumë sesa numerike është morale dhe politike, pasi një parti e tërë me vlera shumë të mëdha si PS, u bë pjesë e një basti personal të Edi Ramës, që nuk ka asnjë lidhje me vlerat tradicionale të PS. Prandaj ne do të ecim përpara, pa u kushtuar vëmendje folklorizmave të tillë, qoftë kur vijnë nga z. Ruçi e qoftë kur vijnë nga z. Rama, e besojmë që kjo është rruga që ndihmon dhe PS-në, që t’u rikthehet atyre vlerave të demostruara në 18 vjet, por të mohuara gjatë viteve të fundit të një lidershipi pa identitet.
Z. Meta, ka kritikë që thonë edhe pse jemi në kuadrin e spekulimeve që ju mund të kërkoni nga z. Berisha pikërisht disa dikastere, apo ministri, ku mundësia e korruptimit është shumë e madhe. Ju jeni në gjendje t’i sfidoni këta kritikë, duke kërkuar ndoshta ministri ku kjo mundësi është shumë më e vogël?
Këta kritikë janë nga ata të cilët janë vënë në shërbim të një projekti korruptiv të z. Rama, për të korruptuar të gjithë shoqërinë shqiptare duke filluar që nga analistët, mediat e kështu me radhë. Ne hymë në këtë Qeveri për të shpëtuar vendin nga një krizë. Ne hymë në këtë Qeveri për të dhënë mesazhe stabiliteti dhe integrimi dhe padyshim hymë në këtë Qeveri për një program transparent, i cili synon luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Këto nuk janë shqetësime të ndershme të analistëve, përkundrazi këto janë paragjykime qe duan të kompleksojnë Ilir Metën dhe LSI në këtë hap historik, që vë në rend të parë interesat kombëtare. Ndaj unë do t’i ftoja të gjithë ta monitorojnë Qeverinë e re, koalicionin e ri dhe të na ndihmojnë me kritikat e tyre.
Zoti Meta, cili është mendimi juaj, përse në Shqipëri shikohet me kaq vështirësi një lëvizje e tillë politike?
Kjo vjen jo vetëm për prapambetjen që ka një pjesë e politikës shqiptare, por mbi të gjitha ky është një dëshpërim që vjen nga dështimi i një përpjekje për të kontrolluar të gjitha pushtetet në Shqipëri. LSI nuk pranoi të bëhej pjesë e këtij kaosi, destabiliteti, por vendosi të hedhë një hap të rëndësishëm për stabilitetin e vendit, për qeverisjen e tij dhe për të vijuar integrimin evropian, që është projekti kryesor i LSI-së. Ne na vjen shumë keq për shprehje të tilla të dëshpëruara, pasi LSI nuk ka asnjë borxh ndaj PS, e cila u soll në mënyrën më armiqësore për gati 2 vite ndaj LSI, e cila realizoj një projekt mafioz për shkatërrimin e LSI-së në këto zgjedhje. LSI ka pozicionin e saj, ka votat e saj. Çdo koalicion LSI–PS ishte i pamundur dhe vetëm sjell krizë. Kjo është zgjidhja që i shërben vendit dhe ne do të ngrihemi mbi interesat e pjesshme.
Keni deklaruar më përpara se ju do jeni Kryeministri që do ta fusni Shqipërinë në Evropë në 2013. Ky ishte basti juaj i fituar nga pjesëmarrja në Qeverinë Berisha apo do bëni sërish Kryeministrin për 2013?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Natyrisht që unë do të kisha dëshiruar një rezultat shumë më të mirë edhe për LSI, edhe për Ilir Metën, edhe për të majtën në tërësi, pavarësisht nga raportet tona me lidershipin aktual të PS. Megjithatë i gjithë lajtmotivi im në jetën politike është integrimi i Shqipërisë në Evropë. E rëndësishme është që ky anëtarësim të realizohet sa më parë. Është apo jo Ilir Meta Kryeministër, kjo është një çështje sekondare, pavarësisht nga dëshira personale, por Ilir Meta gjithmonë është për integrimin evropian të Shqipërisë.               BBC

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›