E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardianët e dehur, terror në rrugë me armët e punës

 

KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Gardianët e burgut të Fushë-Krujës alarmuan dje pasdite policinë e Kurbinit dhe të Lezhës. Qytetarë të terrorizuar njoftuan në sallën operative për të shtëna nga automjetet në të cilat udhëtonin tetë gardianë. Grupi i gatshëm i Kurbinit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, në afërsi të fshatit Skuraj, por i është dashur të kërkojë përforcime edhe nga Lezha, në mënyrë që situata të vihej nën kontroll dhe ndalimi i tyre të përfundonte pa viktima. Burime nga policia bënë të ditur se gardianët ishin tejet të dehur. Ata kishin festuar ditëlindjen e njërit prej tyre. Festa kishte nisur rreth orës 12:00 në një lokal buzë rrugës nacionale Milot-Burrel. Pas më shumë se gjashtë orë në lokal, punonjësit e policisë së burgut kanë dalë prej andej të dehur. Sipas dëshmitarëve, ata janë ngjitur në dy makina me targa të huaja dhe janë nisur drejt rrugës nacionale. Por pasi kanë kaluar vetëm pak metra, njëri prej tyre ka nisur të shtinte në ajër me pistoletën e shërbimit. Disa kalimtarë që lëviznin me furgon janë terrorizuar, pasi situata mund të precipitonte me viktima. Të trembur, duke menduar fillimisht se dy mjetet me targa të huaja mund të kishin brenda grabitës, ata kanë formuar menjëherë numrin 129 të policisë. Grupi i gatshëm i policisë së Kurbinit mbërriti në vendin e ngjarjes. Por tentativa e tyre për të shoqëruar në komisariat gardianët ka rezultuar e kotë. Duke qenë se efektivat e grupit të gatshëm ishin më të pakët në numër, atëherë ata kërkuan përforcime nga policia e Lezhës. Kjo për faktin se gardianët e dehur kanë refuzuar fillimisht të shkonin në polici, duke pohuar se edhe ata ishin punonjës të policisë. Frika se situata mund të provokonte të shtëna të tjera ka bërë që blutë të prisnin përforcimet. Pasi në vend mbërriti edhe policia e Lezhës, ata arritën të merrnin katër gardianë drejt këtij komisariati dhe katër të tjerë në atë të Kurbinit. Një orë më pas, kur edhe janë qetësuar disi, gardianët kanë pohuar se kishin qenë duke festuar ditëlindjen e njërit prej tyre. Policia tha se vetëm personit që ka qëlluar në ajër pritet t'i komunikohet sot masa e arrestit për prishje të rendit dhe qetësisë. Ndërsa pjesa tjerët e gardianëve u lanë të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›