E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shapim kutitë! Rama, frikë nga humbja

Përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë preferuar t’i përgjigjen pasditen e djeshme në mënyrë të drejtpërdrejtë letrës së hapur që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i dërgoi Kryeministrit Berisha për situatën e krijuar pas refuzimit për hapjen e kutive. Zëvendëskryeministri Ilir Meta, në emisionin televiziv “Studio e hapur” në “Tv Alsat” deklaroi se hapja e kutive ishte një kërkesë e parealizueshme. Sipas Metës, opozita po sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe se ajo kërkesën për hapjen e kutive në një komision hetimor, duhet t’ia drejtojë Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Ministri i Jashtëm, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta, theksoi se mazhoranca nuk do të kërkojë kushtetutshmërinë e kësaj kërkese, sepse ajo e di që nuk mund të cenojë pavarësinë e sistemit gjyqësor. “Opozita nuk mund të sillet në mënyrë të papërgjegjshme. Nuk kemi të bëjmë me një çështje hapen apo jo kutitë, kemi të bëjmë me faktin e prekjes së pavarësisë së gjyqësorit”, theksoi Meta. Sipas tij, asnjëherë Parlamenti nuk ka hapur kuti votimi dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në vitin 2005, kur LSI-ja kishte prova të mjaftueshme për manipulimin e zgjedhjeve. Meta theksoi se Rama nuk kërkon të kthehet në Parlament dhe se ai po bën çfarë të jetë e mundur për t’i prishur punë qeverisë dhe për të dëmtuar imazhin e vendit. Nga ana tjetër, Meta theksoi se Rama nuk futej në Parlament, sepse ai e di që zgjedhjet e ardhshme lokale i ka të humbura. Por, në lidhje me këto zgjedhje, kryetari i LSI-së lë të hapur opsionin se kjo forcë politike mund të ketë kandidatin e saj për Tiranën në këto zgjedhje. Po kështu, Meta theksoi se gjatë kohës që ai kishte qenë Kryeministër, kishte pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Edi Ramën, i cili në atë kohë ishte ministër i Kulturës. “Po t’ju tregoj letrat që ai më dërgonte do të dyshonit për lidhjen tonë që nuk ka qenë edhe aq intime”, thekson Meta në lidhje me kohën kur ai dhe Rama kanë punuar bashkë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›