Meta: “Shqetësimet e Lëvizjes për Politikë Institucionale, të drejta”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kreu i PAD-së, Neritan Ceka dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo, morën pjesë dje në një takim të Lëvizjes Institucionale të Partisë Socialiste. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u dha të drejtë socialistëve të kësaj lëvizjeje, të cilët ndajnë shqetësimin për mënyrën e të bërit opozitë nga kreu i PS-së, Edi Rama. Meta tha se nevojitet një opozitë më e fortë, dhe jo opozitë e cila bashkëpunon për interesat e kryeministrit dhe interesat e kreut të PS-së. “Jemi në momente të cilat na ftojnë të gjithëve për të denoncuar farsën teatrale të bashkëpunimit gjoja pozitë-opozitë midis, në fakt, dy përfaqësuesve me të lartë për pushtetit ekzekutiv në Shqipëri, zotit Berisha dhe zotit Rama, ashtu sikurse bëra edhe pesë minuta përpara së të hyja këtu në një sallë afër, ku ishin të ftuar për të folur për Ditën e Europës dhe ku për fat të keq kryetari i partisë suaj në vend që të paraqiste shqetësime serioze që ka opozita Shqipëri, për keqqeverisjen më të korruptuar që ka njohur historia e Shqipërisë, sepse është një qeverisje, e cila korrupsionin e çoi deri në vrasjen masive të shqiptarëve, sikurse ndodhi me krimin shtetëror të Gërdecit, përkundrazi pajtohej në të gjithë çështjet me Kryeministrin Berisha, përveçse kishin një shqetësim se kush ka fituar tenderin e kartave e identitetit. Ky ishte i vetmi dallim dhe opozitarizëm, se cila kompani duhet të fitonte tenderin e kartave të identitetit”, - tha Meta.
10 Maj 2008