Qeveria, përpjekje për të dixhitalizuar sistemin shëndetësor
Shqipëria renditet në grupin e vendeve të zhvilluara dhe këtë gjë e bazon edhe në statistikën e vdekshmërisë foshnjore. Projekt për digjitalizimin e shërbimit parësor dhe atë të urgjencës, si një mundësi për të luftuar korrupsionin në sektorin e shëndetësisë
Kryeministri Sali Berisha u ndal dje, në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, në konkluzionet e studimit të disa organizatave ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë, që e rendisin Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara, veçanërisht për tre nga treguesit më thelbësorë: Vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare dhe vdekshmëria në tërësi.
Duke bërë publike rezultatet e këtij studimi, të botuar edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare, Kryeministri theksoi se këto arritje janë “rezultante e një universi të tërë zhvillimesh pozitive në vend, e shndërrimeve të mëdha që bënë që shqiptarët të vijnë në 100 vjetorin e tyre si një komb kryesisht urban, të shkëputjes me shpejtësi nga varfëria masive, të konsolidimit të sistemit shëndetësor. Ndër të gjithë treguesit, asnjë tjetër nuk shpreh shkallën e zhvillimit ekonomik dhe social, gërshetimin e këtij zhvillimi, më shumë se vdekshmëria foshnjore. Shqipëria, për fatin e keq të saj, ka pasur nivele afrikane, por të dikurshme jo të sotmet, se Afrika nuk është më ajo që mendojmë ne. Ndërkohë Shqipëria e sotme ka një mortalitet infantile një shifror. Një arritje historike kjo, për këtë komb e këtë shoqëri. Mortaliteti infantal që e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara është një rezultante e zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, social e kulturor të këtij vendi, por është gjithashtu dëshmi e një sistemi të kujdesit shëndetësor efikas. Nuk mund të pretendohet se çdo gjë në këtë arritje është atribut i bluzave të bardha, por, absolutisht, pa rolin e tyre kryesor, kjo arritje është tërësisht e pamundur. Pa përkushtimin dhe eficencën e tyre, pa ndërhyrjen e tyre efikase e të shpejtë, pa punën e tyre edukative me nënat, pa specializimet e tyre në nënfushat, vdekshmëria foshnjore një shifrore nuk mund të arrihet”, u shpreh Berisha.
Duke përgëzuar punonjësit e shëndetësisë në mbarë vendin, mjekët e infermierët, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë meritë thelbësore në këto arritje, Kryeministri tha se mbajtja e këtij pozicioni shumë të rëndësishëm kërkon “konsolidimin e mëtejshëm të të gjitha shërbimeve shëndetësore. Edhe ky tregues dëshmon për një tërësi zhvillimesh pozitive në shoqërinë shqiptare, por edhe për një qëndrim krejtësisht të ri dhe një vetëdije shumë më të larta për kujdesin për gruan shtatzënë. Pa mëdyshje, bluzat e bardha kanë meritat e tyre të jashtëzakonshme, sepse pa kontributin, përkushtimin, kujdesin, këshillën e përgjegjësinë e tyre, nuk mundej që Shqipëria të pozicionohej në nivelin që është nga 1 tek 21, duke lënë gjithnjë mbrapa një grup të tërë vendesh ndër më të zhvilluarat. Këto nivele ftojnë për një përpjekje të re të madhe, për të konsoliduar rezultate të tilla, të cilat i bëjnë nder të veçantë këtij vendi. Por nderi është i rëndë. Çdo jetë e shpëtuar është më e madhja që mund të bëjë një familje, një ekip mjekësor, një shoqëri e tërë”.
Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi përpjekje edhe më të mëdha në drejtim të fuqizimit të institucioneve rajonale shëndetësore, aty ku është edhe kontakti i parë i qytetarëve me sistemin shëndetësor. Duke u ndalur te reforma në sistemin e shëndetësisë, kryeministri solli në vëmendje se një nga mjetet për të luftuar korrupsionin në mjekësi është edhe dixhitalizimi i radhës.
Sipas tij, duhet të dixhitalizohet radha në mënyrë që askush të mos ta thyejë atë. Në këtë kohë ekziston telemjekësia që do të thotë se i sëmuri kudo që të ndodhet të mund të marrë mendimin më të avancuar të kohës. “Duhet ta dixhitalizojmë radhën në mënyrë të atillë që askurrkush, për asnjë meritë, të mos mund ta thyejë atë. Unë jam i bindur se kjo do të ketë impakt shumë pozitiv në shërbimin ndaj qytetarëve. Këto kohë funksionon telemjeksia që do të thotë se e sëmuri kudo që të ndodhet, në Tropojë apo Kolonjë, në Delvinë apo Malësi të Madhe, të mund të marrë mendimin më të avancuar të kohës, të profesorëve më të shquar, në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo qendra të tjera. Natyrisht, kjo është një arritje e jashtëzakonshme, por kërkon që mjekët tanë të kenë ambicie për të kërkuar mendimin dhe debatuar me kolegët e tyre në Europë e në botë. Ky është vetëm njëri aspekt, por shumë i rëndësishëm që mund të ndikojë në mënyrën më të fuqishme në diagnozë dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se të marrësh diagnozën e duhur aty, ku të ndodh sëmundja. Aspekte të tjera janë procedurat standarde që ekzistojnë dhe ne duhet të ndjekim procedurat më të avancuara në trajtimin e sëmundjeve më të shpeshta”, tha kryeministri.