Strasburgu: Shqipëria e ka kaluar ngërçin, gati të asistojmë reformat

Dy raportuesit për Shqipërinë në Asamblesë Parlamentare të KiE, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco dhanë konkluzionet e tyre pas misionit faktmbledhës treditor, duke deklaruar përmbushjen e kriterit politik të stabilitetit të institucioneve. Ata rinovuan angazhimin e organizatës që përfaqësojnë, për të asistuar edhe më tej procesin demokratik në Shqipëri
“Ndryshe nga vizita jonë në qershor të vitit 2011-të, sot Shqipëria ofron një panoramë tjetër, ka nisur një bashkëpunim mes forcave politike dhe po zbatohen reformat”.
Ky ishte konkluzioni i shprehur dje nga dy raportuesit për Shqipërinë në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, pas takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Kryefjala e raporterëve ishte “klima mjaft pozitive në bashkëpunimin mes palëve politike në vend”.
Dy raporterët trajtuan zhvillimet parësore të vendit si ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, heqjen e imunitetit, luftën kundër korrupsionit si dhe zgjedhjen e presidentit të ri. Në deklaratën e tyre, reporterët e KiE-së i mëshuan me forcë faktit se klasa politike duhet të ketë kujdes në përzgjedhjen dhe votimin e kreut të ri të shtetit, me qëllim që të shmangë përplasjet në Kuvend.
Raportuesi Grigore Petrenco kujtoi se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të jetë një proces në përputhje me Kushtetutën dhe të shoqërohet nga një klimë e qetë politike.
“Kemi pasur një program shumë kompleks, jemi takuar me një numër të madh aktorësh politikë në vend. Jemi në statusin e monitoruesve të Shqipërisë, jemi këtu për të dëgjuar, që në një fazë të mëvonshme të bëjmë hartimin e raportit. Klima politike në Shqipëri është pozitive krahasuar me 2011. Në takime kemi diskutuar gjatë dhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces sipas Kushtetutës. Palët në politikë të shmangin konfliktet rreth kësaj çështje. Në takimet që ne patëm me palët në Tiranë na siguruan që Kushtetuta do të zbatohet plotësisht për sa i përket kësaj çështjesh së zgjedhjes së kreut të shtetit, duke na siguruar njëkohësisht se kjo zgjedhje nuk do jetë burim konflikti për tensione të tjera në politikën shqiptare”, u shpreh gjatë fjalës së tij, Petrenco.
Nga ana e tij, raportuesi Jirsa vlerësoi frymën bashkëpunuese, si dhe situatën politike e cila sipas tij ka shënuar hapa pozitive nga vizita e fundit e kryer në qershorin e vitit 2011.
“Jemi këtu në kuadër të misionit raportues mbi progresin në Shqipëri. Kemi tre ditë këtu, kemi pasur një sërë takimesh me krerët më të lartë të shtetit dhe personalitete të tjera. Një tipar dallues i vizitës është se kemi vënë re bashkëpunim, gjë që ka munguar në takimet e tjera, që është në përputhje të plotë me standardet europiane dhe ato të Këshillit të Europës. Krahasuar me qershorin e 2011-s situata është më e mirë, më e qetë dhe jemi të vendosur të ndihmojmë Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE”, vlerësoi Jirsa.
Një nga pritshmëritë e mëdha të reporterëve të Këshillit të Europës ndaj politikës shqiptare është edhe heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë. “Janë vënë re edhe disa probleme që kërkojnë zgjidhje si; korrupsioni, funksionimi i gjyqësorit, heqja e imunitetit. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për ne, dhe si e tillë ka marrë një pjesë të mirë të vëmendjes”, u shpreh Petrenco.
Hetimi i 21 janarit dhe zhvillimi i Shqipërisë ishte një tjetër temë e prekur në konferencën e tyre nga dy reporterët. Sa i përket “21 janarit”, reporteri Tomas Jirsa nënvizoi se “institucionet duhet të lihen të pavarura në hetimin e plotë të ngjarjes”. Ai theksoi se “ajo është një çështje në hetim, institucionet duhet të lihen të pavarura në hetime, për të nxjerrë rezultatin”.
Gjithashtu, dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e evidentuan Shqipërinë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe për këtë, tha ai, “vendi juaj është një shembull suksesi”.
Parlamentarët evropianë siguruan autoritetet shqiptare për gatishmërinë e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike, duke theksuar gjithashtu se “dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane”.
Raporterët kanë një mision faktmbledhës për të monitoruar përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria për 12 prioritetet.
Gjatë vizitës tre ditore në Shqipëri ata zhvilluan takime me kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, presidentin Bamir Topi, kreun e opozitës Edi Rama, kryetarin e komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali, bashkëkryetarët e grupit të punës për reformën parlamentare si dhe ata për reformën zgjedhore si dhe me kryeprokuroren Ina Rama.
Raportuesit e KiE në Tiranë
Tomas Jirsa
“Unë dhe kolegu im kemi ardhur si bashkë-raporterë dhe jemi takuar me përfaqësues të lartë politik të mazhorancës dhe opozitës, me krerët e grupeve parlamentare, me kryesuesit e grupit të punës për reformën zgjedhore, atë parlamentare si dhe kemi zhvilluar takime me kryeministrin Berisha, kreun e opozitës, Rama dhe presidentin Topi. Gjatë kësaj vizite ne kemi vërë re bashkëpunimin mes dy krahëve politik. Vizita jonë e fundit ishte në qershorin e 2011-ës dhe përcaktuam qartë rekomandimet tona për nisjen e dialogut politik dhe përmbushjen e detyrimeve. Jemi të sigurt se një situatë e tillë do të vazhdojë edhe në vijim dhe jemi të gatshëm të asistojmë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit, për të marrë statusin e vendit kandidat”.
Grigore Petrenco
“Ajo që vërejtëm ne gjatë kësaj vizite është ajo atmosferë pozitive që shprehu edhe kolegu im, se ka një bashkëpunim mes palëve politike dhe ka nisur puna për reformat. Situata politike, klima politike është dukshëm shumë më e mirë se ajo që kemi parë në vizitën tonë të fundit. Nuk shohim më probleme dhe konstatojmë zbatimin e marrëveshjeve politike mes aktorëve. Çështja për të cilën diskutuam ishte padyshim zgjedhja e presidentit të Republikës. Ne u siguruam se kushtetuta do të zbatohet plotësisht në këtë proces, si dhe u siguruam që zgjedhja e presidentit s’do shndërrohet në një përplasje apo ngërç politik”.