E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Shtyrja e paktit për të rritut transparencën”

Autori i Lajmit: red.
Kreu i diplomacisë shqiptare, njëkohësisht zëvendëskryeministri i vendit, Ilir Meta, pranon se Kuvendi i Shqipërisë ka shtyrë marrëveshjen me shtetin fqinj për të rritur edhe më tej transparencën e saj. Sipas tij, ky afat më i gjatë krijon mundësinë që të sqarohet çdo paqartësi lidhur me caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai e vlerëson marrëveshjen si një arritje pozitive në interes të vendit tonë, po aq sa dhe të fqinjit grek. Kreu i diplomacisë shqiptare fton të gjitha palët e interesuara që të shkojnë në Ministrinë e Jashtme për të marrë informacionin e duhur lidhur me këtë çështje. Një javë më parë Kuvendi ka hedhur nga kalendari i punimeve trejavore këtë marrëveshje, edhe pse ishte parashikuar që ajo të diskutohej brenda 22 tetorit.
Konfirmimi
“Çështja ka qenë në rendin e ditës së Kuvendit në atë vijimësi të gjithë aktiveve që kalojnë nga qeveria. Shtyrja e ratifikimit është bërë për t u dhënë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bërit të një procesi sa më tepër transparent”, - theksoi dje Meta, duke rrëzuar pretendimin e Kuvendit se ratifikimi i marrëveshjes është shtyrë për çështje teknike. Nga pozicioni i ministrit të Jashtëm, Meta fton të gjitha palët të shkojnë në Ministrinë e Jashtme dhe të ballafaqojnë mendimet dhe matjet e tyre duke garantuar dhe njëherë se marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë e domosdoshme dhe nuk i ka falur Greqisë asnjë milimetër hapësirë detare. “Kjo është marrëveshje e domosdoshme, sepse vetëm përmes përcaktimit të këtij kufiri ne mund të shfrytëzojmë në interesin tonë të gjitha të mirat e detit dhe nëndetit. Për më tepër që ka pasur dhe kompani të huaja, sidomos për sa u takon kërkimeve në nëndet. Absolutisht që ndarja është bërë në interesin e Shqipërisë sikurse edhe të Greqisë në paritet të plotë, bazuar në parimin e ekuidistancës”, - u shpreh ministri i Jashtëm. Meta pak ditë më parë i bëri thirrje opozitës të mos dëmtojë marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, duke iu referuar qëndrimeve mbi marrëveshjen e caktimit të kufirit ujor mes vendit tonë dhe Greqisë. Sipas tij, opozita shqiptare nuk duhet të frymëzojë qëndrime ksenofobe në lidhje me marrëveshjen e ndarjes së kufirit Shqipëri-Greqi. Kreu i diplomacisë shqiptare tha se reagime të tilla nga opozita dëmtojnë rëndë marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. “Lidhur me çështjen e shumëpërfolur së fundmi në media për Marrëveshjen mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për përcaktimin e kufirit detar dhe shelfit kontinental, dua të sqaroj se e gjithë kjo është një spekulim i pastër dhe keqinformim i opinionit publik. Për të shuar çdo aludim, keqinterpretim apo keqdashje, do të ndiqet rruga me transparancë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet dhe pretendimet e ngritura, në mënyrë qe t u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje”, - ka pohuar Meta. Ai ka siguruar se për realizimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë që rrjedh nga aderimi i saj në Konventën e Detit, janë angazhuar specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe të institucioneve të tjera dhe janë ndjekur në mënyrë strikte të gjitha rregullat dhe procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. “Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje, rikthen frymën e konfliktualitetit dhe izolimit në politikën rajonale të paqes dhe stabilitetit që Shqipëria në vazhdimësi ka ndjekur në rajon, duke synuar cenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes vendit tonë dhe Greqisë”, - ka pohuar kreu i diplomacisë shqiptare. Ai ftoi opozitën të ndjekë rrugën institucionale për realizimin e transparencës së plotë të kësaj çështjeje, duke u distancuar, sipas tij, nga frymëzimet ekstremiste që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, sikurse mund të jenë thirrjet për djegien publike të flamujve kombëtare të vendeve fqinj. Meta siguroi se Qeveria është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare dhe ato kushtetuese, duke garantuar në çdo rast dhe mbi të gjitha sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë.

Vendimi, Kuvendi shtyu ratifikimin e marrëveshjes

Parlamenti ka shtyrë ratifikimin e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. E parashikuar që të ratifikohej në seancën parlamentare të datës 19 tetor, marrëveshja realisht nuk ekziston më në axhendën e Parlamentit. Burime nga Kuvendi bënë të ditur se në axhendën trijavore nuk shkruhet asnjë datë dhe asnjë rresht për ratifikimin e Marrëveshjes së shumëdiskutuar. Po kështu, nuk bëhet e ditur asnjë datë tjetër për ratifikimin e mundshëm të saj. Marrëveshja për ujërat detare me Greqinë, që u firmos mes dy qeverive, në prill të këtij viti ka sjell debate të shumta politike, por dhe reagim të ekspertëve. Pas tyre kanë reaguar dhe specialistët e Ministrisë së Jashtme. “Nuk kemi cenuar asnjë milimetër nga deti dhe territori ynë”, - ka deklaruar Ministria e Jashtme dhe Flota Detare pas kundërshtimeve politike, por dhe të specialistëve. Drejtoresha Juridike në këtë ministri, Ledja Hysi, ka shpjeguar marrëveshjen Berisha-Karamanlis për kufijtë detarë. “Jemi të detyruar të përcaktojmë kufirin detar sipas një Konvente, pjesë e së cilës vendi ynë është anëtar që në vitin 2003”, - ka thënë Hysi, ndërsa sqaroi se më parë nuk ka pasur kufij detarë mes Shqipërisë dhe shteteve fqinje.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›