E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri me Greqinë, PS dorëzon sot padinë në Kushtetuese

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ankimi

Padia e bërë nga Partia Socialiste dhe e firmosur nga aleatët e saj të majtë dhe të djathtë, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufirit detar, pritet të dorëzohet sot në Gjykatën Kushtetuese. Burimet nga selia rozë pohuan dje se kjo ankesë do të jetë tërësisht gati për nesër për t u çuar në Gjykatë. Ankesa e socialistëve dhe aleatëve të saj thekson se marrëveshja është në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit dhe më konkretisht nenet 1, 2 dhe 3 të tij, ku dhe përcaktohen sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Kërkesëpadia është firmosur prej krerëve të pesë partive, kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ai i PLiDr-së, Spartak Ngjela, drejtuesi i G99, Erion Veliaj dhe para dorëzimit të saj edhe nga kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ndërsa kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, nuk e ka firmosur atë. Shehi ka pohuar se kjo marrëveshje duhet diskutuar gjerësisht më parë dhe vetëm pas këtij momenti mund të firmosej. Por sipas tij, një gjë e tillë nuk është bërë.
Kërkesëpadia
Kërkesëpadia e socialistëve dhe aleatëve të saj nuk është bërë publike për mediat, por megjithatë konfirmohet se në thelb të saj është konstatimi se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare" cenon tërësinë territoriale ujore të vendit tonë në favor të vendit fqinjë. Sipas kërkesëpadisë së opozitës, marrëveshja e miratuar nga qeveria dhe e propozuar për ratifikim në Kuvend ka prekur në këtë mënyrë parimet themelore të Kushtetutës dhe më saktë nenet 1, 2 dhe 3 të saj, ku mes të tjerave përcaktohet se "Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm", "Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit" dhe se "Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t i respektojë dhe t i mbrojë". “U ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila, pa asnjë dyshim, duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim”, - ka deklaruar kryesocialisti Edi Rama pas një takimi me aleatët e tij ku u bë publik dhe qëndrimi për ta ankimuar në Kushtetuese këtë çështje. 150 koordinatat e reja të kufirit detar më Greqinë janë kontestuar nga opozita me pretendimin se falet një sipërfaqe e konsiderueshme ujore, fakt ky që është mohuar nga ekipi negociator i marrëveshjes.

Ky lajm është publikuar: 20/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›