Shpërthen bombola e gazit, rëndë nëna e katër fëmijëve
Kuçovë- Ka qenë duke gatuar, kur shpërthimi i bombolës së gazit e ka dëmtuar rëndë. Ngjarja ndodhi sot në fshatin Gegë të Kuçovës, kur nga shpërthimi mbeti e plagosur rëndë 40-vjeçarja Sherife Dollani.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se ka qenë një rrjedhje gazi që më pas është shoqëruar nga flakët. Dollani për momentin ka qenë vetëm në shtëpi kur ka vënë re se një erë gazi ishte hapur në ambientin e guzhinës ku gatuante. Më pas tubi që lidh sobën me bombolën është përfshirë nga flakët dhe kur e aksidentuara është munduar që ta fikë është përballur me shpërthimin.
Kanë qenë komshinjtë ata që e kanë ndihmuar dhe e kanë nxjerrë nga flakët dhe e kanë nisur me urgjencë në spitalin e Beratit.
Burimet pranë repartit të kirurgjisë bëjnë me dije se Sherife Dollani ka mbërritur në gjendje të rëndë shëndetsore ku dhe ka marë mjekimin e menjëhershëm e pastaj është nisur drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Sipas burimeve spitalore viktima ka pasur djegie në shumë pjesë të trupit. Hetimet paraprake në vendin e ngjarjes kanë arritur në përfundimin se shkak për shpërthimin është bërë pakujdesia dhe gjendja e bombolës së gazit.