Topalli: Vendimi i BE, fitore e të gjithë aktorëve
Jozefina Topalli i bëri dje thirrje opozitës të kthehet në Parlament për të qenë pjesë e reformave. "Ajo e humbi shansin për të qenë në Parlament, për të kontribuar gjatë këtyre dy muajve, për t‘u bërë pjesë e kësaj fitoreje", tha Topalli, duke iu referuar vendimit të Brukselit për statusin e vendit kandidat. "Kjo nuk është fitore e së djathtës, kjo është fitore e të majtëve, e të djathtëve, e republikanëve, e LSI-së, e shqiptarëve pa parti, e të gjithë shqiptarëve. Kjo është një ditë e madhe si për socialistët ashtu edhe për demokratët", theksoi Topalli. Kjo, vijoi ajo, është një ditë e madhe, ndaj dhe shfrytëzoj edhe një herë rastin për të ftuar në Parlament deputetët socialistë. "Ata do të gjejnë hapësirat më të mëdha e më të mundshme që mund të imagjinojnë", garantoi Topalli.