Meta: Të fillojë reformimi i Kodit Zgjedhor
Sipas kreut të LSI-së, ky proces duhet të përfshijë të gjitha partitë politike
TIRANË- Në një kohë kur opozita kërkon transparencën e zgjedhjeve të kaluara, kryetari i partisë së dytë në pushtet, Ilir Meta ka kërkuar reformimin sa më parë të Kodit Zgjedhor duke pasur si synim gjithashtu edhe gjithpërfshirjen e forcave politike.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë kryesimit të mbledhjes së komisionit për reformën zgjedhore kërkoi përmirësimin e Kodit Elektoral sipas rekomandimeve të lëshuara nga organizmi i OSBE-ODIHR-it, për t'u paraprirë zgjedhjeve vendore.
"Është urgjente përqendrimi tek përmirësimi i kodit aktual zgjedhor dhe sidomos pasja në konsideratë e punës së këtij komisioni.
Por mundësisht sa më shpejt dhe një komision gjithëpërfshirës parlamentar dhe jashtëparlamentar, duke lexuar me vëmendje rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit në Shqipëri në amendamente dhe në koncepte të qarta që garantojnë një transparencë të plotë të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm të zgjedhjeve përpara se ato të fillojnë",- tha dje Meta.
Ai kërkoi që ky proces të shoqëohet nga një transparencë e plotë duke përfshirë në të gjitha partitë politike, jo vetëm ato që janë prezente në Parlament por edhe ato që ndodhen jashtë tij. "Ndaj theksoj dhe një herë se LSI-ja parim kryesor për reformën elektorale ka gjithëpërfshirjen.
Pavarësisht se dhe në zgjedhjet e fundit ne jemi forca e tretë politike në vend, ne mendojmë se është e domosdoshme për shkak dhe të numrit të kufizuar të forcave politike që ka sjellë kodi elektoral me të cilin u zhvilluan zgjedhjet e fundit, që reforma të jetë e plotë, duhet të kemi parasysh gjithëpërfshirje jo vetëm të të gjitha forcave politike që janë në parlament, por edhe ato që janë jashtë tij",- u shpreh ai.
Meta kërkoi gjithashtu që Byroja e Kuvendit të përcaktojë një kalendar të reformës zgjedhore dhe sipas tij, të fillojë angazhimi i parlamentit në këtë drejtim, pasi ccdo vonesë sipas Metës mund të cenojë standardin e zgjedhjeve të ardhshme. Por, ndryshe nga kreu i LSI-së, kryetari i KQZ-së Arben Ristani theksoi se në Kod nuk duhen bërë ndryshime thelbësore.