Sistemi i drejtësisë, qeveria kërcënon gjyqtarët dhe prokurorët
Raporti i përvitshëm për vendet në tranzicion vëren një sërë problemesh, duke filluar që nga kuadri ligjor i paplotësuar i medies, kërcënimi ndaj gjyqësorit, shoqëria e dobët civile, fenomeni i përhapur i korrupsionit, gjendja e administratës publike dhe situata ekonomike në vend.
Raporti i Freedom House: Zgjedhjet nuk përmbushën standardet, probleme në procesin e numërimit
TIRANË-Zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 nuk arritën të përmbushnin potencialin e Shqipërisë për të plotësuar standardet më të larta demokratike, duke shfaqur parregullsi në procesin e numërimit të votave shoqëruar me keqpërdorimin e administratës publike. Ky është konstatimi që bën në raportin e saj të përvitshëm Freedom House për vendet në tranzicion, një vit pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare.
Kërcënimet dhe presionet e qeverisë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, pavarësia e medies, korrupsioni, shoqëria e dobët civile, ekonomia dhe raportet e qeverisjes vendore me atë qendrore janë gjithashtu pjesë e këtij raporti, i cili nxjerr në pah një sërë problematikash në fushat përkatëse të
vendit.
Zgjedhjet
Procesi zgjedhor i vitit të kaluar qëndron në trajtimin kryesor të këtij raporti, i cili thekson se megjithëse këto zgjedhje u konsideruan si pozitive nga organizmi monitorues OSBE-ODIHR, ato shfaqën një sërë problemesh duke nisur që nga numërimi i votave e deri në keqpërdorimin e të mirave publike.
Raporti e cilëson shoqërinë shqiptare si mjaft të polarizuar politikisht, ndërsa vë në dukje se ndikimi i qeverisë në drejtësi, media dhe në shoqërinë civile po shndërrohet në një pengesë kryesore për konsolidimin e demokracisë.
"Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në Shqipëri më 28 qershor, 2009, u konsideruan si një arritje pozitive nga OSBE - ODIHR. Megjithatë, janë vërejtur parregullsi në procedurën e numërimit të votave, si keqpërdorimi i administratës publike dhe të mirave publike. Këto probleme ishin të mjaftueshme për opozitën për të mos rënë dakord me vlerësimin e përgjithshëm e zgjedhjeve.
Si rezultat, Partia Socialiste (PS) zgjodhi bojkotimin e Parlamentit. Shoqëria shqiptare mbetet e prekur rëndë nga polarizimi politik të vendit; politika ndikon në sistemin gjyqësor, në media dhe në shoqërinë civile, duke u bërë kështu pengesë e vendit në progresin drejt konsolidimit të demokracisë",- thuhet në pjesën e këtij raporti për procesin zgjedhor.
Raporti evidenton faktin se zgjedhjet u mbajtën në një mjedis të polarizuar politik duke u shfaqur një sërë problemesh në procesin e numërimit dhe problemet tashmë të njohura si votimi familjar.
Korniza e Gjyqësorit dhe Pavarësia:
Një pjesë të veçantë, raporti i ka kushtuar sistemit gjyqësor dhe pavarësisë së tij. Sipas raportit, sistemi i drejtësisë nuk është krejtësisht i pavarur dhe për më tepër Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për kryerjen e reformës në pushtetin gjyqësor.
Raporti nënvizon se gjyqtarët dhe prokurorët ndodhen nën kërcënimin dhe presionin e qeverisë, duke sjellë në vëmendje rastet e dy ministrave, Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha, të cilët sipas raportit, u akuzuan për shpërdorim detyre, por Gjykata e Lartë e pushoi gjykimin ndaj tyre për çështje procedurale. "Sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është krejtësisht i pavarur, dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën gjyqësore.
Qeveria vazhdon të marrë veprime për të trembur gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë raste politikisht të ndjeshme në gjyq. Dy ministra ishin të akuzuar për shpërdorim detyre, por rastet e tyre u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë mbi baza procedurale",- specifikon raporti.
Në raport thuhet se moskonsensusi midis mazhorancës dhe opozitës ka bllokuar miratimin e ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, duke e bërë të pamundur zëvendësimin e anëtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Korrupsioni
Korrupsioni në Shqipëri është mjaft i përhapur dhe perceptimi i tij është në rritje, ndërsa strategjisë së qeverisë për të luftuar këtë fenomen i mungojnë mekanizmat konkretë.
Ky është vlerësimi që bën raporti mbi fenomenin e korrupsionit duke specifikuar se imuniteti i zyrtarëve vazhdon që të mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit, duke sjellë si shembull rastin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili i shpëtoi gjykimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre për shkak të imunitetit."
Korrupsioni vazhdon të jetë një fenomen i përhapur në Shqipëri, dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike mbetet i lartë. Përpjekjet e qeverisë për të ndaluar korrupsionin kanë ngecur në fazën e strategjisë, ose është vetëm aplikim selektiv.
Për më tepër, strategjisë antikorrupsion të qeverisë i mungojnë mekanizmat konkretë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë vazhdon të jetë një pengesë në luftën kundër korrupsionit. Në rastin e ministrit aktual të Mjedisit, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërthimin e fabrikës municioneve në Gërdec, ku u vranë 26 persona imuniteti shërbeu si bazë për t'i shpëtuar gjykimit",- shkruhet më tej në raport.
Pavarësia e Medies
Pavarësia e medies është gjithashtu një fushë tjetër, ku raporti evidenton një sërë problemesh, sipas të cilave medies i mungon kuadri i plotë ligjor. Kjo mungesë e kuadrit ligjor sipas raportit, ka bërë të favorizohet interesat e pronarëve të medies dhe politikanëve dhe jo interesat e publikut, ndërsa thekson se transparenca e burimeve financiare të mediumeve është shumë e vogël.
Raporti vë në dukje gjithashtu se reformimi i transmetuesit publik mbetet i bllokuar, ndërkohë që nga tjetër gazetaria investigative ndodhet nën një kërcënim të vazhdueshëm. "Mediet shqiptare kanë avancuar në drejtim të teknologjisë, por mbulimi i medieve me kornizën përkatëse ligjore nuk ka përfunduar ende.
Kjo mungesë e kuadrit ligjor e kombinuar me transparencën e vogël mbi fondet e medieve të shkruara dhe atyre elektronike favorizojnë interesat e pronarëve të medies dhe politikanëve sesa interesat e publiku, duke penguar cilësinë editoriale",- thuhet në raport.
Shoqëria civile
Një fushë tjetër, që është trajtuar nga raporti i Freedom House është edhe zhvillimi i shoqërisë civile në Shqipëri. Sipas raportit të Freedom House specifikohet se shoqëria civile është ende mbrapa nga ato të rajonit ndërsa evidenton se ka një rënie të konsiderueshme të aktiviteteve të saj.
Ajo nxjerr në pah gjithashtu edhe përfshirjen e drejtuesve të OJQ-ve në politikë, siç ishte rasti i grupimit politik G-99. Kjo sipas raportit bën që të hidehn dyshime serioze mbi paanësinë e shoqërisë civile shqiptare.
"Shoqëria civile shqiptare është në udhëkryq dhe mbetet prapa nga simotrat e saj në rajon. Burimet e pakta financiare, varësia e lartë nga donatorët, dhe një rënie e konsiderueshme në aktivitete mungesa e kapacitetit të OJQ-ve në zonat urbane dhe rurale",- shkruhet në raport.
Qeverisja vendore
Raporti i përvitshëm i Freedom House nuk përjashton nga trajtimi i tij edhe mënyrën e qeverisjes vendore dhe raportin e saj me pushtetin qendror. Në raport shkruhet se decentralizimi i mëtejshëm po pengohet nga shkurtimi i buxhetit të pushtetit lokal nga pushteti qendror.
Sipas raportit, polarizimi i jetës politike në nivelin qendror ka ndikuar negativisht në pushtetin në punën e këshillave komunalë. "Polarizimi i jetës politike në nivelin qendror ka pasur një ndikim negativ në punën e këshillave komunalë. Vazhdimi i procesit të decentralizimit po pengohet nga shkurtimet në buxhetin e pushtetit lokal",- nënvizohet në raport.
Gjithashtu, raporti vlerëson edhe situatën në administratën publike duke theksuar se problem shqetësues mbetet dukuria e e rekrutimit të individëve në bazë të preferencave politike si dhe politizimi në tërësi i nënpunësve civilë si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal bën që të pengohet efektiviteti dhe profesionalizimi i administratës publike.
Raporti e mbyll me gjendjen ekonomike duke u shprehur përgjithësisht në mënyrë pozitive për ecurinë e saj, por thekson se reformat në ekonomi nuk kalojnë nëpër një proces transparent dhe konsultativ.
Pikat kryesore të raportit të raportit të Freedom House për Shqipërinë:
Qeverisja: Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në Shqipëri më 28 qershor, 2009, u konsideruan si një arritje pozitive nga OSBE - ODIHR. Megjithatë, janë vërejtur parregullsi në procedurën e numërimit të votave, si keqpërdorimi i administratës publike dhe të mirave publike. Këto probleme ishin të mjaftueshme për opozitën për të mos rënë dakord me vlerësimin e përgjithshëm e zgjedhjeve.
Si rezultat, Partia Socialiste (PS) zgjodhi bojkotimin e Parlamentit. Shoqëria shqiptare mbetet e prekur rëndë nga polarizimi politik të vendit; politika ndikon në sistemin gjyqësor, në media dhe në shoqërinë civile, duke u bërë kështu pengesë e vendit në progresin drejt konsolidimit të demokracisë
Procesi zgjedhor. Zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar politik. Nuk pati incidente të mëdha, por u kontestua procesi i ankesave ligjore i ndjekur gjatë numërimit të votave.
Zgjedhjet e qershorit 2009 nuk arritën të realizojnë plotësisht potencialin e Shqipërisë për të përmbushur standardet më të larta demokratike, edhe pse ato u konsideruan si zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka mbajtur deri tani dhe të njohura nga organizatat ndërkombëtare.
Zgjedhjet u zhvilluan pa incidente të mëdha, edhe pse u vërejtën disa mangësi të njohura si votimi familjar, kryesisht në zonat rurale si dhe mungesa e trajnimit të duhur për administratorët e zgjedhjeve.
Shoqëria civile. Shoqëria civile shqiptare është në udhëkryq dhe mbetet prapa nga simotrat e saj në rajon. Burimet e pakta financiare, varësia e lartë nga donatorët, dhe një rënie e konsiderueshme në aktivitete mungesa e kapacitetit të OJQ-ve në zonat urbane dhe rurale.
Segmente të ndryshëm të sektorit civil u përfshirë në zgjedhjet e qershorit, si grupi politik G99, dhe udhëheqësit e disa OJQ-ve konkurruan për të marrë vende në parlament. Në këtë mënyrë janë hedhur dyshime serioze mbi paanësinë e shoqërisë civile shqiptare.
Pavarësia e medies: Mediat shqiptare kanë avancuar në drejtim të teknologjisë, por mbulimi i medieve me korizën përkatëse ligjore nuk është përfunduar ende.
Kjo mungesë e kuadrit ligjor e kombinuar me transparencën e vogël mbi fondet e medieve rtë shkruara dhe atyre elektronike favorizojnë interesat e pronarëve të medias dhe politikanëve sesa interesat e publiku, duke penguar cilësinë editoriale.
Mbulimi mediatik i fushatës elektorale të zgjedhjeve të qershorit 2009 ishte i ndarë në favor të partisë në pushtet dhe partisë kryesore opozitare, ndërsa partitë e vogla nuk merrnin mbulimin e duhur mediatik të parashikuar edhe në Kodin Zgjedhor. Reforma e transmetuesit të shërbimit publik është bllokuar. Rastet e dhunës kundër gazetarëve kanë qenë sporadike.
Gazetaria investigative mbetet ende nën kërcënim, gjë e cila është demonstruar edhe me anë të sulmit fizik mbi botuesin dhe gazetarin e gazetës "Tema" / Mero Baze.Rritja e kërcënimeve ndaj gazetarisë hulumtuese dhe ndikimi i politikës mbi organet rregullatore të medias, ka bërë që pavarësia e medias në Shqipëri të përkeqësohet.
Qeverisja vendore: Polarizimi i jetës politike në nivelin qendror ka patur një ndikim negativ në punën e këshillave komunalë.
Vazhdimi i procesit të decentralizimit po pengohet nga shkurtimet e buxheteve të pushtetit lokal. Parlamenti miratoi një ligj për të ulur normën e tatimit për bizneset e vogla, e cila redukton të ardhurat e qeverive vendore, përgjegjëse për mbledhjen e taksave të biznesit të vogël. Qeveria qendrore nuk ka marrë ndonjë masë për të kompensuar për këto humbje në buxhetet e qeverisjes lokale.
Për shkak të shkurtimeve në të ardhurat e qeverive vendore, si dhe bojkotit të opozitës ndaj zgjedhjeve të pjesshme vendore, vlerësimi për qeverisjen vendore përkeqësohet 2,75-3,00.
Korniza e Gjyqësorit dhe Pavarësia: Sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është krejtësisht i pavarur, dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën gjyqësore. Qeveria vazhdon të marrë veprime për të trembur gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë raste politikisht të ndjeshme në gjyq.
Dy ministra ishin të akuzuar për shpërdorim
detyre, por rastet e tyre u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë mbi baza procedurale. Konferenca Kombëtare Gjyqësore nuk mund të mblidhet për të zëvendësuar anëtarët e
e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) mandatet e të cilëve kanë skaduar për shkak të mosarritjes së konsensusit nga forcat e mëdha politike për miratimin e ligjit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Vonesat dhe funksionimi i dobët i sistemit të drejtësisë janë vërejtur gjatë gjithë vitit.
KLD është në procesin e rritjes së numrit të gjyqtarëve për gjykatat e rretheve më të mëdha për të zgjidhur çështjet e shumta. Institucionet shtetërore kanë vendosur një shembull të keq në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, si dhe mungesa e besimit tek agjencitë ligjzbatuese ka detyruar shumë shqiptarë që të sjellin rastet e tyre para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Korrupsioni: Korrupsioni vazhdon të jetë një fenomen i përhapur në Shqipëri, dhe
perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike mbetet i lartë. Përpjekjet e
qeverisë për të ndaluar korrupsionin kanë ngecur në fazën e strategjisë, ose është vetëm aplikim selektiv. Për më tepër, strategjisë antikorrupsion të qeverisë i mungojnë mekanizmat konkretë.
Imuniteti i zyrtarëve të lartë vazhdon të jetë një pengesë
në luftën kundër korrupsionit. Në rastin e ministrit aktual të Mjedisit, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërthimin e fabrikës municioneve në Gërdec, ku u vranë 26 persona imuniteti shërbeu si bazë për t'i shpëtuar gjykimit.