E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Sali Berisha dështoi me gjithë investimet publike

2-maj-M.Harito52 ditë nga 23 qershori, Partia Socialiste vijon të denoncojë 100 dështimet e qeverisjes së kryeministrit Sali Berisha.

Anëtarja e grupit për programin, Milena Harito tha se Sali Berisha ka dështuar me gjithë investimet publike.

Ajo shtoi se Berisha po riciklon çdo premtim të pambajtur në tetë vite.

Sali Berisha dështoi me shkollën. Jo vetëm që infrastruktura në arsim mbetet shpesh herë në gjendje të mjeruar, por sot shqiptarët janë edhe dëshmitarë të politizimit rrënjësor të shkollave. Arsimtarë dhe pedagogë, nxënës dhe studentë po përdoren dhunshëm si dekor elektoral. Shqiptarëve u duhet të jenë dëshmitarë të spektaklit qesharak të përurimeve të përsëritura e te ripërsëritura në shkollat shqiptare, tha Harito.

Sali Berisha premtoi rritjen e investimeve publike në infrastrukturë, shtimin dhe përmirësimin e saj sipas standardeve europiane. Ndërkohë shqiptarë janë dëshmitarë të faktit se dhe ato pak rrugë që janë shtruar në Shqipëri, përveçse rezultojnë të jenë pa asnjë standard europian të sigurisë, janë përzgjedhur dhe shtruar vetëm për fushata zgjedhore e vetëm për qëllime elektorale, duke krijuar borxhe të reja ndaj bizneseve. Në kushtet e krizës kur e ka mbytur shtetin me borxh ndaj bizneseve, Sali Berishës nuk i mbetet gjë tjetër veç spektaklit sa qesharak po aq dhe grotesk të inaugurimit të të njëjtës rrugë për të pestën herë me radhë, vijoi Harito.

Zyrtarja e PS tha se Berisha ka premtuar në vitin 2009 se për dy vite do të përfundonte të gjitha impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, kanalizimet dhe landfillet për mbetjet e ngurta, në të gjithë zonën bregdetare të vendit.

Dhe ky premtim i ricikluar nga premtimet e pambajtura të 2005, nuk është mbajtur akoma dhe sot, tha Harito.

Ajo paralajmëroi se përdorimi antiligjor i fondeve publike për fushate elektorale të PD do të rëndojë dhe më xhepat e çdo qytetari shqiptar, të cilët në fund të kësaj fushate do të zgjohen me një barrë të shtuar financiare si rrjedhojë e borxheve në të cilat qeveria hyn për të mundësuar inaugurimet elektorale të saj.

Pas 23 qershorit, qeveria e re me kryeministër Edi Ramën do të nxjerrë përfundimisht investimet publike nga pengmarrja e logjikës destruktive të Sali Berishës: asaj të thellimit të borxhit publik në dëm të ekonomisë shqiptare e për arsye elektorale./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›