E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të zgjedhim struktura konkurruese dhe transparente

26/10/2011  LSI vijon procesin e analizës për strukturat e saj në çdo njësi

Riorganizimi, përpjekjet për arritjen e një rezultati më të lartë më 2013

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar nga Durrësi se në zgjedhjet e ardhshme kjo forcë politike do të ketë një rezultat shumë më të mirë se ai i arritur në zgjedhjet e deritanishme. Në një takim me strukturat e partisë në këtë qark Meta ka vlerësuar rezultatin e arritur në zgjedhjet e 8 majit, punën e bërë veçanërisht në qytetin e Durrësit, por kërkoi gjithashtu një riorganizim të partisë në këtë qark me qëllim shfrytëzimin e të gjitha rezervave, që ai tha se LSI-ja nuk i ka shfrytëzuar aq sa duhet. “Sikurse u përmend këtu edhe nga të gjithë shokët e tjerë, duke përmendur edhe njësi vendore konkrete, rezervat janë të jashtëzakonshme. Ne besojmë se ka shumë gjëra që duhet të përmirësohen në punën tonë. Fakti që për një kohë të gjatë nuk kemi pasur mundësi të kemi zgjedhje të strukturave, ka ndikuar edhe në një çalim nga ana organizative”, - tha kreu i LSI-së. LSI-ja ndodhet në fushatën e zgjedhjes së të gjitha strukturave të saj në të gjitha qarqet, bashkitë dhe komunat e vendit. “Të zgjedhim struktura krejtësisht legjitime, në mënyrë demokratike, konkurruese dhe transparente. Të kemi një Lëvizje Rinore për Integrim që të konkurrojë me atë të kryeqytetit, të kemi një lëvizje të fuqishme të gruas, sepse kemi gjithë këto zonja të nderuara, dhe natyrisht të kemi një LSI edhe më përfaqësuese. Kjo kërkon edhe një ndarje më të mirë të detyrave, një organizim kapilar”, - vijoi Meta. Ai shprehu bindjen se LSI-ja e Durrësit do të jetë një parti model, e cila votohet shumë më tepër, sepse do të ndihmojë të gjithë ata që kërkojnë një politikë ndryshe nga ajo konfliktuale dhe të dalin nga bataku i politikës së vjetër.

Angazhimi

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, do të japë llogari para elektoratit të tij për organizimin e strukturave të partisë pas zgjedhjeve të 2013-s për disa komuna të qarkut Durrës. “Unë personalisht atë mosangazhimin tim për arsye të tjera do ta kompensoj duke marrë në patronazh bashkinë e Sukthit, duke marrë komunën e Ishmit, bashkinë e Manzës dhe bashkinë e Maminasit. Këto do t’i marr përsipër si i deleguar dhe do të jap llogari para jush pas zgjedhjeve të vitit 2013”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›